1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Presidentja fton partitë politike për dialog

Bekim Shehu19 Tetor 2015

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, thotë se veprimet e dhunshme dhe diskursi si në institucione dhe jashtë tyre rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik në Kosovë. Prandaj ajoi fton liderët për dialog.

https://p.dw.com/p/1GqRZ
Atifete Jahjaga
Fotografi: DW/B. Shehu

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ftoi për dialog politik, partitë politike parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend, pas bllokadës tashmë disa javëshe të kuvendit të Kosovës, që po bëhet nga opozita. Kjo thirrje u realizua të hënën(19.10), pas konsultimeve që presidentja kishte me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetarin e kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në një konferencë për media, presidentja Jahjaga, tha se: "Veprimet e dhunshme dhe diskursi si në institucione dhe jashtë tyre i ditëve të fundit janë të papranueshme dhe rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik në Republikën e Kosovës". Prandaj për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend, presidentja tha se mandati i saj si Presidente e vendit është të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve dhe të shërbej si faktor uniteti, dhe mbi këtë bazë ajo tha se ka ftuar spektrin politik parlamentar të Kosovës për dialog për mospajtimet në këto javët e fundit. Takimet fillimisht do të bëhen të veçuara, ndërsa, më vonë synohet një tryezë e përbashkët.

"Shpresoj që kjo iniciativë e imja të ndihmojë që shqetësimet t'i adresojmë me pjekuri politike dhe duke dëshmuar angazhimin tonë që të jetësojmë përkushtimin tonë për një demokraci parlamentare që fuqizon institucionet, forcon besimin e qytetarëve në perspektivën e vendit të tyre dhe krijon pajtimin bazik për rrugën tonë përpara", tha presidentja Jahjaga.

"Tash më shumë se kurrë është momenti t'ua dëshmojmë të gjithë qytetarëve që na e kanë besuar udhëheqjen e këtij shteti, se dëshira e tyre për të jetuar në paqe, të kenë një ardhmëri të sigurtë për ta e për brezat e ardhshëm nuk është premtim që zbehet përballë sfidës së parë, por udhërrëfyes, obligim, besë e dhënë se dallimet tona, të çfarëdo natyre, i tejkalojmë në tryezë, duke biseduar, duke gjetur zgjidhje bashkërisht dhe duke marrë përgjegjësi për to", thotë presidentja Atifete Jahjaga.

Kryetarët e tri partive politike opozitare nga Lëvizja Vetëvendosje, (VV) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) dhe Nisma për Kosovën, duket se do t'i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentes, por në takim ata nuk do të shkojnë veç e veç.

Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, do të shkojnë së bashku nëpër këto takime, për faktin që ata tashmë në parlamentin e Kosovës po veprojnë si një bllok opozitar. "Duke pasur parasysh se kërkesat janë të përbashkëta, tre liderët e partive të opozitës do të shkojnë në takim te presidentja së bashku. Tashmë kemi të bëjmë me një opozitë të bashkuar, jo me parti të ndara politike", ka thënë anëtari i kryesisë së Nisma për Kosovën Bilall Sherifi.

Që në Kosovë të ketë dialog politik ndërmjet partive politike dhe jo bllokadë institucionale për këtë është angazhuar edhe një pjesë e madhe e shoqërisë civile. Mbi 10 organizata të shoqërisë civile, ditë më parë bënë deklaratë të përbashkët në mbështetje të dialogut politik për të adresuar zhvillimet e fundit në vend. Përfaqësuesit e shoqërisë civile u pritën nga presidentja Atifete Jahjaga, duke e përgëzuar atë për angazhimin e saj kushtetues për të lehtësuar dialogun politik me partitë politike parlamentare të Kosovës në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend duke theksuar se "thirrja e Presidentes për dialog politik është e vetmja mundësi për të tejkaluar zhvillimet e fundit".

Partitë politike opozitare nuk po lejojnë mbajtjen e seancave në parlamentin e Kosovës derisa, siç thonë, "kryeministri nuk tërheq nënshkrimet nga dy marrëveshje, ajo për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacioni në kufirin me Malin e Zi". Të dyja këto marrëveshje, opozita i cilëson të dëmshme për Kosovën, ndërsa, qeveria i cilëson marrëveshje që çojnë Kosovën drejt paqes dhe stabilitetit rajonal dhe në fund të fundit, detyrim ndërkombëtar për integrimin e Kosovës në strukturat e BE-së. Këto qëndrime ishin të "betonura", deri tash, ndërsa akoma nuk dihet nëse do të arrihet të çtensionohet gjendja politike pas takimeve që do të zhvillohen me presidenten e Kosovës. Se kur do të zhvillohen takimet p7r këtë ende nuk është njoftuar.