1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova vend i mundshëm tranzit për refugjatët? Daçiç mbi krizën e refugjatëve

BE duhet të jetë e bashkuar në krizën e refugjatëve kërkon ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç në intervistë me DW. 600.000 emigrantë kaluan përmes Serbisë në vitin 2015, thekson ai në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Serbien Premierminister Ivica Dacic PK Pressekonferenz EU Rat Brüssel Belgien 21.1.2014

Ivica Daçiç

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç në intervistë me Deutsche Welle-n thekson rëndësinë e veprimit të unifikuar të Bashkimit Europian për përballimin e krizës së refugjatëve. Në rast se Austria mbyll kufijtë për refugjatët edhe Serbia do të jetë e detyruar të ndryshojë politikat e saj, thotë ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç.

Serbia është një nga vendet ku refugjatët kalojnë tranzit në itinerarin e Ballkanit dhe deri më tani sipas ministrit Daçiç "ne kemi një qëndrim mjaft konstruktiv, për të cilin kemi marrë reagime pozitive nga e gjithë bota, Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara. Më duhet të theksoj se vetëm në vitin 2015 ne kemi pasur 600.000 emigrantë që kanë kaluar përmes Serbisë dhe ajo që është shqetësuese për ne është mungesa e një qëndrimi të unifikuar të BE-së."

Deutschland München Sicherheitskonferenz Interview Ivica Dacic

Adelheid Feilcke, drejtuesja e departamentit të Europës e Ballkanit Perëndimor interviston ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç

Serbia pret

Ministri i Jashtëm serb, Daçiç përmend kufizimin që ka vënë Austria në pranimin e një numri të caktuar refugjatësh, deri në 37.500 vetë në vit. Sipas tij Serbia po pret si do të veprojnë më tej Austria e vendet e fqinje. "Ne do të shohim si do të veprojë Austria, nëse do t'i mbyllë kufijtë, pastaj nëse e kemi këtë rast, atëherë si do të veprojnë Sllovenia dhe Kroacia, sepse nëse këto vende e mbyllin kufirin, ne jemi të detyruar të bëjmë të njëjtën gjë, pra të mbyllim kufijtë. Nuk kemi mundësi të mbajmë të gjithë këta njerëz në Serbi."

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka përmendur Kosovën si një nga vendet ku mund të kalojnë tranzit ose ku mund të qëndrojnë refugjatët. Pyetjes së Deutsche Welles për ta saktësuar këtë, Daçiç i përgjigjet se ky "është një fenomen i çuditshëm- që refugjatët nuk kanë vendosur ndryshe e nuk kanë dashur të ndryshojnë itinerar që në fillim. Ata nuk kanë vendosur të kalojnë përmes Kosovës, dhe një nga arsyet pse, është se Serbia u ka ofruar atyre gjithmonë dorën e ndihmës. Se çfarë do të ndodhë në të ardhmen këtë nuk mund ta thotë kush. Por tani duhet pritur, nëse kufijtë do të mbyllën dhe se si do të veprojnë të tjerët. Ajo që është e rëndësishmë është të mos krijojmë probleme të tjera jo vetëm për Bashkimin Europian, por edhe për vendet e Ballkanit", shprehet ministri i Jashtëm serb.

Daçiç: Serbia shembull konstruktiv

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç në intervistë me Deutsche Welle prek edhe çështjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare këtë pranverë dhe rolin e mundëshm që mund të luajë kriza e refugjatëve në këtë çështje? "Për fat të keq mbyllja e kufijve mund të përkojë në të njëjtën kohë me zgjedhjet e parakohshme. Evidente është që ne nuk e kemi keqpërdorur krizën e refugjatëve dhe të migrantëve për avantazhin tonë- Qeveria e koalicionit dhe partitë që janë në pushtet nuk kanë bërë asnjë tentativë që mund të cilësohej populiste. Ne përpiqemi të jemi shumë konstruktiv. Ne ndjekim zhvillimet dhe çdo gjë që po bën Gjermania në qëndrimin e saj shumë konstruktiv. Kështu ne po përpiqemi të ndjekim këtë shembull. Dhe besoj se do të bëjmë të njëjtën gjë në të ardhmen. Jam i sigurtë se Serbia do të vazhdojë të ketë një qëndrim mjaft human edhe në të ardhmen", thekson ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç në intervistën për Deutsche Wellen.