1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovarët kërkojnë të shtojnë lirinë e lëvizjes me pasaportat serbe

Edhe pse i kanë pasaportat e Kosovës, shumë kosovarë po kërkojnë pasaporta të vendeve të rajonit, për shkak të udhëtimit më të lehtë në botën e jashtme. Tani kërkohen pasaportat biometrike të Serbisë.

Për pasaportat biometrike të Serbisë, paguhet deri në 3000 euro.

Për pasaportat biometrike të Serbisë, paguhet deri në 3000 euro.

Megjithëse kanë pasaportat e vendit të tyre, disa qytetarë të Kosovës preferojnë të marrin pasaporta nga vendet e tjera të rajonit, për shkak të lëvizjeve më të lirshme në vendet e tjera. Pas liberalizimit të vizave, kërkohen më shumë pasaportat biometrike të Serbisë, për të cilat paguhet deri në 3000 euro.

Këtë punë e bëjnë kryesisht personat me lidhje të mira në qytetet e Serbisë, ku jepen dokumentet për qytetarët e Kosovës, sepse shumica e kosovarëve nuk mund të udhëtojnë në Serbi. Këto lloj shërbimesh ofrojnë edhe disa agjensi udhëtimesh. Në disa media në Kosovë është njoftuar se disa prej tyre kanë ofruar edhe pasaporta të Guajanës apo dhe Namibisë, të cilat kanë kushtuar gjashtë deri në dhjetë mijë euro. Me dokumentat e këtyre vendeve qytetarët mund të udhëtojnë pa problem në Evropë, Kanada dhe në SHBA.

„Policia e Kosovës është e gatshme të luftojë dukuritë negative, në këtë rast edhe disa dukuri të paligjshme për sigurimin e dokumentave dhe vizave me të cilat janë marrë disa kompani. Policia e Kosovës ka ndërmarrë edhe masa konkrete në luftën kundër këtyre dukurive ilegale. Hetimet po vazhdojnë dhe ne presim rezultatet", thotë zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Me pasaportat e Kosovës, lëvizjet janë të kufizuara.

Me pasaportat e Kosovës, lëvizjet janë të kufizuara.

Papunësia detyron njerëzit të largohen

Shumica e qytetarëve të Kosovës gjenden në një situatë jo të lakmueshme, sepse po luftojnë për të mbijetuar. Ndërkohë që korrupsioni po lulëzon, madje edhe në disa prej institucioneve më të larta të shtetit. Ata detyrohen të kërkojnë ndonjë zgjidhje për veten dhe familjen. „Nuk kam pasaportë serbe, por më duhet, sepse dua të gjejë ndonjë burim më të mirë financiar. Këtu s'ka punë," thotë Sadik Kryeziu. Ndërsa Damir Elezoviq pohon: „Nuk punoj askund dhe jam baba i dy fëmijëve. Më duhet të shes tokë, për të siguruar deri në një mijë euro, për të blerë një pasaportë serbe të shkojë diku në Përëndim dhe të fitojë para për të ushqyer familjen, sepse këtu nuk ka punë," pohon ai.

Natyrisht që ka dhe të tillë të cilët nuk duan të blejnë dokumenta të ndonjë vendi tjetër. Ndër ta është edhe Alban Gashi i cili thotë: "E kam pasportën e Kosovës dhe nuk më intereson pasaporta e Serbisë".

Jo të gjithë mund të blejnë pasaportë të huaj

Syl Hoxha, avokat dhe ish-zëvendësministër i Drejtësisë pohon se kosovarët i kanë pasaportat e tyre. Ndërsa ata të cilët ilegalisht shesin pasaporta duhet të dënohen me ligj. Hoxha thekson se jo vetëm ata që shesin, por edhe ata që blejnë pasaporta ilegale, kërcënohen me sanksione ligjore.„Ata persona që shkojnë për pasaporta jashtë Kosovës, pa marrë parasysh se në cilin vend shkojnë, duhet të përgjigjen për vepra penale. Kjo është e ndaluar me Ligjin Kushtetues të Kosovës, që është në fuqi", thekson Hoxha.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë rreth 46 për qind e qytetarëve janë të papunë, ndërsa rreth 40 për qind jetojnë në varfëri, prej tyre 15 për qind në varfëri të skajshme. Rrogat mesatare në Kosovë janë rreth 200 euro, ndërkohë që çdo vit shkollën e mesme e përfundojnë rreth 30.000 nxënës. Rreth 10.000 prej tyre regjistrojnë fakultete, ndërsa 15.000 prej tyre paraparaqiten në Entin për punësim.

Autor: Refki Alija

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 27.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mfdv
  • Data 27.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mfdv