1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova ofron produkte në tregun gjerman

15 Qershor 2011

Programi për Ndërmarrje Private në Kosovë i sjell prodhimet kosovare më afër konsumatorit evropian.

https://p.dw.com/p/11all
Fotografi: Beqiraj

Programi për Ndërmarrjet Private në Kosovë (KPEP), pas një analize të ekonomisë së Kosovës, me qëllim të përmirësimit të aftësisë konkurruese bëri përzgjedhjen e sektorëve me potencialin më të madh të rritjes. Programi 17 milionë dollarësh për katër vjet u orientua tek bujqësia, ndërtimtimi, turizmi, riciklimi, ekonomia pyjore dhe përpunimit të drurit, teknologjitë e informatikës dhe komunikimit, lehtësim të kushteve për biznesin, zhvillimin e fuqisë punëtore si dhe në shërbimet për mbështetjen e bizneseve. Rajonet përfituese janë varësisht nga specifikat e industrisë, thotë Virtyt Gacaferi, zyrtar për informim në projektin KPEP. “Investimet më të mëdha në fushën e turizmit janë bërë në Rrafshin e Dukagjinit, përkatësisht në Pejë dhe në Rahovec. Në sektorin e mbjelljes së patates, rajoni më i përkrahur ka qënë Vushtria. Në pylltari, rajoni i Kaçanikut, komunat e Rrafshit te Dukagjinit dhe një pjesë e veriut të Kosovës. Pra, projekti është shtrirë në sektorë të ndryshëm, varësisht nga shtrirja gjeografike, ndërsa eksport ka në të gjithë sektorët e përzgjedhur”, thotë z.Gacaferi.

Kosova konkuron me prodhime në tregun e huaj

Rezultatet më të dukshme janë në sektorin e bujqësisë, ku është bërë identifkimi i problemeve të fermerëve, që nga identifikimi i varieteve të reja, gjetja e tregjeve si dhe eliminimi i vështirësive në paketim dhe në marketing. Musli Berisha është specialist i agrokulturës brenda programit: „Ideja e projektit është që fermeri në Kosovë të orientohet në atë çka kërkon blerësi i fundit e jo çka ai di dhe mund të bëjë. Dhe, me këtë kemi rezultatet e para, sepse janë identifikuar varietet e specit, të cilat në vend të 25 tonëve për një hektar të varieteve tradicionale, ato japin mbi 80 ton për hektar. Në Kosovë, për herë të parë është sjellë lloji i specit hungarez (CECEJ), janë organizuar fushata testuese dhe pasi kultivimi i tij ka rezultuar me sukses, është gjetur tregu”.

Musli Berisha, specialist i agrokulturës brenda programit KPEP, duke u konsultuar me kolegët Foto: Ajete Beqiraj
Musli Berisha, specialist i agrokulturës brenda programit KPEP, duke u konsultuar me kolegëtFotografi: Beqiraj

Diaspora është konsumuesi më i madh i produkteve nga Kosova

Prezantimi i cilësisë së frutave dhe perimeve nëpër panaire të ndryshme ka tërhequr vëmendjen e konsumatorit për produktet nga Kosova. Ndërsa Panairi i Berlinit “Fruit & Logistik”, ka qenë një rast i mirë për kontaktet e para të ndërmarrjeve kosovare me tregun gjerman, ku zënë fill disa marrëveshje bashkëpunimi me shtetet e Evropës, thotë Berisha. “Falë këtij panairi, kompania “Kelmendi GMBH” e cila me herët ka filluar me një sasi të eksportit të specit, vetëm vitin e kaluar ka eksportuar në Gjermani mbi 2 mijë ton speca. Ndërsa, lehtësimi që i është bërë nga projekti ynë kalon 4 milionë kilogramë të eksportit në Gjermani, në rajon dhe në shtetet e Evropës. Kjo kompani me kapacitete eksportuese, me përjashtim të Portugalisë, ka rrjetin shpërndarës në të gjitha shtetet e Evropës. Në këtë rast, blerës i prodhimeve të Kosovës paraqitet diaspora dhe vetëm brenda vitit 2010, kjo kompani ka eskportuar nga Kosova mbi 2000 ton speca, apo dy milionë kilogramë, të cilat i ka destinuar në tregun prej Suedisë e deri në Spanjë”.

Rreth 2000 ton speca janë eksporuat nga Kosova drejt Spanjës dhe Suedisë
Rreth 2000 ton speca janë eksporuat nga Kosova drejt Spanjës dhe SuedisëFotografi: Beqiraj

Synohet shndërrimi i Kosovës në bazë për prodhimin e perimeve

Programi për sektorin e bujqësisë është e orientuar në prodhimet e freskëta, klasifikimin dhe paketimin e tyre për tregun e jashtëm si dhe në shndërrimin e Kosovës në bazë për prodhimin apo procesin e perimeve. Kosova është konkurrente me produktet e veta në tregun e huaj, ndërsa marrëveshjet janë të qëndrueshme, aq sa prodhuesit kosovarë garantojnë kualitet, mendon specialisti i sektorit të agrokultues, z. Musli Berisha. Sipas tij, Kosova është konkurente vetëm falë cilësisë që arrihet falë kushteve natyrore. "Por, kërkohet një punë dhe një disiplinë shumë e madhe nga fermerët dhe programet e ndryshme për ta ngritur shkallën e cilësisë së paketimit dhe klasifikimit të këtyre produkteve.“

Nga Kosova eksportohen edhe shalqi
Nga Kosova eksportohen edhe shalqiFotografi: Beqiraj

Jo çdo marrëveshje bashkëpunimi rezulton me sukses

Por, jo çdo marrëveshje bashkepunimi e lehtësuar nga programi USAID-KPEP rezulton me sukses. Sepse, nga burimet tona mësojmë se megjithëse falë nje bashkëpunimi të një kompanie shqiptare me kompaninë gjermane “CSG Werkzeug Maschinen Service GmbH”, Kosova në maj të këtij viti ka bërë dërgimin e 15 tonëve të parë të shisheve plastike të ricikluara jashtë Kosoves, për shkak të mosplotësimit të standardeve nga ana e kompanisë nga Kosova, bashkëpunimi rezultoi pa sukses. Sido që të jetë, programi vazhdon punën me kompani dhe përpunues ekzistues të fushave të identifkuara tashmë, duke mbështetur në mënyrë të veçantë iniciativat e grave, të komuniteteve pakicë dhe të ndërmarrjeve të vogla. Ndërsa, rezultatet direkte të projektit janë: 26.4 milionë euro vlerë e mallit të eksportuar nga kompanitë e involvuara në projekt, rritje e shitjes për 15 milionë euro si dhe hapje e 2,300 vendpunimeve të reja.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora