1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova si shembull për njohjen e Osetisë Jugore dhe Abkazisë? -

Presidenti rus Medvedev i referohet Kosovës për të justifikuar njohjen e Osetisë Jugore dhe Abkazisë. Ky argument nuk qëndron mendojnë ekspertët e politikës së jashtme dhe së drejtës ndërkombëtare.

Statuja e Perëndeshës së Drejtësisë në Frankfurt/Main

Statuja e Perëndeshës së Drejtësisë në Frankfurt/Main

"Së shpejti do të fillojmë marrëdhënie të plota diplomatike me shtetin e ri kosovar."

Kështu shprehej më 17 shkurt 2008 presidenti i SHBA Xhorxh W. Bush. Ashtu si SHBA edhe 20 nga 27 anëtarët e BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Edhe Gjermania ishte angazhuar gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë për pavarësinë e republikave jugosllave. Gjermania ishte shteti i parë që në vitin 1991 njohu pavarësinë e Sllovenisë, ngjashëm ndodhi pak vjet më vonë me Kroacinë.

Tani Perëndimit i duhet sërisht të reagojë ndaj përpjekjeve për pavarësi të republikave apo rajoneve që kërkojnë shpëputje në rradhët e fqinjve. Kjo për shkak të njohjes nga Rusia të Osetisë Jugore dhe Abkazisë të cilat ka kohë që kërkojnë të shkëputen prej Gjeorgjisë. BE-ja, Nato-ja por edhe Gjermania e refuzojnë kategorikisht këtë hap të Moskës.

A mos flet pra BE-ja me një gjuhë të dyfishtë apo rastet e Kosovës dhe Osetisë Jugore nuk janë të krahasueshëm? Rupreht Polenc, kryetar i komisonit për politikën e jashtme në parlamentin gjerman thotë krejt qartë: dy rastet nuk janë të krahasueshëm:

"Politika e apartejdit dhe dhuna e ushtruar nga Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë nuk ka asnjë paralele me konfliktin mes osetëve dhe gjeorgjianëve."

Politikanë europianë si Polenc, por edhe presidenti rus Dimitri Medvedjev, megjithë pozicionet e kundërta, i referohen së drejtës ndërkombëtare. Sipas saj, integriteti territorial ka një vlerë shumë të lartë. Një pakicë nuk ka të drejtë të shkëputet nga një shtet për të formuar një shtet të vetin, shpjegon eksperti i së drejtës ndërkombëtare nga universiteti i Kiel-it, Thomas Giegerich:

"Arsyeja është se shumë shtete në botë kanë një ose disa pakica kombëtare brenda kufijve të tyre. Nëse do të njihej një e drejtë e përgjithshme secesioni, i gjithë rendi botëror do të prishej."

Por ka edhe përjashtime. Nëse një pakicë etnike dëbohet nga shumica apo nëse qeveria përpiqet t'a eliminojë atë, kjo pakicë mund të shkëputet. Por kur konsiderohen të plotësuara kushtet për këtë rast ekstrem? Edhe në rastin e Abkazisë presidenti i Rusisë pretendon se Gjeorgjia është fajtore për gjenocid në Osetinë Jugore.

Informacione të pavarura është e vështirë të merren, thotë eksperti i së drejtës ndërkombëtare Giegerich:

"Unë nuk kam informacione që kjo të jetë e mbështetur në fakte të mjaftueshme. Për këtë arsye këtë pretendim e shoh me skepticizëm."

Në Kosovë situata është një tjetër: në vitin 1998 qeveria serbe nisi një fushatë dëbimi, më shumë se 200.000 kosovarë u detyruan të largohen nga trojet e tyre.

"Atëherë Perëndimi mendonte se ajo fushatë dëbimi mund të sillte edhe krime të tilla si ai i Srebrenicës. Në këtë sfond shqiptarëve iu njoh e drejta për shkëputje, pasi dështuan negociatat e vazhduara vite me rradhë mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve për një zgjidhje paqësore."

Njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet perëndimore Giegerich e sheh të justifikuar edhe nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare. Kështu Perëndimi nuk përdor standarte të dyfishta kur mbron tani integritetin territorial të Gjeorgjisë. Përkundrazi është Rusia e cila në këtë rast mund të akuzohet për standarte të dyfishta, thotë politikani gjerman Ruprecht Polenz:

"Në Osetinë Jugore Rusia reklamon të drejtën e shkëputjes ndërkohë që në rastin e Çeçenisë vlersonte lart integritetin territorial duke shtypur me brutalitetit të skajshëm çeçenët. Këto kundërshti do t'i krijojnë probleme Rusisë edhe në të ardhmen."

Kosova sipas pikëmpamjes së politikanit gjerman Polenz nuk është në asnjë mënyrë një rast preçedence mbi të cilin Rusia mund të mbështetet. Kjo edhe vetëm për arsyen e thjeshtë se Rusia nuk e ka njohur Kosovën shtet. Nëse Medvedev nuk dëshëron të akuzohet në politikën e jashtme për moral të dyfishtë duhet që në mënyrë konseguente të angazhohet edhe për njohjen e Kosovës nga Rusia.

  • Data 28.08.2008
  • Autor Manfred Gëtcke
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F6N6
  • Data 28.08.2008
  • Autor Manfred Gëtcke
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F6N6