1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova shkëputi operatorët ilegalë serbë të celularëve

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit në Kosovë nxorri jashtë funksionit 26 stacione të telefonisë mobile të Serbisë në Kosovë. Serbët e Kosovës në shenjë revolte dëmtuan disa stacione të tefonisë mobile të Kosovës

default

Operatorët ilegalë serbë u kanë shkaktuar dëme operatorëve legalë

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit në Kosovë e konsideron një sukses të mirë operacionin e eliminimit të antenave, që i shfrytëzonin operatorët ilegalë të telefonisë mobile nga Serbia. 26 stacione të operatorëve të telefonisë mobile të Serbisë, tashmë janë shkëputur nga rrjeti në rajone të ndryshme të Kosovës, mirëpo aksioni nuk përfshiu veriun e Kosovës. Në Kosovë që nga paslufta funksionojnë dy operatorë të telefonisë mobile nga Serbia, Telekom Serbia dhe Telenor Serbia. Drejtori i Autoritetit Regullativ të Telekomunikacionit, Ekrem Hoxha, tha në një konferencë për media, se operatorët ilegalë të Serbisë vazhdimisht u kanë shkaktuar dëme operatorëve të licensuar në Kosovë.

“Puna nuk është përfunduar deri në detaje, por efekti është arritur. ART-ja menjëherë do t'i realizojë matjet në nivel të Republikës, për të konstatuar efektin apo matjet konkrete se si ka ndikuar kjo në tregun e shërbimeve të telefonisë mobile, për të konstatuar se sinjali është i eliminuar apo ka një cilësi shumë të ulët, domethënë, nuk mund të realizohen thirrjet”, thotë Ekrem Hoxha.

Sulmet kundër antenave legale - veprime kriminale

Operacioni për shkëputjen e antenave të operatorëve ilegalë të Serbisë nuk ka përfshirë pjesën veriore të Kosovës. Në këtë pjesë, serbët lokalë të revoltuar dëmtuan me mjete eksplozive antenat e operatorëve legalë të Kosovës, si Ipko dhe Vala. Qeveria e Kosovës dhe misioni EULEX i dënuan ashpër këto veprime të serbëve. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, i tha DW-së se ato veprime janë veprime kriminale.

“Reagimet kriminale të hedhjes së eksplozivëve në antenat e operatorëve legalë të Kosovës në veri të vendit janë veprime kriminale dhe si të tilla ne i dënojmë fuqishëm”, thotë Memli Krasniqi. Ndërkohë, njëri nga politikanët serbë të Kosovës qendrore, Dragan Veliç, u ka thënë mediave lokale se reagimi serbëve për dëmtimin e operatorëve telefonikë të Kosovës është nxitur nga një veprim i pamatur i autoriteteve të Prishtinës.

“Pikërisht kjo që po ndodh në veri është një gjest ose aktivitet, i cili është rezultat i aktiviteteve që ndodhën dy ditë më parë, në kuptimin e shkyçjes së rrjeteve telefonike të Serbisë 063 dhe 064. Me siguri se është e palejueshme heqja e pajisjeve dhe prerja e lidhjeve. Ndërkaq, kjo që ka ndodhur në veri, me siguri është rezultat i revoltës. Natyrisht, unë nuk i arsyetoj veprimet e asnjërës palë, sepse këto nuk i shërbejnë stabilizimit të situatës”, thotë Dragan Veliç. Reagime te ashpra ka pasur edhe nga Serbia. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç e ka cilësuar nxjerrjen jashtë funksionit të operatorëve serbë në Kosovë si shkelje të të drejtave të njeriut dhe ka paralajmëruar bisedime të vështira me EULEX-in. Por zyrtarë të misionit EULEX-it, thonë se rregullimi i tregut të telekomunikimeve në Kosovë është në përgjegjësinë e institucioneve të Koosvës dhe se misioni evropian nuk mund të ndërhyjë në këtë çështje. Kosova akoma nuk ka një kod të telefonisë fikse të saj. Ajo vazhdon të shfrytëzojë prefiksin 381, që është edhe prefiks i Serbisë dhe poashtu një operator i internetit në Kosovë sinjalin e merr poashtu nga Serbia. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se qeveria e Kosovës tashmë ka kohë që ka bërë kërkesë në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikimeve që Kosova të ketë prefiksin e saj shtetëror.

“Fatkeqësisht Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve akoma nuk e ka marrë parasysh kërkesën e Kosovës, që ne si shtet i pavarur të kemi një prefiks shtetëror. Në shpresojmë që zhvillimet e fundit do të ndikojnë që edhe Unioni Evropian i Telekomunikimeve ta shohë çëshjen e prefiksit të Kosovës si jo politike, por si një çështje të nevojës së njerëzve”, thotë Memli Krasniqi.

Që nga paslufta, pjesa më e madhe e serbëve të Kosovës i ka shfrytëzuar shërbimet e operatorëve serbë, të cilët për operimin e tyre nuk kishin kërkuar lejen e autoriteteve të Kosovës. Pas aksionit për ndërprerjen e punës së tyre në mjediset serbe, Posta dhe Telekomi i Kosovës kanë filluar shpërndarjen falas të sim kartelave për serbët, që duan të shfrytëzojnë shërbimet e operatorit më të madh të Kosovës, Vala.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 27.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N7zX
  • Data 27.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N7zX