1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova në prag të raportit final për liberalizimin e vizave

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kërkojnë nga Komisioni i BE që t'i sigurojnë Kosovës një vlerësim të mirëfilltë, transparent dhe të drejtë, pikërisht ashtu siç është proceduar edhe për vendet tjera të rajonit.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, iu bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të fokusohen në përmbushjen e kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave. Fokusi të veçantë sipas Samuell Zhbogar, duhet të jetë në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, dhe të punohet shumë në riatdhesim dhe integrimin e atyre që kthehen. Këto deklarata, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, i bëri në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, ku fokusi i takimit ishte bilanci në përmbushjen e kritereve të Kosovës për liberalizimin e vizave.

Në këtë takim, i cili udhëhiqet nga presidentja Atifete Jahjaga, morën pjesë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, përfaqësuesi special të Bashkimit Europian, Samuel Zhbogar, deputetë të kuvendit, ministra, përfaqësues të organeve të drejtësisë, prokurorisë, të asociacionit të bizneseve e të shoqërisë civile.

"Fatkeqësisht këtë vit keni humbur shumë kohë në krijimin e institucioneve dhe jeni përballur me ikjet masive që kanë ndodhur në fillim të vitit. Kjo do të thotë se, nëse nuk fokusohemi, nuk kemi shumë kohë për përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave. Siguria dhe sundimi i ligjit vazhdojnë të mbeten fushat më të ndjeshme. Prandaj, përmirësimi i sundimit të ligjit, adresimi i korrupsionit dhe pastrimit të parave, duhet të jenë prioritete që raporti, i cili do të dorëzohet për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, të marrë përgjigje pozitive", tha Samuel Zhbogar.

Kosova ka parashikuar që deri në fund të këtij muaji ta ketë të kompletuar raportin me të gjitha kriteret që kërkohen për liberalizimin e vizave dhe atë ta dorëzojë në Komisionin Evropian për vlerësim.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila udhëheq Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, tha se institucionet e Kosovës janë në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, ndërsa, vlerësoj se përmbushja e pak kritereve të mbetura, tash është çështje e vullnetit politik kosovar për ta përmbyllur këtë proces.

"Kërkesat e mbetura që i kemi përpara varen tërësisht nga ne dhe ekziston një pajtim i përgjithshëm që në fund të këtij muaji, pra në fund të muajit maj, të jemi në gjendje ta dorëzojmë raportin dhe ta ftojmë Komisionin për të vlerësuar përmbushjen e standardeve me bindje për një vlerësim pozitiv gjatë këtij viti që do t'i hapte rrugë procesit të liberalizimit vitin e ardhshëm", tha presidentja Jahjaga, duke bërë thirrje që të tejkalohet çdo pengesë institucionale apo ligjore dhe të mundësohet plotësimi i të gjitha kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian.

Presidentja përmendi një nga një sfidat dhe tensionet me të cilat u përball Kosova në gjysmën e parë të këtij viti, sidomos vala e migrimit ilegal që ishte më e madhja që nga përfundimi i luftës dhe që ka dëmtuar procesin e liberalizimit të vizave.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se progresi i arritur viteve të fundit qoftë në konsolidimin e kornizës ligjore dhe strategjike, pastaj në konsolidimin e mekanizmave institucionalë dhe rezultatet e prekshme të arritura në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit, është reflektuar në raportet e fundit të Komisionit Evropian.

"Dëshiroj të theksoj se ky progres është vlerësuar edhe nga ana e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Megjithatë, jemi po ashtu të vetëdijshëm për kriteret e mbetura dhe të pa adresuara për të cilat institucionet tona janë zotuar t'i përmbyllin deri më 15 maj. Jemi zotuar që institucionet tona ta dorëzojnë raportin final deri në fund të majit, ku do të pasqyrohet progresi në përmbylljen e kritereve të mbetura", tha kryeministri Isa Mustafa. Sipas tij, pakoja e ligjeve të gjyqësorit, të drejtave të njeriut, të prokurimit publik do të kalojë në Kuvend së bashku me ligjin për përgjimet dhe krahas aprovimit do të merren masa të menjëhershme për zbatimin e këtyre ligjeve, sepse ndërlidhen me aspekte të caktuara të liberalizimit të vizave.

Kryeministri Isa Mustafa, më tej tha se marrja e vizave tash për tash në ambasadat në Kosovë, është një proces shumë i vështirë dhe i ndërlikuar, si për ata që bëjnë biznes, për ata që dëshirojnë të studiojnë jashtë, ata që kanë nevojë të shërohen kur nuk gjejnë zgjidhje në Kosovë, e po ashtu edhe ata që shkojnë të vizitojnë të afërmit e tyre.

"Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që kosovarët të mbesin edhe një kohë në geto, sepse vazhdimi i një gjendjeje të tillë do të ishte i dëmshëm si për Kosovën ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Qeveria e Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që t'i përmbushë të gjitha detyrimet, që t'i kryejë detyrat që i ka bazuar në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Prandaj, vlerësoj se Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet t'i sigurojnë Kosovës një vlerësim të mirëfilltë, transparent dhe të drejtë, as më shumë as më pak se sa çfarë është bërë me vendet tjera të rajonit", tha kryeministri Isa Mustafa.

Fenomeni që ka dëmtuar tejmase procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, është migrimi i paligjshëm që ndodhi në fund të vitit të shkuar dhe në fillim të këtij viti, ku dhjetëra mijëra qytetar të Kosovës mësynë drejt vendeve të Bashkimit Evropian duke kërkuar azil. Vendi ku më së shumti kosovarë kërkuan azil, është Gjermania. Në mediet e Kosovës vazhdimisht shkruhet se shanset e këtyre kosovarëve që t'u pranohet azili në Gjermani janë zero.

Nga një hulumtim i publikuara të hënën me (04.05) nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), thuhet se përgjegjëse për migrim eventual ilegal, është qeveria e Kosovës.

Rreth 88 për qind nga njëmijë të anketuarit, të cilët janë qytetarë më të prirë të migrojnë në vendet e BE-së, përgjegjëse e bëjnë qeverinë e Kosovës, sipas sondazhit.

Sipas këtij hulumtimi, arsyet se pse qytetarët e Kosovës do të migronin janë, humbja e shpresës se situata social-ekonomike dhe politike do të përmirësohet, kërkimi i një jetë më të mirë dhe situata e rëndë ekonomike.

Rezultatet e analizës tregojnë se shumica e individëve të gatshëm për të migruar i takojnë grupmoshave të reja.

"45 për qind e individëve që i takojnë grupmoshës 18-25 vjeç dhe asaj 25-34 vjeç, janë shprehur të gatshëm për të migruar". Në këtë analizë rekomandohet që qeveria e Kosovës të ketë një qasje më proaktive në negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për punësim sezonal me vendet e Bashkimit Evropian, SHBA-në dhe Kanadanë e Australinë.