1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova në Raportin e Progresit

Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit për Kosovën, ku vlerësohet nënshkrimi i MSA-së, ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale si dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën thotë se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së, është përmbyllur harta e MSA-së me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në raport thuhet se marrëveshja e MSA-së, Kosovë-BE, është një ngjarje e rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt së ardhmes evropiane. Komisioni Evropian publikon një herë në vit Raporte Progresi për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Turqinë. Me këtë raport, vlerësohet përparimi i këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane dhe përcaktohen edhe detyrimet. Raportin e Progresit e publikoi në një konferencë për media në Bruksel(10.11), komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn.

Kriteret politike

"Kosova ka përmbushur dy prej angazhimeve kryesore ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës ka votuar në favor të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Dhomave të Specializuara në gusht, duke përmbysur dështimin e parë për të kaluar në votim gjatë qershorit. Dhomat do të ndjekin penalisht rastet e lidhura me akuza për trafikim të organeve njerëzore. Kosova ka konfirmuar gjithashtu përkushtimin e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke arritur kështu marrëveshje me Beogradin për çështjet si energjia, telekomi, ura e Mitrovicës dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Seancat e fundit të dhunshme plenare të opozitës kanë ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit. Por kjo duhet të zgjidhet urgjentisht", thuhet në raport.

Në raport thuhet se në Kosovë shumë institucione të pavarura dhe autoritete rregullatore nuk janë funksionale. Prandaj në këtë linjë qeveria ashtu dhe kuvendi duhet të sigurohen urgjentisht, që këto institucione të mund të kryejnë detyrat e tyre, duke zbatuar parime kryesore kyçe të llogaridhënies, kualifikimit profesional dhe meritës.

"Qeveria ka rritur fokusin e saj në reformën e administratës publike. Është bërë progres në kornizën ligjore dhe strategjike, por llogaridhënia dhe efikasiteti duhet të përmirësohen. Konsultimet me shoqërinë civile duhet të jenë më sistematike. Mbikqyrja parlamentare e implementimit të buxhetit duhet të jetë e besueshme dhe transparente. Menaxhimi i shëndoshë financiar rreth institucioneve publike duhet të sigurohet", thuhet në raport.

Sundim i ligjit

Duke folur për sundimin e ligjit, në raport thuhet se "sistemi gjyqësor vuan nga mungesa e llogaridhënies dhe resurseve dhe i nënshtrohet ndërhyrjes politike". Krimi i organizuar gjithashtu vlerësohet se mbetet çështje shqetësuese.

Kriteret ekonomike

Niveli shumë i ulët i pjesëmarrjes së fuqisë punëtore së bashku me papunësinë e lartë po pengojnë zhvillimin ekonomik. Rekomandimet e Këshillit për Programin e parë të Reformës Ekonomike të Kosovës duhet të ndiqen me vëmendje. Rritja ekonomike ka rënë në 0.9% nën mesataren dhjetëvjeçare të 3.5% kryesisht si pasojë e pasigurisë politike dhe konsumit të ulët privat. Deficiti i vazhdueshëm tregtar reflekton një bazë të dobët të prodhimit dhe mungesës së konkurrencës ndërkombëtare. Një sektor joefikas dhe hartimi ad hoc i politikave fiskale përbëjnë rreziqe të mëdha fiskale. Por për të rritur konkurrencën, nevojiten investime të mëtejshme në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturës fizike. Ndërhyrja politike në ekonomi duhet të reduktohet.

Standardet evropiane

"Kosova është në një fazë të hershme të përafrimit në shumicën e fushave. Është bërë përparim në prokurimin publik, por Kosova duhet të forcojë kapacitetet e organeve të saj të prokurimit publik. Për sa i përket kontrollit financiar, është bërë progres i mirë, por përpjekjet e konsiderueshme janë të nevojshme për të siguruar kontroll të shëndosh të brendshëm financiar publik në gjithë administratën publike dhe në ndërmarrjet shtetërore. Në zonat e tjera të përafrimit, institucionet e Kosovës kanë demonstruar kapacitet e tyre për të ofruar prioritete politike, veçanërisht për sa i përket përgatitjes për zbatimin e MSA-së".

"Kosova vazhdon të zgjerojë pjesëmarrjen e saj në aranzhime rajonale dhe multilaterale të bashkëpunimit. Çështja e statusit të saj kërkon adoptimin e një qasjeje të durimit pragmatik. Përkushtimi i vazhdueshëm karshi dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë, vazhdon të jetë prioritet", thuhet mes të tjerash në raport.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, tha në fund se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për më shumë zhvillim ekonomik dhe sundim ligji. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës akoma nuk janë deklaruar rreth raportit të progresit për faktin që ata me datën 10.11 e pranuan zyrtarisht Raportin e Progresit nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar.