1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kostoja e terrorit

Përveç shkatërrimit të menjëhershëm dhe dhimbjes njerëzore, sulmet terroriste në Paris kanë edhe pasoja ekonomike. Të prekura do të jenë sidomos turizmi dhe tregtia.

Me më shumë se 80 milionë vizitorë, Franca është destinacioni turistik më i pëlqyer në të gjithë botën. Turizmi kontribuon deri në masën 7% në jetën ekonomike të vendit. Frika, se mos në të ardhmen turistët do t'i shmangen Parisit apo krejt Francës, bënë që të hënën (16.11)aksionet në bursë të e shoqërisë ajrore Air France dhe të rrjeteve të hotelerisë si Accor të bien ndjeshëm.

"Tani kushdo mendohet, nëse do të shkojë vërtetë në Paris brenda një periudhe të afërt", thotë ekonomisti Friedrich Schneider, i cili është marrë intensivisht në Universitetin e Lincit në Austri me pasojat ekonomike të terrorizmit. "Nëse turizmi përkohësisht do të ketë rënie, kjo nënkupton humbje prej disa qindra milionë Eurosh."


Ndërkohë nuk dihet ende, nëse edhe qytetarët do të konsumojnë më pak për shkak të sulmeve. Në SHBA, pas sulmeve terroriste në shtatorin e vitit 2001, të ardhurat nga shitjet me pakicë shënuan një ulje prej 1,4%. "Por recesioni në SHBA u kapërcye menjëherë pas tre muajsh", thotë Jorg Krämer, kryeekonomisti i Commerzbank në një bisedë me DW-në.

Edhe investitorët mund t'i tremben terrorizmit. Ekonomisti zviceran, Bruno Frey, iu referua në një shkrim disa studimeve, të cilat analizonin ndikimin e sulmeve mbi investimet e huaja në Spanjë dhe Greqi në periudhën midis viteve 1975 dhe 1991, kur në të dy këto vende ka pasur shumë sulme terroriste me sfond politik. Sipas tyre, investimet e huaja të drejtpërdrejta u ulën, në Spanjë me 14% dhe në Greqi me 12%.

Terrorizmi sipas Frey shkakton "dëme të ndjeshme" edhe në tregtinë me jashtë, kryesisht, për arsye se rriten masat e sigurisë dhe kontrollet. Ai i referohet një analize të qarkullimeve të tregtisë ndërkombëtare midis më shumë se 200 vendeve në vitet 1960-1993, sipas së cilës nga dyfishimi i numrit të sulmeve terroriste "volumi i tregtisë mes dy vendeve bie me rreth katër përqind."

Frankreich Luftwaffe Kampfjets

Avion luftarak francez

Investime jo produktive

Në të kundërt kuota e SHBA-së në tregtinë botërore në vitet pas sulmeve terroriste më 2001 "nuk u pakësua dukshëm", thotë kryeekonomisti i Commerzbank Krämer. "Rritja e masave të sigurisë pas 9/11 nuk e influencoi negativisht tregtinë botërore."

Megjithatë ishin të kushtueshme masat si shtimi i numrit të policëve, punonjësit e sigurisë dhe kontrollet. Të tilla shpenzime janë nga këndvështrimi ekonomik investime, që nuk janë produktive. "Nëse këto shpenzime do të ishin vënë në dispozicion për arsimin apo infrastrukturën, produktiviteti do të ishte më i lartë", thekson Friedrich Schneider.

Franca qysh përpara sulmeve kishte vështirësi, për t'i kufizuar deficitin e vet tregtar dhe borxhet e shtetit. "Ndaj nuk mund të rritet me disa mijëra numri i policëve dhe i punonjësve të shërbimeve sekrete e nga ana tjetër shpenzimet e tjera të mbeten konstante", thotë Schneider. "Ndoshta do të duhen kursime në zëra të tjerë."

Aq më tepër që për misione ushtarake nevojiten më shumë para. Presidenti i Francës i ka cilësuar si "akt lufte" sulmet e milicëve të terrorit të Shtetit Islamik (IS). Të dielën (15.11) aviacioni ushtarak francez bombardoi pozcionet e IS në qytetin sirian Raka.

Ekonomisti zviceran Bruno Frey në hulumtimet e tij ka arritur në konkluzionin, se politika "nuk duhet të mbështet në mënyrë të njëanshme tek taktika e demonstrimit të forcës me mjete ushtarake dhe policore për të luftuar terrorizmin. Shumë më e udhës është, që "të shmangen pasojat më të thella të terrorizmit."