1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Dështon marrëveshja pozitë-opozitë te Presidentja

Bekim Shehu8 Shkurt 2016

Një takimi i thirrur nga presidentja Atifete Jahjaga, i cili kishte për qëllim gjetjen e një zgjidhje politike në mënyrë që Kuvendi i Kosovës t’i kthehet normalitetit, përfundoi pa marrëveshje.

https://p.dw.com/p/1HraE
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Opozita tash e pesë muaj mban të bllokuar punën e kuvendit në Kosovë dhe blloku opozitar do të protestojë më 17 shkurt në tetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, për rrëzimin e qeverisë së Kosovës. Takimi i datës 08.02 ishte thirrur nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, dhe aty morën pjesë dy partnerët e koalicionit, Isa Mustafa kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i vendit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ministër i jashtëm, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në opozitë Ramush Haradinaj. Në takim ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë Craig Delawie dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar. Takimin te presidentja e refuzuan dy liderët tjerë të opozitës, Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje dhe Fatmir Limaj nga Nisma.

Opozita kërkon shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në takim te presidentja, ka “kërkuar shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja”. Po ashtu, Haradinaj tha se “ka kërkuar që presidenti i Kosovës të zgjedhet me votë të drejtpërdrejtë nga populli”. Mandati i presidentes Jahjaga përfundon me shtatë prill dhe në këtë fazë është jetike funksionimi i Kuvendit në mënyrë që të zgjedhet Presidenti i Kosovës.

“Kam kërkuar që menjëherë të shpërndahet parlamenti dhe vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza. Po ashtu kam kërkuar që presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë. Me ardhjen në takim, unë e kam shpreh vullnetin tonë të mirë edhe për të ndihmuar për të dalë nga kriza aktuale. Ju kam dhënë edhe propozimin dhe shpresoj që këta që ishin prezentë do të reflektojnë. Opozita mbetet e bashkuar dhe shihemi më 17 shkurt”, tha Ramush Haradinaj.

Kosovo Parlament Tränengas Polizei Pristina
Fotografi: picture-alliance/dpa/P.Prenaj

Shkaku i krizës, marrëveshja Kosovë-Serbi

Kriza politike në Kosovë nisi që nga nënshkrimi me 25 gusht të vitit të shkuar i marrëveshjes Kosovë-Serbi, për asociaciononin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Të dy këto marrëveshje u kundërshtuan nga opozita, ndërsa, mbroheshin nga qeveria e Kosovës. Së fundi kërkesa e opozitës për rrëzimin e qeverisë erdhi pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e cila konstatoi që në disa pika, “marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk ishte në frymën e Kushtetuetës së Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit te presidentja, nuk foli për ndonjë zgjidhje politike të krizës, por ai kërkoi nga opozita që të ndalë dhunën në mënyrë që vendi të mund të ecë përpara me zbatimin e rekomandimeve evropiane që në këtë fazë janë liberalizimi i vizave dhe implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

“Unë jam i bindur në legjitimitetin dhe legalitetin e plotë të institucioneve të Kosovës në përgjegjësinë që ato kanë, me votën që e kanë marrë nga qytetarët dhe ne do të vazhdojmë të punojmë dhe po ashtu i bëjmë ftesë opozitës që ajo të vijë në parlament dhe që përmes debatit parlamentar, ne të shtojmë demokracinë dhe të punojmë për të mirë të Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, nga ana e tij tha se partitë politike në pozitë dhe opozitë duhet t'i tejkalojnë dallimet dhe këtë duhet ta bëjnë për hir të interesit shtetëror të Kosovës. “I kemi ofruar AAK-së që të merr pjesë në komisionet e përbashkëta në hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të jap ekspertët e vet në komisionin vendor-ndërkombëtar në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi”, tha Hashim Thaci, duke shtuar se lideri i AAK, Ramush Haradinaj, këto dy tema nuk i ka ngritur fare si shqetësim në takim te presidentja. Sipas Hashim Thaçit, “Ramush Haradinaj, ishte i përqendruar në çështjen e marrjes së pushtetit”.

Thirrje nga bashkësia ndërkombëtare

Përfaqësuesit ndërkombëtare që morën pjesë në takim te presidentja, Ambasadori amerikan Creg Delawie dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar, gjatë periudhës së krizës politike vazhdimisht i bëjnë thirrje partive në opozitë që të kthehen në kuvendin e Kosovës dhe me argumente të arsyetojnë qëndrimet e tyre.

Pas takimit te presidentja, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar, në një komunikatë për media, thotë se “stabiliteti politik është një parakusht për zhvillimin ekonomik, liberalizimin e vizave, procesin e normalizimit, si dhe zbatimin e reformave evropiane dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.

“Ne inkurajojmë Presidenten dhe liderët politikë të vazhdojnë bisedimet deri sa të gjendet një zgjidhje, një zgjidhje e Kosovës për popullin e Kosovës. BE-ja është e gatshme për të mbështetur këtë proces më tutje”, thote Samuell Zhbogar.