1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas arrestimeve të turqve në Kosovë pasojnë shkarkime

Bekim Shehu
30 Mars 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, liroi nga përgjegjësitë, ministrin e Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, Flamur Sefaj dhe drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Driton Gashi.

https://p.dw.com/p/2vEav
Kosovo Sechs Gülen-Anhänger in die Türkei überstellt| Protest
Protesta të nxënësve pas arrestimit të gjashtë turqve të kolegjit Mehmet AkifFotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Këtë vendim, kryeministri i mori pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turqë të kolegjit "Mehmet Akif”. Kryeministri, Presidenti dhe kryetari i parlamentit thonë se nuk ishin fare në dijeni pë keto aksione.  "Në bazë të kompetencave kushtetuese, si kryeministër i Republikës së Kosovës kam kërkuar lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë(AKI), z. Driton Gashi dhe lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj. Operacioni i ndërprerjes së leje qëndrimit, i ndalimit, deportimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turqë nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ka ndodhur pa informimin e kryetarit të Qeverisë dhe pa lejen e tij”, thuhet në njoftimin publik të qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

"Dua edhe njëherë të potencoj se veprimet e djeshme në këtë rast ishin tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet tona si popull dhe si shtet”, thotë më tej në dokumentin e nënshkruar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Kosovo | Proteste gegen die Abschiebung türkischer Lehrer
Fotografi: picture-alliance/AP/V. Kryeziu

Tre udhëheqësit kryesorë të shtetit, Presidenti Hashim Thaçi, kryetari i kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, deklaruan se asnjëri nga ta nuk kishin dijeni fare për urdhrin e arrestimit të gjashtë shtetasve turq dhe deportimin e tyre për në Turqi.

Presidenti Thaçi tha se ai "nuk kishte pranuar ndonjë informacion për veprimet e Policisë dhe Inteligjencës”.

"E dënoi këtë veprim dhe jam i zhgënjyer për shkak se institucionet dështuan të mbrojnë parimet që ndërlidhen me të drejtat njerëzore të shtetasve të huaj, që jetojnë dhe punojnë në Kosovën tonë”, u shpreh Presidenti Hashim Thaçi.

Gjashtë shtetasit e Turqisë që u arrestuan dhe u depërtuan për në Turqi, ishin drejtues dhe mësues në kolegjet "Mehmet Akif”, institucion ky që vepron tash e disa vjet në Kosovë. 

Ndërkohë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës janë dëgjuar shumë kërkesa për përgjegjësinë e Presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj. Shefi i grupit parlamentar të LDK Avdullah Hoti tha se kjo parti do të kërkojë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse institucionet duhet të bartin përgjegjësinë për kë skandal me deportimin e shtetasve të Turqisë, pa respektimin në Kosovë të të drejtave të tyre. Vendimi është quajtur skandaloz edhe nga vet përfaqësuesit e isntitucioneve dhe të gjitha partitë politike.