1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Kosova të mbetet nën Serbi'

Bekim Shehu18 Dhjetor 2007

Serbët e Kosovës gjatë një tubimi të zhvilluar në veri të Mitrovicës, kërkuan që Kosova të mbetet nën Serbi dhe u shprehën kundër vendosjes së misionit të BE-së në Kosovë. Organet e rendit thonë se protesta kaloi e qetë

https://p.dw.com/p/CdNQ
Familja serbe Peric nga fshati verior i Kosovës, Gojbulje
Familja serbe Peric nga fshati verior i Kosovës, GojbuljeFotografi: dpa

Mbi 2 mijë pjesëtarë të komunitetit serb u mblodhën në pjesën veriore të Mitrovicës, për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës. Ky tubim u zhvillua një ditë para mbajtjes së seancës së Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet raporti i trojkës së Grupit të Kontaktit mbi rrjedhën e procesit negociator për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Motoja e protestës ishte "Jo Kosovës së pavarur dhe jo misionit BE-së në Kosovë". Kryetari i Këshillit Kombëtar të serbëve të Kosovës, Milan Ivanoviç, tha se protesta e tyre dërgon mesazhin për të mbetur qytetarë të Serbisë dhe që Kosova të mbetet pjesë e saj:

"Kosova është themeli i Serbisë, Kosova është piemont i Serbisë dhe Jeruzalem i saj. Pa Kosovë nuk ka shtet të Serbisë dhe poashtu nuk ka popull serb. Për këtë arsye Kosova duhet të mbetet në Serbi",

u shpreh, Milan Ivanoviç. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës nga ana e tyre, disa herë janë shprehur se Kosova nuk mund të mbetet nën Serbi, ndërsa thonë se shumë shpejt do të ecin drejt shpalljes së pavarësisë duke kërkuar njohje ndërkombëtare. Tubimi i pjesëtarëve të komunitetit serb kundër pavarësisë që u mbajt në veri të Mitrovicës kaloi i qetë dhe organet e rendit thonë se nuk është shënuar ndonjë incident.