1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Kosova rol kyç në bisedimet e anëtarësimit Serbi - BE"

Intervistë me Norbert Beckmann-Dirkes, shef i fondacionit Konrad Adenauer në Beograd. Ai flet për zgjedhjet, Vuçiqin dhe njohjen eventuale të Kosovës.

Serbien Norbert Beckmann-Dierkes Konrad-Adenauer-Stiftung

Norbert Beckmann-Dierkes , drejtor i Fondacionit "Konrad Adenauer" në Beograd

DW: Zgjedhjet parlamentare në Serbi rezultuan me shumicë absolute për Vuçiqin, por me më pak deputetë se në përbërjen e kaluar të parlamentit, ku tani janë të përfaqësuara madje shtatë parti. si e vlerësoni ju këto zgjedhje?

Norbert Beckmann-Dirkes: Së pari duhet thënë se lista e Partisë Përparimtare Serbe, SNS, i ka bindur zgjedhësit e saj se do të vazhdojë procesin e integrimeve evropiane edhe në katër vitet e ardhshme dhe se do të zbatohen reformat e filluara para dy vitesh. Kjo tregon se rezultatet zgjedhore, me disa ndryshime të vogla, kanë mbetur të njëjta dhe se pushteti ka me vete mbështetjen e shumicës.

Besoni se këto zgjedhje i ka vendosur politika evropiane e Vuçiqit?

Vendimtare në fushatë kanë qenë temat e politikës së brendshme. Situata ekonomike ende nuk është e mirë, kriza është e vazhdueshme, ndaj duhet filluar me reforma të rëndësishme. Duhen filluar reformat në drejtësi, shëndetësi dhe arsim. Këto janë gjëra të njohura dhe përputhen me kërkesat nga disa kapituj në negociatat për anëtarësim. Reformat e brendshme dhe procesi i integrimit janë pra dy anë të së njëjtës medalje.

Si e komentoni faktin që banorët e Serbisë jetojnë më keq se para tre-katër vitesh, ndërsa mbështetja e Vuçiqit vazhdon?

Mendoj se njerëzit në Serbi e kanë të qartë se proceset zgjasin më shumë dhe se asnjë reformë ende nuk ka dhënë rezultate konkrete. Janë bërë shumë hapa të vegjël, ka dhe ndonjë investim, por dy vjet është kohë e shkurtër për t'u parë rezultatet konkrete. Nga ana tjetër, mendoj se nuk ka pasur ndonjë alternativë, të cilës qytetarët do t'ia besonin udhëheqjen e vendit. Nëse shikoni fushatën, dhe liderët e listave të cilët kanë kapacitet për mbledhjen e shumicës parlamentare, atëherë e shihni që ai ishte Vuçiqi. Ai ka reputacionin më të madh ndërkombëtar dhe besimin më të madh të qytetarëve.

Mendoni se Vuçiqi do ta krijojë vet qeverinë, apo do të krijojë ndonjë koalicion?

Pyetje e mirë, por përgjigjen duhet ta presim. Mendoj se për procesin e reformave kërkohet një mbështetje e madhe, ndaj besoj se edhe Vuçiqi do të kërkojë ndonjë partner.

A është kjo taktika: pushteti absolut për vete, ndërsa përgjegjësia e përbashkët?

Mendoj se po. Serbia është nisur në rrugën drejt Evropës dhe kjo rrugë do të vazhdojë. Deri tani në parlament kanë qenë të prezantuara vetëm partitë proevropiane, por kjo ka ndryshuar tani. Ndaj është me rëndësi që vendi, i cili ka raporte të posaçme me Rusinë, të përcaktohet qartë për integrime evropiane dhe që në këtë rrugë të ketë një bashkëpunim të suksesshëm mes subjekteve politike. Njerëzit e dinë që kjo rrugë është e gjatë që kërkon ndryshime të mëdha dhe se nuk do të përfundojë shpejt.

Vuçiqi ka simpatitë e Brukselit dhe Berlinit. Në natën e zgjedhjeve në selinë e partisë së tij ka qenë madje edhe raportuesi i BE-së për Serbinë, Mecalister. Duket se Vuçiqi është i preferuari i BE-së, apo jo?

Në tërësi. Aleksandar Vuçiqi, kur e pyesni, gjithmonë thotë se procesi i integrimeve evropiane është i pakthyeshëm dhe se ky është synimi i Serbisë. Mendoj se duhet të shfrytëzojmë përvojat e mira nga vendet që janë përfshirë në zgjerimin e fundit të BE-së, por edhe të vendeve që kanë themeluar BE-në, për të zhvilluar një dialog në Serbi.

Shpesh mendohet se Vuçiqi e ka mbështetjen e BE-së edhe për faktin se i mbështet qëndrimet e Brukselit për Kosovën?

Ne e dimë që Kosova luan një rol qendror në negociatat për anëtarësim në BE. Çështja e Kosovës në Serbi është një temë shumë delikate. Aleksandar Vuçiqi është i gatshëm të shkojë në rrugën, e cila ndoshta në fund sjell deri tek një zgjidhje e kënaqshme për të gjitha palët e interesuara. Ai ka treguar guxim me nënshkrimin e Marrëveshjes për Kosovën, e cila nënkupton përmirësimin e pozitës së njerëzve në Kosovë. Ai e ka kuptuar se rruga e suksesshme nënkupton edhe ndryshimin e qëndrimit ndaj Kosovës dhe kjo mund të ndodhë vetëm në bashkëpunim me partnerët evropianë.

Besoni se Vuçiqi gjatë këtij mandati do të lëvizë në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe në këtë kontekst të largohet nga retorika "Kosova është Serbi"?

Së pari, sipas Kushtetutës serbe, Kosova është pjesë e territorit të këtij shteti. Ndryshimi i Kushtetutës është një projekt afatgjatë, por në dy vitet e fundit Vuçiqi në deklaratat e tij nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës, ndonëse nuk ka folur në mënyrë eksplicite për Kosovën. Në anën tjetër, procesi i negociatave me BE-në është një proces i gjatë dhe në këtë proces çështja e Kosovës duhet të zgjidhet në një tjetër mënyrë. Në planin e brendshëm, njohja e Kosovës nuk do të shkojë lehtë. Ndoshta gjatë negociatave do të gjenden edhe mundësi të tjera, mes njohjes dhe mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

Në Bruksel dhe Berlin nuk flitet me dëshirë për zhvillimet negative në Serbi, siç është shkelja e lirisë së mediave, sulmet ndaj opozitës dhe nepotizmin. Ka lidhje kjo vetëm me fleksibilitetin ndaj Kosovës, apo ka ndonjë shpjegim tjetër?

Këtë e shoh ndryshe. Në raportet e BE-së për zhvillimet në Serbi flitet edhe për këto probleme. Këto raporte nuk janë sekrete. Të gjitha çështjet janë theksuar në raportet e mediave dhe në raportet e BE-së. Edhe vizitorët nga Brukseli e kanë deklaruar këtë, se gjatë negociatave duhet të ndodhin dhe ndryshojnë shumë gjëra në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe në raport me mediat.

Edhe një pyetje të fundit: mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje të madhe Sheshelit. Por në parlament do të kemi tani dy lista nacionaliste. A është ky ndonjë problem?

Ky nuk është ndonjë problem i madh, sepse shkëmbimi i mendimeve në kursin e duhur politik, tani do të kthehet në parlament. Deri tani radikalët kanë tërhequr vëmendjen në radhë të parë me deklarata populiste jashtë parlamentit. Ndërsa në parlament do të punojnë në mënyrë më solide.

*Norbert Beckmann-Dirkes, 1964, është politikan shumëvjeçar i Partisë Kristiandemokrate të Gjermanisë (CDU). Tani ai drejton zyrën e fondacionit Konrad Adenauer në Beograd.