1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova në krizë politike

Bekim Shehu
4 Gusht 2017

Koalicioni fitues i zgjedhjeve PAN, bojkotoi seancën konstituuese të parlamentit, pasi Vetëvendosja e LAA, nuk pajtohen me kandidaturën e Kadri Veselit. Sipas analistëce Kosova është në ngërç të thellë politik.

https://p.dw.com/p/2hgbu
West Balkan Länder - Kosovo
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Schrader

Parlamenti i  Kosovës dështoi edhe në përpjekjen e dytë ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, për faktin që koalicioni i partive politike PAN, nuk mori pjesë as në seancën e 4 gushtit për të propozuar kandidatin për kryetar të kuvendit të Kosovës. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, është subjekti politik fitues i zgjedhjeve ai që duhet të udhëheqë me kuvendin e Kosovës, e që në këtë rast është koalicioni PAN në përbërjen e të cilit janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma.

VV dhe LAA refuzojnë Kadri Veselin

Dy subjektet politike lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LAA, nuk e pranojnë kandidaturën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për kryetar kuvendi. Ky fakt ka irrituar zyrtarët e kësaj partie, duke potencuar vazhdimisht që "Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë që kryetari i kuvendit i takon koalicionit fitues”, që në këtë rast është PAN me bartësin e listës për deputet Kadri Veseli. PDK, akuzon lëvizjen Vetëvendosje dhe LAA-së për bllokim të themelimit të institucioneve.

Albanien PDK Kadri Veseli Politker
Fotografi: Shpresim.M.Shala

"Mentaliteti uzurpues dhe manipulues i partisë Vetëvendosje dhe koalicionit të LDK-së është shqetësues jo vetëm për situatën aktuale, as vetëm për një pozicion politik siç mund të jetë pozita e kryeministrit apo kryeparlamentarit, por për kushtetutshmërinë dhe vullnetin e cënuar qytetar, duke krijuar kështu precedentë që nuk i japin zgjidhje problemit, por e legjitimojnë metodën e tyre uzurpatore për shtetin dhe institucionet”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Mustafa: PDK bllokon institucionet

Në të njëjtën frymë PDK-së i është përgjigjur lideri i LDK-së, Isa Mustafa, duke e akuzuar pikërisht PDK-në, për bllokim të themelimit të institucioneve. LDK dhe PDK, ishin në koalicion dhe bashkë në qeveri që nga viti 2014. "Përgjegjësit për të themeluar institucionet e kanë adresën e tyre. Janë ata që organizuan dhe ekzekutuan mosbesimin ndaj Qeverisë. Nuk kanë nevojë të vonohen, as të kërkojnë orë e ditë shtesë, sepse lidershipi nuk krijohet për një ditë. Kushte nuk ka. Shfrytëzoni të drejtën që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, por jo pa kufi. Krijoni kushte të themelohen institucionet e vendit dhe mos e mbani vendin peng. LDK dhe partnerët e koalicionit, AKR dhe Alternativa, e shohin Kosovën ndryshe. Jo me ju në qeverisje. Ne kemi dije dhe jemi të përgjegjshëm që këtij vendi t'ia ofrojmë zgjidhjen më të mirë”, shkruan në rrjetin social Isa Mustafa.

Vetëvendosja akuzon koalicionin PAN

Edhe zyrtarë të lëvizjes Vetëvendosja, akuzojnë pikërisht koalicionin PAN, i cili sipas tyre nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Kadri Veselin kryetar kuvendi dhe pikërisht ky fakt sipas tyre po bën që PAN, të bojkotojë seancën konstituuese të parlamentit.

Kosovo Isa Mustafa
Fotografi: Reuter/A. Beqiri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nga ana e tij, doli e i sfidoi hapur kundërshtarët e tij politik. Ai në një intervistë për mediumin publik, tha se "mund të tërhiqet nga kandidatura për kryetar kuvendi, nëse lëvizja Vetëvendosja e voton të nominuarin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, për kryeministër të Kosovës”.

I menjëhershëm ishte reagimi i Vetëvendosjes, e cila tha se ”e përshëndet tërheqjen e Kadri Veselit nga kandidatura për kryetar kuvendi, por, nuk e voton Ramush Haradinajn për kryeministër”. Sipas tyre, "qeverinë duhet ta udhëheqë lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti kryeministër”, për faktin që është personi më i votuar në Kosovë në zgjedhjet e 11 qershorit.     

Lojëra fjalësh që çojnë në ngërç

Tërësisht të panevojshme i shohin analistët politikë këto zhvillime që pasqyrojnë kryeneçësi, lojë fjalësh dhe inate të subjekteve politike. Blerim Burjani, analist politik  thotë se kushtetuta e ka bërë të qartë se kujt i takon posti i kryetarit të kuvendit, ndërsa, për qeverinë thotë ai duhet marrëveshje politike. "Kryeparlamentari duhet të zgjidhet sa më parë, opozita nuk ka mundësi të zgjedh kë do për kryetar kuvendi,  atë e propozon koalicioni PAN, sepse është fitues i zgjedhjeve, dhe kjo i lejohet me kushtetutën e shtetit, andaj më këtë s'ka nevojë të bëjë politikë opozita. 

Kosovo Parlamentswahlen Ramush Haradinaj
Fotografi: Reuters/A. Beqiri

Burjani thekson, se lidhur me zgjedhjen e kryeministrit, Kosova ka nevojë për një kryeministër konsensual, kryeministër të kompromisit politik, një kryeministër tjetër pra (meqenëse Vetëvendosje dhe LAA janë kundër Haradinajt), edhe jashtë pozitës dhe opozitës një njeri kredibil për disa muaj në mënyrë që shteti të funksionojë normalisht deri në zgjedhje të tjera, në të kundërtën Kosova gjendet në ngërç politik të thellë”, thotë Blerim  Burjani.

Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme të 11 qershorit nuk nxori asnjë subjekt politik fitues që do të mund të zgjidhte i vetëm kryetarin e kuvendit dhe ta krijonte qeverinë e Kosovës. Prania ndër kombëtare në Kosovë bënë thirrje për krijim të shpejtë të institucioneve në mënyrë që vendi të vazhdojë me integrimet evropiane dhe reformat e kërkuara. Ndërkohë është paralajmëruar takim i kryesuesit të seancës me shefat e grupeve parlamentare për t'u dakorduar për seancën e radhës ku do të përfundojë konstituimi i parlamentit të Kosovës.