1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova retrospektiva 2012 - Integrimi në BE dhe raportet me Serbinë sfidat 2013

Disa nga zhvillimet në 2012 në Kosovë udhëheqësit politikë i cilësuan të suksesshme. Veçanërisht theksohet fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Sfidat në 2013 janë dialogu me Serbinë dhe integrimi në BE.

Fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, dialogu politik me Serbinë, marrja e dokumentit të studimit të fizibilitetit nga Komisioni Evropian, fillimi i zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë dhe lirimi nga Tribunali i Hagës i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ishin zhvillimet më kryesore që u shënuan në Kosovë gjatë vitit 2012.

Për udhëheqësit e institucioneve kosovare të gjitha këto zhvillime janë arritje për Kosovën, por, ngjarja që vazhdimisht theksohet si një ndër sukseset më të mëdha, është fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, që shënoi edhe plotësimin e kritereve që kërkoheshin nga pakoja e Marti Ahtisarit. Kryeministri Hashim Thaçi, është shprehur se tash baza e vetme juridike në Kosovë, është Kushtetuta e Kosovës, ndërsa, është i vetëdijshëm për përgjegjësitë e mëdha. “Dialogu dhe mirëkuptimi duhet të vazhdohen. Zgjidhjet duhet të arrihen dhe popujt duhet të pajtohen. Edhe një kapitull që sapo u mbyll në Ballkan, ai i emergjencës i asistencës dhe i mbikëqyrjes, mirëpo po ashtu u hap një kapitull i ri, ai i zhvillimit i pajtimit dhe bashkëpunimit të popujve mes shteteve.”

Hashim Thaçi,Catherine Ashton dhe Ivica Dacic, në Bruksel më 07.11.2012

Hashim Thaçi,Catherine Ashton dhe Ivica Dacic, në Bruksel më 07.11.2012

Kushti i BE-së përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë

Pajtimi ndërmjet popujve, për të cilin flet kryeministri, Hashim Thaçi, ka një adresë, përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, kusht ky i kërkuar nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë rrugën e integrimeve evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, u takuan në tetor dhe në nëntor në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Të dy palët ranë dakord për vlerësimin se dialogu politik duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve, si dhe në përparimin e procesit të integrimit evropian, por dallimet mbi përkufizimin "normalizim" janë të dukshme. “Unë jam i bindur se normalizimi i raporteve shtetërore me Serbinë është i domosdoshëm për evropianizimin e rajonit. Por ky normalizim me asnjë kusht nuk do të kalojë në kurriz të shtetësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të republikës sonë të re”, shprehet Thaçi.

E Serbia nga ana e saj, vazhdon të kërkojë që çështja e veriut të Kosovës të trajtohet si çështje e veçantë në kuadër të dialogut, por, Prishtina zyrtare nuk pajtohet. Megjithatë, të dy kryeministrat Thaçi dhe Dacic, ranë dakord që ta jetësojnë një marrëveshje atë për menaxhimin e integruar të kufirit, e njohur si IBM, në dy pika kufitare, në Jarinje dhe Merdare. Më 10 dhjetor marrëveshja e IBM-së, filloi të zbatohet pa ndonjë problem.

Por pavarësisht këtij bashkëpunimi, as Kosova e as Serbia nuk e morën atë që synuan nga Bashkimi Evropian: Serbia synonte të caktonte datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në union, ndërsa, Kosova hapjen e bisediemeve për marrëveshjen e stabilizim-asociimit.

epa03161175 European Commissioner for Enlargement and European Neighborhood Policy Stefan Fuele listens to media questions during a press conference in Kosovo's capital Pristina, 27 March 2012. Stefan Fuele during his visit has launched a feasibility study for Kosovo for further integrations with EU. EPA/VALDRIN XHEMAJ +++(c) dpa - Bildfunk+++

Stefan Fyle, komisari i BE-së për zgjerimin

Kushtet e hapjes së bisedimeve për MSA

Në tetor 2012 komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle, i dorëzoi Kosovës dokumentin e studimit të fizibilitetit duke premtuar që negociatat për marrëveshjen e stabilizim-asociimit mund të fillojnë shpejt, nëse Kosova vazhdon progresin.“ Sapo Kosova të arrijë rezultate në një numër të vogël të prioriteteve afatshkurta, që kanë të bëjnë me kapacitetet administrative, me sundimin e ligjit, me mbrojtjen e pakicave dhe me përmirësimin e kapaciteteve tregtare, atëherë mendoj se jeni në gjendje që të filloni bisedimet në gjysmën e parë të vitit 2013”,deklaroi Stefan Fyle.

Kryeministri i Kosovës u zotua se do të punojë në përmbushjen e këtyre kritereve dhe se pret që në pranverë Kosovës do t’i caktohet data e nisjes së negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asociimit.

Vendimi i Tribunalit të Hagës

Ramush Haradinaj, the leader of opposition party Alliance for Future of Kosovo (AAK) and former Kosovo?s Prime Minister, speaks to his supporters during opening of the election campaign in Pristina, Kosovo, on 15 October 2009. Municipality elections will be held on 15 November 2009. EPA/VALDRIN XHEMAJ +++(c) dpa - Bildfunk+++

Ramush Haradinaj

Fundi i vitit 2012 shënoi edhe me një ngjarje të rëndësishme për Kosovën: Vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte, që më 29 nëntor e shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj, gjykimi i të cilit me disa ndërprerje zgjati më shumë së shtatë vjet. Ramush Haradinaj u prit në Kosovë me një ceremoni shtetërore në aeroportin e Prishtinës, ku ai deklaroi: “Jam i gëzuar për arritjet, për fitoret jemi mërzitur për vështirësitë dhe sfidat, por sot jam i gëzuar që edhe drejtësia ndërkombëtare konfirmoi se rruga jonë për liri ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe po ashtu na mundëson që edhe rruga para nesh do të jetë e mirë dhe edhe ne do të mund t’i përballojmë së bashku sfidat që na presin.”

Pavarësisht disa hapave të suksesshëm gjatë vitit 2012, nga janari 2013 Kosovën e presin sfida të reja: Vazhdimi i dialogut me Serbinë si dhe finalizimi i kritereve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të hapen bisedimet për nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së. Komisioni Evropian ka deklaruar, se ministrat e jashtëm të unionit do të takohen sërish në pranverë për të shqyrtuar arritjet në Kosovë.