1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova së shpejti pjesëmarrëse në 22 programe të BE-së

Komisioni Evropian ka aprovuar një propozim, i cili do t'i mundësonte Kosovës pjesëmarrjen në 22 programe të BE-së. Në programe të tilla marrin pjesë vendet e përfshira në procesin e Stabilizim Asociimit me BE-në.

Në Komunikatën "Përmbushja e Perspektivës Evropiane të Kosovës" në vitin 2009, Komisioni Evropian ka propozuar shqyrtimin e mundësive për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e Bashkimit Evropian. Që nga ajo kohë, në mungesë të konsensusit politik të Bashkimit Evropian, si pasojë e mosnjohjes nga pesë vendet anëtare, BE-ja nuk ka qenë në gjendje të fillojë negociimin e kuadrit të marrëveshjes. Sidoqoftë, duke marrë për bazë dinamikën e procesit të integrimit evropian dhe në veçanti konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian të 11 dhjetorit 2012, Komisioni Evropian e ka ftuar qeverinë e Kosovës të konfirmojë pëlqimin e saj mbi tekstin fillestar të projekt-marrëveshjes, thotë për DW-në Demush Shasha, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimeve Evropiane të Kosovës, sipas të cilit: "Më 16 janar, qeveria e Kosovës e ka konfirmuar pëlqimin e saj mbi tekstin fillestar të kuadrit të projekt-marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi parimet e përgjithshme për pjesmarrjen e Kosovës në programet e BE-së."

Fjalën e fundit e ka Këshilli i BE-së

Qeveria e Kosovës pret që në takimin e qershorit 2013 këshilli i BE-së të miratojë marrëveshjen kuadër. Ndërsa, Zyra e BE-së në Kosovë sqaron për DW-në se: "Nëse Këshilli bie dakord me propozimin, atëherë korniza e marrëveshjes do të nënshkruhet nga të dyja palët dhe Kosova do të mund të marrë pjesë në 22 programe të BE-së. Kushtet dhe afatet specifike për pjesëmarje në secilin program të veçantë do të përcaktohen me anë të një Memorandumi Mirëkuptimi, për të cilin duhet të bien dakord Komisioni Evropian dhe Kosova. Ndërsa, çfardo që të flitet para kësaj është shumë herët."

Pas miratimit të marrëveshjes kornizë nga Këshilli i BE-së, krijohet baza ligjore për qasjen e Kosovës në të gjitha programet e BE-së, të cilat do të jenë të hapura për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes kornizë dhe pas aplikimit të Kosovës për pjesëmarrje në programet e BE-së, për secilin program do të nënshkruhen memorandume të veçanta, thotë për DW-në Shasha, sipas të cilit "ndër këto programe janë edhe ato që do të përkrahin bizneset në ngritjen e konkurrencës së ekonomisë, transferimit të teknologjisë së re, e poashtu do të ndihmojë komunitetin akademik, hulumtuesit dhe shoqërinë civile përmes shkëmbimit të përvojave dhe qasjes në financimin e projekteve hulumtuese."