1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Presidenti dekreton gjyqtarët e prokurorët në veri

Bekim Shehu
24 Tetor 2017

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serb për veriun e Kosovës, shënon edhe fillimin e zbatimit të marrëveshjes së drejtësisë, e nënshkruar në vitin 2015, pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

https://p.dw.com/p/2mPBM
Die serbischen Richter und Staatsanwälte
Fotografi: Office of the President of Kosovo

Në praninë e shumë ambasadorëve perëndimorë dhe shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Presidenti i vendit Hashim Thaçi dekretoi 40 gjyqtar dhe 13 prokurorë, shumica e tyre serbë, që do të punojnë në veri të Kosovës. Me këtë dekretim shënohet edhe fillimi i zbatimit të marrëveshjes së drejtësisë për veriun e Kosovës, marrëveshje kjo e nënshkruar që shkurt të vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Presidenti Thaçi, në ceremoninë e dekretimit tha se "Gjyqtarët dhe prokurorët kanë rol të madh në jetën e qytetarëve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”.

"Kosova është ndërtuar mbi parimet kushtetuese të gjithëpërfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ. Kosova ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”, tha Thaçi, duke kërkuar nga gjyqtarët dhe prokurorët që do të punojnë në veri që të jenë profesional.

"Mirëpres gatishmërinë tuaj për t'u integruar në gjyqësorin e Kosovës dhe për të punuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Po ashtu, mirëpres gatishmërinë tuaj se funksionin e gjyqtarit, respektivisht të prokurorit, do ta ushtroni me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”, nënvizoi presidenti.

Dekretimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, shumica e tyre të përkatësisë serbe, ishte planifikuar për të premten e shkuar (13.10), por ata pa asnjë shpjegim nuk erdhën në Prishtinë për t'u dekretuar para Presidentit të Kosovës. Ky i fundit me këtë rast, akuzoi Beogradin zyrtar për pengimin, siç tha, të dekretimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, që do të punojnë në gjykatat e veriut të Kosovës.

"Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës”, pati thënë presidenti.

Po ashtu Thaçi ndërhyrjen e Serbisë, e cilësoi edhe si ”dështim dhe paaftësi” të Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi dhe ndërmjetësues në zbatimin e marrëveshjes për sistemin e drejtësisë.

Zyrtarë të qeverisë së Serbisë nga ana e tyre, patën thënë, se fillimi i zbatimit të marrëveshjes së drejtësisë në veri të Kosovës është arritje e Serbisë në bisedime me Kosovën. "Kjo është hera e parë që nga viti 1999 që do të kemi gjykatë me shumicë serbe dhe me kryetar serb në Mitrovicë dhe prokurori me shumicë serbe. Pres që kjo punë e madhe dhe e rëndësishme për popullin tonë serb në Kosovë të përmbyllet ashtu siç duhet”, citojnë mediet serbe shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqic, në gusht të këtij viti në praninë e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u pajtuan që në tetor të hyjë në fuqi marrëveshja për drejtësinë në veri të Kosovës. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në shkurt të vitit 2015, me të cilën parashihej shpërbërja e strukturave paralele serbe të drejtësisë.

Kosovo-Präsident Hashim Thaci beauftragt serbische Richter und Staatsanwälte
Fotografi: Office of the President of Kosovo

Sipas marrëveshjes për drejtësinë në veri, parashihet që Kryetari i Gjykatës themelore të jetë serb nga Mitrovica e veriut ndërkaq, kreprokurori do të jetë shqiptar i Kosovës. Do të ketë një Gjykatë Themelore dhe Zyrë për Prokurorinë Themelore, për gjithë rajonin e Mitrovicës, në të cilin përpos katër komunave me shumicë serbe, që janë Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zvecani dhe Zubin Potoku, bëjnë pjesë edhe Mitrovica Jugore, Skënderaj e Vushtrria. Për Gjykatën Themelore të Mitrovicës do të jenë në shfrytëzim disa godina në lokacione të ndryshme. Po ashtu parashihen katër departamente të Gjykatës Themelore, një në Zubin-Potok, në Leposaviq, në Vushtrri dhe në Skënderaj. Kjo gjykatë do ta ketë njësinë e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, të përbërë nga 5 gjykatës serbë dhe 2 gjykatës shqiptarë, si dhe Departamentin për Krime të rënda për tërë rajonin e Mitrovicës, që do të përfaqësohen nga 4 gjykatës. Kjo do të jetë pjesë e departamentit të përgjithshëm, që do të trajtojë të gjitha veprat penale për Mitrovicën e jugut dhe të veriut, si dhe Zveçanin. Në objektin e Gjykatës Themelore do të jetë edhe departamenti për të miturit, për gjithë rajonin e Mitrovicës. Në kuadër të gjykatës, në jug të Mitrovicës, marrëveshja parasheh nga 2 gjykatës serbë dhe 7 anëtarë serbë të administratës në Zubin-Potok dhe në Leposaviq.

Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia më 19 prill të vitit 2013 nënshkruan marrëveshjen për përmirësimin e raporteve dhe filluan dialogun ku u arritën në sërë marrëveshjes. Disa nga to janë zbatuar, ndërsa, disa të tjera akoma jo.

Në gusht të këtij viti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuqic, ranë dakord që Kosova dhe Serbia të hyjnë në një fazë të re, apo finale të dialogut, me të cilën parashihet përfundimisht përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të paqes.