1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Dënohen sulmet ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së

Bekim Shehu
7 Qershor 2018

Javët e fundit janë shënuar disa sulme mbi pronat e pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Qeveria e ndërkombëtarët i kanë dënuar sulmet, ndërsa Lista Srpska paralajmëron konsultime me presidentin Vuçiq.

https://p.dw.com/p/2z4jj
Kosovo - Newborn-Monument in Pristina
Fotografi: DW/E. Bytyqi

Disa sulme janë kryer javët e fundit mbi pronat e serbëve të Kosovës, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Sulmi i fundit ndodhi në fillim të kësaj jave në fshatin Zupç të Komunës së Zubin Potokut në veri të Kosovës, pjesë kjo e banuar me shumicë serbe. Një pjesëtari serb të FSK-së iu dogj vetura. Në mediet e Prishtinës këto sulme po interpretohen si një formë e presionit për të penguar përfshirjen e serbëve në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Policia thotë se rastet janë në hetim, por akoma nuk i di autorët e sulmeve që duken të koordinuara.

Qeveria e Kosovës e shqetësuar

Për qeverinë e Kosovës këto sulme janë të papranueshme dhe ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. "Qeveria e Republikës së Kosovës është e shqetësuar dhe dënon incidentet e fundit që kanë motive ndëretnike dhe të cilat ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Qeveria e Kosovës kërkon nga organet kompetente që sa më shpejt të ndriçojnë arsyet dhe motivet e këtyre rasteve të ulëta dhe autorët e tyre të dalin përpara drejtësisë. Rastet e tilla kanë për synim të pengojnë përpjekjet e institucioneve për ndërtimin e një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

FSK-Soldaten
Fotografi: DW

Në fillim të këtij viti, persona të panjohur shpërndanë pamflete në veri të Kosovës duke paralajmëruar serbët që mos të përfshihen në Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila ka për synim të jetë ushtria e Kosovës. Dy pjesëtarë të FSK-së në dy raste të ndara u arrestuan në Serbi derisa ishin duke udhëtuar në shtetin fqinjë.

Delawie: Sulmet dëmtojnë qëllimet e Kosovës

Të gjitha këto raste dhe ato të sulmeve të fundit e kanë shqetësuar edhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i cili pas një takimi që zhvilloi për këtë çështje me kryeministrin Ramush Haradinaj, tha se "qeveria duhet t'i adresojnë në mënyrë adekuate të gjitha rastet e sulmeve ndaj pjesëtarëve të komunitetit pakicë në Kosovë”.

"Kosova është një shoqëri multietnike dhe varet nga çdo person që të bëjë më të mirën për të jetuar me fqinjët e tyre. Çdokush ka përgjegjësi për të jetuar në paqe me fqinjët e tij. Unë kërkoj që njerëzit të mos lejojnë që retorika nga qarqet e tjera t'i nxisë në sjellje negative apo edhe kriminale. Kjo vetëm se e lëndon Kosovën dhe i dëmton qëllimet e saj për të ardhmen e secilit qytetar të Kosovës”, citojnë mediet lokale ambasadorin amerikan, Greg Delawie.

Lista Srpska konsultohet me Vuçiqin

Të shqetësuar me këto sulme "që duken si të koordinuara”, mbi pronat e disa serbëve pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë shprehur edhe përfaqësuesit e listës "Srpska”, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, mirëpo që tash e një kohë nuk po merr pjesë në mbledhjet e qeverisë. Goran Rakiq, kryetari i këtij subjekti politik, thotë se "institucionet e Kosovës po tregohen pasive karshi sulmeve të fundit ndaj serbëve në të gjithë territorin e Kosovës”, prandaj sipas tij, ata do të konsultohen me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq.

Kosovo Parlament Misstrauensvotum
Fotografi: Getty Images/AFP

"Sulmet e fundit ndaj serbëve dhe pronave të tyre në territorin e Kosovës, edhe ndaj fëmijëve dhe grave, pasiviteti i institucioneve të Kosovës, mosndëshkimi i krimit dhe sjellja injoruese ndaj tyre, na kanë shtyrë që të fillojmë konsultimet me shtetin tonë dhe me presidentin Vuçiq”, citojnë mediet lokale serbe Goran Rakicin. Lista Srpska që në Kuvendin e Kosovës ka 10 deputetë, qe deklaruar se largohet nga qeveria pas arrestimit nga policia për hyrje ilegale në Kosovë, të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Sipas medieve në Serbi, Gjuriq pati kërcënuar të gjithë serbët që duan të bëhen pjesë e ushtrisë së Kosovës. "Serbët të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës, por të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe të merren me sigurinë e serbëve në Kosovë”, pati thënë Marko Gjuriq, duke e cilësuar formimin e ushtrisë së Kosovës si një "formacion ilegal”, në të cilin sipas tij, qytetarët serb nuk do të duhej të merrnin pjesë.

Aktualisht 10 % e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) përbëhet nga pjesëtarët e komuniteteve pakicë, ndërsa, 2 për qind e kësaj force, përbëhet nga pjesëtarët e komunitetit serb të Kosovës.