1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovarët me pasaporta bullgare

Boshnjakët dhe goranët e rajonit të Prizrenit po interesohen gjithnjë e më shumë për pasaporta bullgare. Ndonëse në Kosovë nuk ka zyrtarisht një minoritet bullgar, në këtë rajon janë krijuar dhe shoqata të bullgarëve.

Pamje nga Prizreni

Pamje nga Prizreni

Fatima Rexhoviq nga rrethi i Prizrenit ka përfunduar para tre vitesh fakultetin e mjeksisë në Sarajevë por në Kosovë nuk mund të gjejë punë. Asaj ende nuk i është njohur diploma dhe nuk mund të konkurrojë për ndonjë vend pune si mjeke. Ndërkohë që, sipas saj, me rastin e konkurseve përfaqësuesit e minoriteteve nuk kanë ndonjë përparësi. Pasi që Bullgaria është anëtare e BE-së dhe ofron pajisjen e shpejtë me pasaportën e këtij vendi, ajo mendon se në këtë mënyrë mund të zgjidhë problemet e saj. „Unë kam pasaportë serbe por nuk mund të bëj asgjë me këtë dokument. Kam pyetur dhe kam konstatuar se zgjidhja më e mirë do të ishte të marr pasaportë bullgare e cila do të më ndihmonte të gjej ndonjë vend pune. Kam dëgjuar se Gjermania kërkon mjekë. Nëse e marr pasaportën bullgare nuk do të kthehem më kurrë këtu“, thotë Rexhoviq.

Përçarjet e mëtejme të boshnjakëve

Me praninë e përfaqësuesve të ambasadës bullgare nga Prishtina dhe të Agjencisë shtetërore për çështjet e bullgarëve jashtë vendit në Prizren para dy muajve është krijuar edhe një shoqatë e bullgarëve në Kosovë. Zyrtarisht nuk pranohet se ka dukuri të tilla, por jozyrtarisht merret vesh se për gjoja anëtarësim në këtë shoqatë mblidhen dokumentet e personave të interesuar për pasaportë bullgare dhe ata e marrin këtë dokument me procedurë të shkurtuar - brenda një viti.

Përfaqësuesit e boshnjakëve kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë fenomen. Disa prej tyre e konsiderojnë këtë si një përpjekje për përçarje dhe ndarje të mëtutjeshme të bashkësisë së tyre dhe krijimin e një bashkësie të re bullgare. Ndaj kanë apeluar tek përfaqësuesit e BE-së që të ndalin këtë dukuri.

Në anën tjetër ish-ministri i Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës Sadik Idriz e sheh mundësinë e marrjes së pasaporave bullgare si një rrugë për "zgjidhjen e problemeve ekonomike". Me pasaportë bullgare ata mund të gjejnë punë në ndonjë prej vendeve të BE-së dhe në këtë mënyrë zgjidhin problemet e tyre ekonomike. Unë i kuptoj plotësisht këta njerëz, thotë Idriz duke shtuar se "shumë prej këtyre njerëzve kanë humbur pasuritë e tyre në ish - Jugosllavi dhe në Kosovë".

Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet

As Petrit Selimi, zëvendësministër në ministrinë e Jashtme të Kosovës, nuk mendon se situata është dramatike. "Gjërat që bëhen në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet nuk paraqesin ndonjë përzierje në punët e brendshme të Kosovës", thotë ai. Të gjithë përfaqësuesit e minoriteteve që kanë dyshtetësi mund të shfrytëzojnë të drejtat e tyre. Por Selimi është i bindur se edhe pasaporta e Kosovës brenda disa vitesh do të ketë të njëjtën vlerë si të gjitha pasaportat e zonës së Shengenit. Kjo ndoshta do të zgjasë edhe disa vite por do të ndodhë, mendon ai.

Autoritetet kanë mendime të ndryshme ndërkohë që gati çdo ditë qatetarët e Kosovës shkojnë me autobusë apo me ndonjë automjet tjetër në Sofje për të kërkuar pasaporta bullgare. Shumë prej tyre e kanë marrë këtë dokument, sepse procedura e dhënies së pasaportës është shkurtuar nga pesë në një vit.

Autor: Refki Alija / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti