1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova ofron mundësi për investime

Kosova është një vend ku mund dhe duhet të investohet, sepse leverdia ekonomike mund të jetë shumë e madhe. Ishte ky mesazhi i konferencës „Investimet në Kosovë“, të zhvilluar të mërkurën (7.03.2012) në Berlin.

Konferenca e organizuar nga insiativa Eciks

Konferenca e organizuar nga insiativa Eciks

Në konferencën e organizuar nga insiativa Eciks, me mbështetjen e ambasadave të Kosovës dhe Austrisë si dhe Shoqatës Südosteuropa Gesellschaft, ambasadori kosovar në Berlin Vilson Mirdita tha se Kosova është një vend që ofron mundësi të shumta. Por për shtimin e investimeve duhet një mirëbesim edhe më i madh dhe eliminimi i disa pengesave, siç është regjimi i vizave me Kosovën.

Homologu i tij austriak Ralph Scheide ishte i mendimit se „Bashkimi Evropian duhet të mbështetë perspektivën e Evropës Juglindore drejt antarësimit në këtë organizëm“. Ai tha se në Kosovë ekzistojnë shkaqe të shumta pse duhet investuar: lehtësimet fiskale, hartimi dhe miratimi i ligjeve të domosdoshme për investime, përdorimi i euros, fuqia punëtore etj.

„Disa nga problemet e Kosovës edhe më tej janë inflacioni, papunësia e lartë, mungesa e kuadrove të kualifikuara…Megjithatë, Austria ka vendosur të investojë në këtë vend“, tha ai duke shtuar se në Kosovë aktualisht janë aktive mbi 70 sipërmarrje austriake.

Papunësi e madhe tek të rinjtë në Kosovë

Papunësi e madhe tek të rinjtë në Kosovë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Mimoza Kusari-Lila, tha se „Kosova gjendet në procesin e ndërtimit të shtetit të pavarur“, ku me siguri që ka dhe shumë vështirësi. Por qëllimi i qeverisë në Prishtinë është që të krijojë kushte sa më të mira për investimin e kapitalit të huaj. Ajo foli për kapacitetet ekonomike dhe reformat që po bëhen në këtë vend, si në aspektin ekonomik ashtu edhe politik dhe ligjor. „Qëllimi i qeverisë së Kosovës është që të forcohen raportet ekonomike jo vetëm me vendet e rajonit, por në radhë të parë me Bashkimin Evropian“, tha ajo.

Ministri i Ekonomisë Besim Beqaj, theksoi se në Kosovë është krijuar një kornizë ligjore e cila mundëson investime pa pengesa. Sa i përket pranimit të fusnotës në Bruksel, për prezantimin e Kosovës në takimet rajonale, ai tha se ky ishte një vendim shumë i rëndë dhe i rëndësishëm. Por ishte zgjidhja më e mirë në këtë moment, sepse mundëson pjesëmarrjen dhe prezantimin e shtetit të Kosovës në takimet rajonale, si vend i barabartë me të gjitha vendet tjera.

„Kosova tani ka nevojë për një perspektivë të qartë evropiane. Deri në fund të vitit presim që të përfundojë mbikqyrja e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë që sa i përket investimeve, Kosova më së shumti ofron mundësi në sektorin e energjisë, telekomunikacionit, bujqësisë …“, theksoi Beqaj.

Kujtim Dobruna nga organizata Eciks, me seli në Vjenë, bëri të ditur se në periudhën e pasluftës Kosova ka shënuar një rritje mesatare vjetore prej më shumë se 6 %. Ndërkohë që borxhet e Kosovës janë aktualisht në vlerën prej më pak se 6 % të prodhimit bruto. Një prej problemeve më të mëdha, sipas tij, edhe më tej mbetet ekonomia jolegale. Megjithatë Kosova është një vend atraktiv për investime, tha ai.

Një prej temave që dominoi edhe këtë konferencë ishin raportet me Serbinë dhe stabiliteti politik në këtë rajon, si parakushti kryesor për investime të huaja. Drejtori i konferencës në Mynih, Wolfgang Ischinger shpreson se Kosova do të dëshmohet si një „stroje suksesi“. Ai tha se „ëndërra e tij është që një ditë në konferencën vjetore të sigurisë që mbahet në Mynih të sjellë së bashku presidentët e Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që ata shtruar dhe pa ngarkesa të bisedojnë për gjendjen në këtë rajon.“

Ishinger theksoi se siguria në Kosovë është esenciale për thellimin e raporteve me Bashkimin Evropian, sepse mungesa e sigurisë ka qenë deri tani një prej problemeve më të mëdha që kanë ndikuar edhe në investime. Ai shpreson se në Kosovë do të përmirësohet edhe më shumë gjendja dhe se do të mundësohet zvoglimi i prezencës ndërkombëtare atje.

Ish zëvendëskancelari austriak Erhard Busek, nënvizoi se një nga obligimet e BE është që të ndihmojë këtë vend dhe që të bindë edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë. „Spanja me siguri që nuk i zgjidhë problemet e veta në qoftë se nuk e njeh Kosovën, sepse problemet janë të ndryshme“, tha ai duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion edhe ndaj vendeve të rajonit, si për shembull ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, për normalizimin e plotë të raporteve me Kosovën. Sipas tij, nëse Bosnjë-Hercegovina vazhdon me politikën e tanishme ndaj Kosovës, shpejt mund të ndodhë që ajo të bëhet vrima e zezë e rajonit dhe jo vendet tjera. Busek tha se edhe prania ushtarake ndërkombëtare në Kosovë është shumë e rëndësishme, për shkak të sigurisë që ndikon edhe në investime.

GIZ- Bashkëpunimi ekonomik gjerman

GIZ- Bashkëpunimi ekonomik gjerman

„Në EJL ekzistojnë shansa për investime. Austria ka përfituar nga këto investime. Këtë duhet ta bëjnë edhe vendet tjera“, tha ai.

Një prej problemeve më të mëdha, për të cilat u fol shumë edhe në Berlin ishte korrupsioni. Përfaqësuesi i Komisionit Ost-Ausschus i Ekonomisë Gjermane Rainer Lindner tha se „ekonomia gjermane me siguri që është e interesuar për këtë rajon“. Problemi janë, sipas tij: korrupsioni, papunësia e lartë, problemet strukturore, përgatitja profesionale si dhe dinamika e zhvillimit të popullatës dhe tregu i ngushtë.

Megjithatë edhe ai tha se Kosova ofron mundësi për investime, duke shtuar se ndaj BE-së duhet ushtruar presion për t'i mundësuar Kosovës përdorimin e fondeve evropiane.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama