1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovarët të vetmit në rajon me regjim të vizave

Kosova ka filluar dialogun për liberalizimin e vizave dhe ajo së shpejti do të marrë udhërrëfyesin me kriteret që duhet përmbushur. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon të cilët i nënshtrohen regjimit të vizave

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Moti me borë e sqotë dhe rrugët e rrëpirëta të Arbërisë, lagje kodrinore në perëndim të Prishtinës në të cilën gjenden disa prej ambasadave të huaja në Kosovë, as sot nuk ishin pengesë për qytetarët të cilët kishin ardhur nga anë të ndryshme për të vazhduar procedurën për marrjen e vizave. Ndër ta është edhe Isak Rexha, 68 vjeç nga Ponasheci i komunës së Gjakovës, i cila ka kaluar 120 kilometra me shpresën se sot do të marrë vizën për Gjermani. “Po du me shku te dhëndërri. Kjo është hera e tretë, një herë për termin, një herë me i dorzu dokumentet dhe sot e pres përgjegjen. Kjo na mori n´qafë si po duhet me u end. 60 euro veç benzin m´kanë shku e mandej edhe dokumentet: çertifikatë e lindjes, e martesës, e familjes, tatimi në pronë. E n´fund, a ma japin-a s´ma japin?!”, thotë z.Rexhaj, të cilin e gjejmë në një kafene pranë ambasadës teksa pret orën 14-të për të marr përgjegjen për vizën.

Në borë e në vapë në pritje për marrjen e vizave

Rruga ku ndodhet ambasada gjermane në Prishtinë

Rruga në të cilën ndodhet ambasada gjermane në Prishtinë

Sipas Zyrës së Shtypit të Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, me seli në Berlin: “Dokumentet të cilat duhet kompletuar secili aplikant për vizë drejt Gjermanisë janë jo vetëm të dhënat e qëllimit të udhëtimit, por buxheti i mjaftueshëm për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe të jetesës, si dhe gatishmërinë për të lënë territorin e shteteve të Shengen-it para skadimit të vlefshmërisë së vizës”. Ismet Kryeziu, 39 vjeçar, taksist nga Kamenica, qe disa herë kalon rrugën 60 kilometërshe, me dëshirën që ta vizitoj motrën në Gjermani. Por, duke pasur parasysh moshën e tij, ai është i përgatitur edhe për refuzimin e vizës nga ambasada gjermane, në oborrin e së cilës tash po pret në radhë. “Paj, edhepse këtu ish problem ta marr vizën. Jam ardhë qe tri-katër herë se m´u deshën disa dokumente. Ato që u deshën i bëra gati, motra atje i plotëson kushtet edhe unë punoj këtu qe 18-të vjet e shpresoj më lëshojnë vizën. Po, nëse jo, unë kthehem e kurrgja kurrkujt. Jo, nuk provoj më, se shpenzime, e larg e ftohtë”, thotë z.Kryeziu.

Procedura dhe kostoja e udhëtimeve problem shtesë për qytetarët

Në foto, Ismet Kryeziu

Në foto, Ismet Kryeziu

Procedura e gjatë e regjimit të vizave dhe kostoja e shumëfishtë për sigurimin e dokumenteve dhe udhëtimet, janë arsye e mjaftueshme që shumica e qytetarëve të Kosovës të mos provojnë të udhëtojnë jashtë shtetit. Artani 32 vjeçar, megjithëse i ri, po për këto arsye nuk ka provuar të vizitojë vëllezër e motra të shkapërderdhur nëpër disa shtete të Evropës. “Jo,asnjëherë nuk kam qenë diku tjetër, veç n´Turqi e n´Shqipëri, se s´po na i japin vizat. Para tri vjetëve kam provu për Zvicër e s´ma kanë dhanë. Pas kësaj s´kam provuar ma se edhe po shpenzojmë, edhe s´po na i japin vizat. Keq për ne...”, thotë Artani. Përderisa, Hyseni, 40 vjeçar, pas një tentimi të kotë për të udhëtuar për në Amerikë, s´ka provuar më kurrë. “Kam provu me udhtu n´Amerikë, s´ma kanë dhanë vizën. E ma s´kam provu. Ma mire o konë me ba liberalizimin e vizave. Atëherë i kisha vizitu vllaznit e mi, dy n´Francë, një në Itali e një në Gjermani. Edhe kisha punu ndoshta...”, thotë Hyseni, i cili sa po kthehet nga ambasada italiane ku kishte qenë me një të afërm të tij.

Qytetarët e Kosovës ndjehen të izoluar

Në foto, Isak Rexha

Në foto, Isak Rexha

Kosova, me 19 janar të këtij viti filloi zyrtarisht me BE-në dialogun për liberalizimin e vizave. Por, edhepse ka plotësuar shumë kushte, edhe shumë të tjera duhet plotësuar. Dhe kjo kërkon kohë. Ndërsa qytetarët e Kosovës ndjehen të izoluar dhe të diskriminuar karshi fqinjve të shteteve të rajonit.

”Se çdo qytetar ka të drejt të jetojë i lirë e të lëviz kah të dojë. Kështu ka qënë edhe para lufte. Pra, kemi qenë të lirë edhepse nuk kemi plotësu kurrfarë kushtesh...”, mendon z. Kryeziu. Sipas Artanit, liberalizimi i vizave do të ndryshonte shumëçka. “Do t´shkoja t´vizitoja vëllaun, motrën e tetanë në Zvicër e Gjermani. Ishalla don Zoti sa ma shpejt bëhet liberalizimi, edhepse një herë s´po dihet kurrgja...”.

Për 68 vjeçarin Rexhaj do t´ishte një gëzim i madh dhe mundësi e mirë që festat t´i kalojë së bashku me të bijën në Gjermani. “Veç e kisha nxjerr biletën e kisha shku. Ma s´shumti verës e n´festa, se dalim me shetit”. Përderisa, mesazhi i z. Kyeziu është që: “Mos t´na vonojnë kaq shumë se boll kena vujt. Le t´na lënë të lirë, se asnjë popull n´botë s´është e drejt të izolohet”.

Kosova ka filluar dialogun për liberalizimin e vizave

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor i cili i nënshtrohet regjimit të vizave. Pas hapjes së dialogut për viza me Kosovën pritet udhërrëfyesi me kushtet që Kosova duhet plotësuar, si: siguria e dokumenteve, lufta kundër emigrimit, sigurimi i rendit dhe ligjit dhe i sigurisë publike, mbrojtja e pakicave, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar. Deri në përmbushjen e këtyre kërkesave, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të mblidhen para dyerve të ambasadave me shpresën që si evropianët më të rinj së shpejti të mund të lëvizin lirshëm si çdo qytetar tjetër në botën e qytetëruar.

Autore: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Esat Ahmeti