1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovës i nevojitet guximi për të folur hapur

9 Qershor 2017

Pas muajsh stanjacioni, sulmesh me gaz lotsjellës në parlament e konfliktesh të dhunshme, tani Kosova voton. Por a mund të kemi vërtet një fillim të ri? Johanna Deimel dyshon për këtë.

https://p.dw.com/p/2ePwc
Johanna Deimel
Fotografi: Southeast Europe Association

Apelet e bashkësisë ndërkombëtare për të mos vendosur si kandidatë për deputetë ata persona, kundër të cilëve janë ngritur padi, u injoruan. Madje ka gjasa që në sytë e shumë kosovarëve ato të tingëllojnë gati cinike. Sepse jo vetëm Kosova, por edhe bashkësia ndërkombëtare është peng i gabimeve të saj dhe lënies mënjanë të problemeve.

Garda e vjetër politike, e cila rivjen me kandidatët kryesorë dhe figurat politike drejtuese si për shembull nga PDK, AAK, NISMA, megjithëse me hijen e një të shkuare kriminale të paktën është duruar nga bashkësia ndërkombëtare. Rezultati? Atmosferën politike në Kosovë e dominojnë ende ish-ushtarë të UÇK-së, për të cilët ka dyshime se kanë kryer krime lufte, si edhe kandidatë me gjasë të përfshirë në prapaskena kriminale. Korrupsioni, nepotizmi dhe krimi i organizuar ende nëntë vjet pas pavarësisë së Kosovës janë pjesë e jetës së përditshme (politike). Kundër anëtarëve të „Vetëvendosjes", ndër ta Albin Kurti ka aktakuzë për sulmet në parlament.

Filizat e rinj

E megjithatë në këto zgjedhje gjen edhe bërthamën e partive të reja: „Alternativa", e krijuar nga Mimoza Kusari Lila dhe Ilir Deda konkurron për herë të parë. Kjo parti është ende e re për të pasur një profil të qartë, prandaj ajo i është bashkangjitur koalicionit me „LDK"-n dhe partisë  „Aleanca Kosova e Re". „Vetëvendosja" nuk është edhe aq e re si parti, por ka një potencial konstant votuesish, e me Shpend Ahmetin, si kryebashkak i Prishtinës në radhët e saj, edhe një politikan që mund ta nxirrte partinë nga këndi nacionalist i protestës. Të mos harrojmë edhe 120.000 votuesit e rinj që mund të ndikojnë tek një riformatim i nevojshëm i peizazhit politik të Kosovës.

Lëvizje ka edhe në kampin politik të partive serbe. Në listën e partive „Lista Serbe" gjen kandidatë deri më tani të panjohur për serbët në Kosovë, e me shumë gjasa kandidatë që kanë përkrahjen e Beogradit. Por serbët në Kosovë po fillojnë të emancipohen nga Beogradi dhe kjo është një shenjë e mirë. Partia e re e Aleksandar Jablamovicit (Partia e Serbëve të Kosovës) nuk mbështetet nga Serbia, dhe sulmet ndaj tij dhe zyrave të kësaj partie të lenë të kuptosh nervozitetin, kur diktati i Beogradit humb terren.

Ramush Haradinaj dhe Ivica Daçiç në dialog?

Të gjitha këtyre i shtohet fakti që këto votime zhvillohen në rrethana të të ndryshuara gjeopolitike, të cilat kërkojnë një politikë të përgjegjshme dhe të mirëmenduar. Por në vend të kësaj iu bihet daulleve me tone nacionaliste shqiptare, dëgjohen kërcënime të dyanshme dhe mprehje shpatash verbalisht mes Beogradit dhe Prishtinës, të cilati shkundin fort zilet e alarmit në Uashington, në kryeqytetet europiane dhe NATO.

Marrëveshjet e arritura si ajo e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi me shumë gjasa nuk do të gjejnë shumicën edhe në parlamentin e ri që të ratifikohen dhe implementohen. Prandaj tingëllon gati absurde, që Ramush Haradinaj (AAK), me gjasë kryeministri i ri, u premton kosovarëve liberalizimin e vizave brenda tre muajsh, por në të njëjtën kohë marrëveshjen e demarkacionit (një nga kushtet për liberalizimin e vizave) e deklaron „të vdekur". Madje Ramush Haradinaj bën të ditur edhe rishqyrtimin e ujdive të arritura në dialogun me Prishtinës dhe Beogradit. Përfytyrimi se së shpejti në Bruksel Ramush Haradinaj dhe Ivica Daçiç (pasuesi i mundshëm i Vuçiç në postin e kryeministrit) do të duhej të takohen për një dialog konstruktiv në Bruksel u shkakton që tani netë pa gjumë autoriteteve në kryeqytetin europian. Edhe shanset për njohjen e Kosovës nga pesë vende të BE-së që e refuzojnë këtë, shtyhen në largësi të paditur.

Shansi i Gjykatës Speciale

Por ndoshta Gjykata Speciale, e gatshme për të filluar nga puna brenda pak javësh, do të ndihmojë për zbardhjen e krimeve të luftës gjatë konfliktit në Kosovë, për përballjen me të shkuarën dhe orientimin e vendit nga e ardhmja. Shumë po spekulohet, se edhe politikanë me poste (ende nuk ka publikisht emra) mund të përballen me këtë gjykatë. Ndoshta, prandaj presidenti Thaçi ka hedhur idenë e një komisioni të së vërtetës dhe pajtimit  - në thelb një ide e mirë. Por nëse me këtë nënkuptohet një përballje e vërtetë me të shkuarën, apo nëse Thaçi me këtë mbron veten nga ndonjë kërkesë për t'u paraqitur para  Gjykatës Speciale, kjo mbetet e hapur. Sigurimi i provave bëhet gjithnjë e më i vështirë. Se sa të rrezikuar janë dëshmitarët që mund të japin ose kanë dhënë dëshmi për ish-pjesëtarët e UÇK-së, e ka bërë publike gazetarja kosovare Serbeze Haxhiaj në një artikull të guximshëm.

E pikërisht guximi nevojitet në Kosovë, guximi për të folur hapur. Varfëria dhe mungesa e perspektivës së të rinjve janë shqetësuese. Deri më tani është përmbushur vetëm një çereku i kritereve të Stabilizim-Asociimit. Në vend nuk gjen dot punë, standartet e arsimit nuk i përgjigjen kohës, dhe shëndetësia është në gjendje katastrofike. Për të gjitha këto probleme zgjedhjet parlamentare dhe as qeveria e re nuk do të ofrojnë dot zgjidhje, nëse iu referohesh rezultateve të sondazheve. Ato do të ashpërsohen ndoshta edhe më shumë. E një fillim vërtet i ri ka pamje tjetër.

 

 

Dr. Johanna Deimel është zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore me qendër në Mynih dhe eksperte për Kosovën e Ballkanin.