1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova nuk do të bisedojë me Serbinë për sistemin juridik në veri, apo ndoshta edhe po?!

Qeveria e Kosovës hedhë poshtë dialogun me Serbinë për gjykatat në veri të Kosovës. Ndërsa zyrtarë të BE-së thonë se për një zgjidhje afatgjate nevojitet marrëveshja Prishtinë-Beogradi.

default

Veriu i Mitrovicës

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, thonë se sistemi i drejtësisë dhe gjykatat në Kosovë janë çështje të brendshme. Qeveria disa herë e ka bërë të qartë se në të gjithë teritorin e vendit do të konsolidohet sundimi i ligjit, përfshirë këtu edhe veriun e Kosovës duke vënë në funksion gjykatat në atë pjesë. Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, thotë për DW, se çështja e funksionalizimit të gjykatave në veri nuk do të jetë pjesë e bisedave Kosovë-Serbi.

“Porosia jonë për Serbinë është se ne po konsolidojmë sundimin e ligjit në të gjitha fushat dhe po japim një mesazh, se ajo çfarë ka ndodhë në periudhën e kaluar nuk mund të ndodhë më. Këtë çështje e kemi diskutuar edhe me EULEX-in. Ky mekanizëm evropian ka një rol që të ndihmojë institucionet e Kosovës për të vendosur ligjin veçmas në pjesën veriore të Kosovës”, thotë Edita Tahiri.

Verhandlungen zwischen Serbien und dem Kosovo

Edita Tahiri

De Marnak: duhet arritur marrëveshje

Shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnak, më herët pati deklaruar se funksionaizimi i gjykatave në veri të Kosovës duhet të bëhet me një marrëveshje të nivelit të lartë politik, duke aluduar në një marrëveshje Kosovë-Serbi. Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, thotë për programin tonë se misioni EULEX do të donte që gjykatësit vendorë të kthehen sa më shpejtë që është e mundur në gjykatat në veri, sepse kjo do të jetë për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në atë pjesë të Kosovës.

“EULEX-i ka bërë shumë përpjekje në arritjen e këtij qëllimi, mirëpo një zgjidhje afatgjatë do të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë të të gjitha palëve të interesuara. Varet nga Prishtina dhe Beogradi, si dhe lehtësuesve të BE-së, të vendosin nëse kjo çështje do të diskutohet”, thotë Blerim Krasniqi.

Bajrami: kjo është çështje e brendshme

Idenë për një marrëveshje me Serbinë sa i përket funksionalizmit të gjykatave në veri të Kosovës, njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës Arsim Bajrami, e quan një qasje të gabuar dhe të papranueshme.

“Gjykatat janë pushteti i tretë dhe është një sistem shumë vital për Kosovën. Çfarëdo kompromisi në këtë drejtim me Serbinë do ta vënte në pikpyetje integritetin teritorial dhe integritetin e sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thotë Arsim Bajrami.

Verhandlungen zwischen Serbien und dem Kosovo

Borislav Stefanoviq

Gjykatat në veri të Kosovës, pjesë kjo e banuar me shumicë serbe, u ozurpuan me 17 shkurt të vitit 2008 nga serbët lokal, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Policia e UNMIK-ut, në atë kohë ndërhyri për të larguar serbët nga gjykatat dhe në përleshje me serbët, u vra një polic ndërkombëtar nga Ukraina dhe u plagosën dhjetra të tjerë. Me ardhjen e misionit EULEX në Kosovë në dhjetor të vitit 2008, në gjykatat në veri u vendosen disa gjyqtar dhe prokurorë ndërkombëtar. Mirëpo jo edhe punonjësit shqiptar dhe serb të cilët tash e tri vjetë nuk lejohen të shkojnë në vendet e tyre të punës për shkak se atyre, siç thuhet, nuk mund t'u garantohet siguria në punë.