1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova para konfliktit me bashkësinë ndërkombëtare? - Politika kosovare këmbëngul në JO-në ndaj planit gjashtë pikësh të OKB-së

Bekim Shehu13 Nëntor 2008

Plani gjashtë pikësh i OKB-së do të mundësonte shtritjen e misionit EULEX në Kosovë. Por udhëheqësit e institucioneve të Kosovës vazhdojnë t'i thonë JO një plani të tillë. Presioni nga bashkësia ndërkombëtare vazhdon.

https://p.dw.com/p/Ftmv
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki MunFotografi: AP

Vetëm një ditë kohë ka mbetur nga afati që kanë vënë Bashkimi Evropian dhe OKB-ja. Ato presin përgjigje pozitive nga Prishtina për planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun (Ban Ki Moon), plan ky që do të mundësonte shtrirjen pa vonesa të misionit EULEX në Kosovë. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës vazhdojnë ta kundërshtojnë planin, sidomos disa elemente substanciale të tij, të cilat sipas politikës kosovare, shkelin Kushtetutën e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shprehet se qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është i qartë:

Kosovo Demokratische Partei Hashim Thaci
Hashim ThaçiFotografi: AP Photo/Visar Kryeziu

"Elementet substanciale të planit gjashtë pikësh kanë qenë janë dhe do të mbesin të papranueshme. Ne i kemi thënë po shtrirjes së misionit EULEX në tërë territorin e Kosovës duke respektuar sovranitetin e Kosovës, pavarësinë e saj, Kushtetutën moderne dhe dokumentin e presidenitt Ahtisari. Kjo është zgjidhja e drejtë".

Prishtina: Presioni ndërkombëtar që po i bëhet për pranimin e planit është jodemokratik

Nga ky qëndrim qeveria e Kosovës duket se nuk ka ndërmend të lëkundet, pavarësisht presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar. Mbrëmë deri në mesnatë ambasadorët e vendeve më të industrializuara në Kosovë zhvilluan bisedime me udhëheqësit politikë kosovarë në përpjekje për t'i bindur ata që ta pranojnë planin. Përpjekje pa sukses. Udhëheqësit politikë kosovarë tashmë disa herë janë shprehur se presioni ndërkombëtar që po i bëhet Prishtinës që ta pranojë planin është jodemokratik.

EULEX Mission der EU
Kryetari i misionit EULEX, KermaboFotografi: picture-alliance/ dpa

Ata thonë se Kosova nuk mund të ketë sistem doganor të ndarë, nuk mund të ketë dy komanda të policisë dhe dy sisteme gjyqësore. Këto janë elemente, sipas Prishtinës, substanciale dhe me të cilat ajo nuk pajtohet.

Në një deklaratë të përbashkët të të gjithë spektrit politik kosovar edhe njëherë është ritheksuar se Kosova dëshiron që misioni i BE-së, EULEX të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës dhe zgjidhja të mos jetë e imponuar nga Beogradi. Ata thonë se Kosova ka bërë kërkesë që misioni EULEX të shtrihet në të gjitha vendbanimet, mirëpo vetëm ashtu siç e parasheh pakoja e Marti Ahtisarit, mbi bazën e së cilës Kosova shpalli pavarësinë.