1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova ndërmerr masat e reciprocitetit për vizat ndaj Bosnjë-Hercegovinës

Pasi Bosnjë e Hercegovina, megjithë apelet e autoriteteve kosovare, nuk i ka hequr vizat për shtetasit e Kosovës, Prishtina zyrtare ka vendosur të përgjigjet me kundërmasa.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj edhe më parë ka paralajmëruar futjen e vizave për shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës (BeH), në qoftë se ky vend deri më 15 Janar nuk i heq vizat për shtetasit e Kosovës. "Gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit, në Sarajevë janë treguar të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë aplikur për viza për të shkuar në këtë vend. Kjo nuk është në frymën e bashkëpunimit të mirë rajonal që kemi me vendet e tjera", shkruam Hoxhaj në profilin e tij në Facebook.

Anëtari i Kryesisë së BeH, Bakir Izetbegoviq pohon se ky vendim nuk është i papritur. "T'ju them të drejtën, ky vendim është pritur, sepse BeH duhet të bëjë një hap përpara në raportet me Kosovën, jo vetëm për shkak të qytetarëve të këtij vendi, por edhe për biznesmenët tanë që bëjnë punë me Kosovën. Shpresoj që këto gjëra do t'i zgjidhim shpejt", pohon Izetbegoviq.

Procedura e komplikuar e vizave

Kosovo Aussenminister Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj

Shtetasit e Kosovës mund të hyjnë në BeH që nga vitit 2010 vetëm me lejen e posaçme të Kryesisë së ministrave të BeH - nëse ajo vlerëson se është në interesin e veçantë të BeH. Kjo praktikë është aplikuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndaj kosovarët për një vizë të BeH kanë mundur të aplikojnë në ambasadat e BeH në Shkup, Beograd apo Podgoricë. Pas futjes në fuqi të masave reciproke më 22 janar 2014, shtetasit e BeH për të kërkuar vizë për Kosovën duhet të shkojnë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë dhe kjo vizë kushton 40 euro.

Ekspertët thonë se futja e vizave për shtetasit e BeH do të ndikojë drejtëpërdrejt në tregtinë me Kosovën, sepse Kosova është një prej vendeve të rralla me të cilat BeH ka bilanc pozitiv të tregtisë. Zëvendësministri i Jashtëm i BeH për raportet bilaterale me vendet e tjera, Amer Kapetanoviq thotë se Kryesia e ministrave të BeH ka shqyrtuar mundësinë që edhe ky vend të aplikojë masa të ngjashme ashtu si edhe të gjitha vendet e tjera evropiane, që nuk e njohin Kosovën si shtet, por i njohin dokumentet e Kosovës. Ky proopozim është dërguar për miratim në Presidencën e BeH.

Muharem Zejnullahu Kosovo hat Visapflicht für Bosnien eingeführt

Muharem Zejnullahu

Politika dëmton ekonominë

"Me Kosovën duhet të aplikojmë disa rregulla administrative, të cilat nuk e prejudikojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës. BeH eksporton çdo vit në Kosovë mallra në vlerën prej 17-18 milionë euro. Opinioni boshnjak duhet ta dijë që mallra në Kosovë eksportojnë si sipërmarrjet nga Federata ashtu edhe ato nga Republika Serpska. Këto janë interesa ekonomike që duhet të kihen parasysh. Nëse presidenca e miraton vendimin e qeverisë së BeH, mendoj se situata do të relaksohet, pohon Kapetanoviq.

Vendimi i qeversisë kosovare do të dëmtojë jo vetëm biznismenët dhe sipërmarrjet, por edhe shtetasit me origjinë nga Kosova, mendon kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve në BeH, Muharem Zejnullahu.

Bosnien EU Bakir Izetbegovic

Bakir Izetbegovic

Farefisi dhe miqtë tanë në Kosovë kanë probleme shumë të mëdha për të na vizituar në BeH, sepse ky vend nuk i njeh dokumentat e Kosovës. Për kosovarët kërkohen viza të posaçme. Tani kur Kosova i ka futur masat e reciprocitetit, ne në BeH, të cilët nuk kemi dokumente të tjera, do të kemi probleme me rastin e hyrjes në Kosovë. BeH duhet të ndërmarrë masa dhe ta zgjidhë këtë problem“, thotë Zejnullahu për Deutsche Welle-n.

BeH nuk e ka njohur Kosovën si shtet, për shkak të kundërshtimit të serbëve në këtë vend. Analistët theksojnë se BeH edhe më parë ka qenë "dëm kolateral i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës" dhe se raportet e pazgjidhura politike në rajon edhe më tej i dëmtojnë proceset ekonomike në këtë vend.