1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova uron Angela Merkelin

Bekim Shehu
25 Shtator 2017

Politikanët drejtues në Kosovë rizgjedhjen e Angela Merkelit për një mandat të katërt e konsiderojnë si një fitore, që forcon Europën dhe gjasat e integrimit të Kosovës e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

https://p.dw.com/p/2kgOW
Deutschland Bundestagswahl CDU Merkel PK
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Politika dhe mediet në Kosovë i kanë kushtuar një vëmedje të shtuar zgjedhjeve të së dielës (24.09)në Gjermani, duke përcjellë me edicione të veçanta ditën e zgjedhjeve dhe rezultatet e tyre në mbrëmje. Fitorja edhe për një mandat e Angela Merkelit, u komentua në media me tituj nga më të ndryshmet: "Zonja e hekurt", "Fitorja e Merkelit, shpresë për Europën". Ambasada gjermane në Prishtinë ftoi përfaqësues të medieve dhe të shoqërisë civile të dielën(24.09) pasdite në një mbrëmje me lidhje të drejtpërdrejta me Gjermaninë në pritje të rezultatit të zgjedhjeve.

Fitorja e CDU-së së kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, e ka gëzuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duke e uruar kancelaren e Gjermanisë, thotë se fitorja e CDU-së e forcon Europën. "Urime kancelares Merkel për mandatin e ri. Kjo është një fitore që e forcon Europën dhe forcon gjasat e integrimit të Kosovës dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor", shkruan presidenti Thaçi në urimin e tij. Në të njejtën linjë u shpreh edhe kryetari i kuvendit Kadri Veseli, ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj duke i dërguar letër urimi kancelares gjermane Angela Merkel, e lavdëron atë për siç thotë lidership të qëndrueshëm dhe të fuqishëm. "Uroj kancelaren për lidership të qendrueshëm dhe të fuqishëm, si dhe për rolin e rëndësishëm që ka ajo dhe qeveria gjermane në mbështetjen e perspektivës politike dhe ekonomike të Kosovës. Republika e Kosovës dhe Republika Federale e Gjermanisë kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe dëshiroj të rikonfirmoj përkushtimin e qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit, që tashmë ekziston ndërmjet dy vendeve tona. Gjermania gjithmonë ka qenë një mbështetëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës dhe agjendës së saj për integrime Europiane", shkruan kryeministri i Kosovës në telegramin e urimit, dërguar kancelares Angela Merkel.

Në anën tjetër, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, partia e të cilit është pjesë e Partive Popullore Europiane, ku bën pjesë edhe CDU-ja gjermane, thotë, se "Kosova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë krenare për fitoren e partnerëve të tyre në kuadër të familjes së Partive Popullore Evropiane. "Urime për CDU-në dhe kancelares Merkel për fitoren në zgjedhjet gjermane. Kosova dhe LDK-ja janë krenarë për suksesin e partnerëve të EPP-së", ka shkruar lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Gjermania që nga përfundimi i luftës në Kosovë ka ndihmuar me mbi gjysmë miliardë Euro. Ndihmat kanë qenë kryesisht në sektorin e përmirësimit të infrastrukturës së ujërave dhe ne sektorin e edukimit dhe të kulturës. Në kuadër të forcave paqeruajtëse KFOR, Gjermania ka kontigjentin më të madh të ushtarëve.