1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova shumë pranë pavarësisë së vërtetë

Gjatë kësaj jave komisioni për ndryshimet kushtetuese në Kosovë pritet të përfundojë punën për amendimin e ligjit, i cili do të shënojë fundin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Kanë mbetur pak më shumë se dy javë nga dita, kur Kosova nuk do të ketë më mbikqyrje ndërkombëtare të pavarësisë së saj. Fundi do të shënohet më datën 10 shtator, kur në Prishtinë do të mblidhen në një takim të posaçëm, shefat e diplomacive të jashtme dhe përfaqësues të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Dy muaj më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim një ligj, i cili mundëson zëvëndësimin dhe ndryshimin e 21 ligjeve të cilat do të shënonin edhe zbatimin e plotë të pakos së Marti Ahtisarit. Pakoja e Ahtisarit është baza mbi të cilën u shpall pavarësia e Kosovës me 17 shkurt të vitit 2008. Kryetari i Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se gjatë kësaj jave do të përfundojë amendimi i ligjit që ai e quan ligj special.

Parlamenti në Prsihtinë

Parlamenti në Prsihtinë

Pse duhet një ligj special

“Jam i sigurt se deri në javën e parë të shtatorit, komisioni do ta përfundojë komplet leximin e dytë të amendamenteve në mënyrë që kryesia e kuvendit në javën e parë të shtatorit të mbajë mbledhjen dhe të miratojë ndryshimet kushtetuese dhe pas miratimit të këtyre amandamenteve të miratohet ligji për përfundimin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë”, thotë Arsim Bajrami.

Kryetari i komisionit, Arsim Bajrami, pranon se procedura e miratimit të një ligji të vetëm që mundëson më pas ndryshimin e 21 ligjeve të tjera, nuk përdoret në praktikat parlamentare. Por, sipas tij tashmë është caktuar një datë e përfundimit të mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe miratimi i këtij ligji duhet të ndodhë. Mirëpo, kjo praktikë e ndryshimit të ligjeve me procedurë të përshpejtuar është kundërshtuar nga shoqëria civile.

Kuvendi vepron kundër praktikave parlamentare

Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e kuvendit, thotë se në Kosovë nuk ka probleme me miratimin e ligjeve, por me zbatimin e tyre. “Në raportin e progresit, Komisioni Evropian çdo vit i tërheq vërejtjen Kosovës për zbatimin e ligjit, sepse problem në Kosovë nuk është miratimi i ligjeve, problem është zbatimi i tyre në praktikë dhe këtu fajin kryesor e ka qeveria e Kosovës si ekzekutiv dhe kuvendi i Kosovës si monitorues i zbatimit të ligjeve dhe si miratues i këtyre ligjeve”.

Veriu ende problem i pazgjidhur për qeverinë kosovare

Veriu ende problem i pazgjidhur për qeverinë kosovare

Kryetari i komisionit për ndryshimet kushtetuese Arsim Bajrami, thotë se ligji që do të miratohet në kuvendin e Kosovës e që mundëson ndryshimin e 21 ligjeve tjera, ka ngjyrime politike, prandaj ai e cilëson si një ligj special që ka një synim. “Është një ligj special, një ligj që ka edhe ngjyrime politike dhe ne kemi pasur diskutime se a duhet të ketë vetëm një ligj apo duhet të shkohet me ndryshimin një nga një të ligjeve, por është arritur konsensusi për shkak të rëndësisë historike që ai ka”, thotë Arsim Bajrami.

Pakoja e Ahtisarit nuk është zbatuar në Veri të Kosovës

Megjithë kritikat e shoqërisë civile, data e përfundimit të mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë tashmë është përcaktuar dhe ajo do të ndodhë me 10 shtator, datë kjo që shënon edhe zbatimin e plotë të pakos së Marti Ahtisarit. Por në veri të Kosovës plani i Marti Ahtisarit nuk është zbatuar në tërësi. Përfaqësuesit e politikës kosovare e cilësojnë këtë një ngecje të Zyrës Civile Ndërkombëtare por edhe të vetë institucioneve të Kosovës. Për t'i dalë zot kësaj gjendjeje, qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, themeluan një zyrë administrative, e cila në fakt do të luaj rolin e komunës së veriut të Mitrovicës dhe do të zëvëndësojë rolin që ka pasur në këtë pjesë Zyra Civile Ndërkombëtare. Suksesi i kësaj zyre ende nuk dihet.