1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova për masa reciprociteti me vendet, që nuk respektojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë

Serbia dhe Bosnja e Hercegovina prej tri vjetësh bllokojnë produktet kosovare në territoret e tyre. Nisma e qeverisë që të ndërmarrë masa reciprociteti për Serbinë dhe Bosnjen është mbështetur nga bizneset kosovare.

Flamujt e Kosovës dhe të Serbisë

Flamujt e Kosovës dhe të Serbisë

Qeveria e Kosovës më së largu deri në mesin e muajit të ardhshëm do të vendosë masa reciprociteti për mallrat, që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nëse këto dy vende vazhdojnë të bllokojnë mallrat e Kosovës. Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, tash e tri vjet nuk lejojnë mallrat, që mbajnë vulën e Repubikës së Kosovës të hyjnë, apo të kalojnë tranzit nëpër këto vende. Një situatë e tillë sipas përfaqësuesve të ministrisë së tregtisë dhe industrisë në Kosovë është e padurueshme dhe po dëmton rëndë bizneset kosovare. Mimoza Kusari Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, thotë për programin tonë se qeveria nuk mund të tolerojë që ekonomia e vendit të bartë barrën e çështjeve politike të Serbisë karshi Kosovës.

"Interesi shtetëror dhe interesi ekonomik i Kosovës është mbi të gjitha. Ne nuk mund të jemi një qeveri me politika të sukseshme, nëse nuk ka një sukses real në ekonominë e Kosovës. Me kushtet, të cilat janë të imponuara nga Serbia për momentin, suksesi për Kosovën është shumë i kufizuar”, thotë Mimoza Kusari Lila.

Lumi i Ibrit në Mitrovicë

Lumi i Ibrit në Mitrovicë

"Jemi të gjithë të vetëdijshëm për problemin, që tre vite me rradhë është duke rënduar mbi ekonominë e Kosovës, që në veçanti ka prekur prodhuesit kosovarë. Humbësit kryesorë për këto masa do të jenë ekportuesit serbë dhe të tjerët, pasi në anën tjetër ata kosovarë nuk kanë mundur të ekportojnë për arsye të mos njohjes së vulave të UMNIK-ut, si nënshkrues i marrëveshjes së CEFTA-s. Si pasojë e kësaj ekonomia e Kosovës nuk mund të vazhdojë të paguajë faturën e humbjeve dhe deficiteve tregtare”, thotë Mimoza Kusari Lila.

Parapërgatitjet për masa reciprociteti ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës janë bërë edhe në doganat e Kosovës. Sipas Naim Huruglicës, drejtor i doganave, sapo qeveria ta marrë vendimin, ekzekutimi do të ndodhë menjëherë në kufijtë e Kosovës.

“Ne si institucion ekzekutiv jemi të gatshëm ta ekzekutojmë këtë vendim të qeverisë. Unë besoj se kur të vijë dita që vendimi të futet në funksion, do të kalojë më sa më pak vështirësi, këtu flas për zëvëndësimin e atyre importeve, që vijnë nga Serbia, në rast se për një pjesë të këtyre prodhuesve paraqet problem, apo rrit koston e prodhimit”, thotë Naim Hurugica.

Biznesi kosovar pajtohet me vendimin

Përfaqësuesit e asociacionit të bizneseve kosovare janë pajtuar me një vendim të mundshëm të qeverisë, por ata kanë kërkuar, që këto masa reciprociteti për Serbinë dhe Bosnjen e Hercegovinën të përcillen me masa lehtësuse për bizneset e tyre, sa i përket politikës fiskale në Kosovë.

Masat e reciprocitetit, që Kosova parasheh të ndërmarrë ndaj produteve sidomos të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, janë paralajmëruar se do të diskutohen edhe në dialogun Kosovë Serbi. Në këtë linjë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, shpreson që vendimi i qeverisë së Kosovës, që pritet të merret të mos ndikohet nga kompromiset e mundshme politike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu

"Nëse mendojmë për të ardhmën dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, atëherë duhet që edhe Kosova të shtrëngojë dhëmbët, sepse është koha të tregojmë se jemi për shtet dhe jo vetëm të flasim për shtet. Mirëpo në këtë linjë nuk dua të besoj se iniciativa të tilla do të bien në hijën e politikës dhe më vonë të zbehen”, thotë Safet Gerxhaliu.

Sipas një analize të Odës Eknomike të Kosovës, Kosova afro 80 përqind të mallrave i importon, ndërsa eksporti i saj është vetëm 20 përqind. Më së shumti mallra Kosova importon nga Serbia. Shndërruar në shifra nga Serbia brenda një viti Kosova importon afro 300 milion euro, ndërsa që nga shpallja e pavarësisë Kosova nuk mund të eksportojë mallra drejpërdrejt në Repubikën e Serbisë. Kosova që nga janari i këtij viti kryeson marrëveshjen për tregti të lirë me vendet e Ballkanit, CEFTA-as. Megjithëkëtë kryesim në takimet me shtetet anëtare të marrëveshjes Kosova akoma nuk mund të përfaqësohet si shtet nën logon Republika e Kosovës, sepse kjo kundërshtohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica