1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova në jubileun e pavarësisë

Kosova kremton pesë vjet pavarësi. Serbia dhe shumica e pakicës serbe në Kosovë nuk e njohin pavarësinë. Konflikti është spostuar në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Pasojat e konfliktit prekin më shumë rininë.

Ura mbi Ibër në Mitrovicë

Ura mbi Ibër në Mitrovicë

Përmes një rruge të tërthortë arrin në Veriun e Mitrovicës. Imazhi i parë në rrugën kryesore dominohet nga makinat pa targa që qarkullojnë si dhe një tank i njësisë së sigurisë ushtarake të trupës ndërkombëtare KFOR. Automjeti i blinuar ushtarak ruan Zyrën Administrative të qytetit: „Këtu në veri të Mitrovicës nuk mbizotëron ligji“, thotë Adrijana Hoxhiç, drejtuesja e Zyrës Administrative në pjesën veriore të Mitrovicës. „Ne e dimë që në veri të Mitrovicës ka grupe të caktuara, të cilat duan të pengojnë çdo veprim të qeverisë së Kosovës, duke përfshirë edhe zyrën tonë. Me tensionet e vazhdueshme, në këto kushte jeta këtu është e lodhshme.“

Pakica serbe në Kosovë, e cila jeton kryesisht në veri nuk i njeh institucionet kosovare dhe ndjek ligjet e Republikës së Serbisë. Si rrjedhojë komunikimi midis pjesës veriore dhe jugore të qytetit është paralizuar qysh prej gati dy vjetësh. Arterja kryesore e qarkullimit, ura mbi lumin Ibër, që duhet t'i bashkojë dy pjesët e qytetit, është kthyer në simbolin e ndarjes. Gurë dhe copa betoni mbi urë e bëjnë të pamundur kalimin në anën tjetër të qytetit. Konflikti shqiptaro – serb për Kosovën vazhdon tani me grindjen për Mitrovicën. Për Adrijana Hoxhiç „Qyteti është i të gjithë qytetarëve, që jetojnë në të. Ne duhet të jetojmë me njëri-tjetrin, sepse ne nuk mund t'i ndryshojmë fqinjët tanë. Veriu i Mitrovicës është i pasur pikërisht, sepse këtu jetojnë shumë etni së bashku“, thotë ajo. Për Adrijana Hoxhiq përkatësia etnike nuk luan asnjë rol, pjestarët e familjes së saj u përkasin grupeve të ndryshme etnike. Kur ajo mori detyrën e re, radikalë serbë dhe shqiptarë e kanë akuzuar se përfaqëson përkatësisht njërin apo tjetrin grup. „Jo – thotë prerazi Adrijana Hoxhiç – as nuk i përkas ndonjë partie dhe as nuk përfaqësoj ndonjë grup popullsie. Unë jam drejtuese e Zyrës Administrative.“ Si nënë e dy fëmijëve ajo i ka vënë vetes qëllim që me punën e saj të angazhohet për një të ardhme më të mirë për njerëzit në qytetin e saj, veçanërisht për brezin e ri: „Rinia në veri të Mitrovicës përjeton një krizë dhe unë mendoj, se në një farë mënyre rinia po keqtrajtohet. Ka barrikada dhe protesta në vend të aktiviteteve sportive e kulturore.“

Adrijana Hoxhiq, drejtuesja e Zyrës Administrative në pjesën veriore të Mitrovicës

Adrijana Hoxhiq, drejtuesja e Zyrës Administrative në pjesën veriore të Mitrovicës

Shpresa për të ardhmen

Shkëmbimi kulturor midis etnive realizohet vetëm me mbështetje nga jashtë. Shqiptarë nga jugu dhe serbë nga veriu mësojnë dhe luajnë bashkë muzikë në Rockschool në Mitrovicë. Studenti i ekonomikut, 23 vjeçari Aleksandar krahas studimeve punon në Rockschool. „Puna këtu më ndihmon ta kuptoj më mirë situatën. Ndonjëherë më duket sikur ne jetojmë në dy botë të ndryshme. Është zhvilluar një mentalitet i izolimit. Të dyja bashkësitë janë shumë të mbyllura kundrejt njëra-tjetrës.“ Me shokët shqiptarë në anën tjetër të lumit Ibër qëllimi është të krijojnë një shoqatë të përbashkët. „Por tani kjo është e pamundur. Nga të dyja anët ekziston ndjenja e frikës dhe e urrejtjes. Propaganda reciproke i mban njerëzit larg njëri – tjetrit“, thotë Aleksandar. Megjithatë të rinjtë e rujanë kontaktin përmes E-Mail, Skype dhe Facebook. Por jashtë aktiviteve të Rockschool thuajse nuk ka kontakt, madje as përmes rrjeteve sociale. 23 vjeçari Rinor, student i matematikës, është i hapur për kontakte edhe me serbë, por „në facebook shpesh vërej që si nga serbët edhe nga shqiptarët vendosen fotografi dhe komente fyese„, thotë ai, ndaj është i rezervuar. Rinori ka përshtypjen, se „mediet me mënyrën si raporotjnë më shumë i thellojnë ndasitë se sa ndikojnë pozitivisht.“

Rock School në Mitrovicë

Rock School në Mitrovicë

Aleksandar dhe Rinor kanë shumë të përbashkëta. Por ajo që i dallon janë gjuha dhe përkatësia etnike. Lidhur me konfliktin në shtetin më të ri të botës ata kanë mendime të ndryshme. Aleksandar thotë, se në këtë konflikt bëhet fjalë më shumë për pushtet dhe dominancë: „Me mbështetjen e vendeve më të fuqishme të botës shqiptarët ia arritën të krijojnë shtetin e tyre të marrin atë që duan. Por në nivelin lokal kjo ka influencuar negativisht. Në vend të bashkëpunimit ndëretnik janë krijuar përçarje dhe akuza të ndërsjella mes dy grupeve.“

Rinori beson, se: „Do të duhet kohë derisa serbët ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, sepse ata kanë sunduar këtu për njëqind vjet. Edhe lufta ka vetëm trembëdhjetë vjet që ka përfunduar dhe pasojat janë ende të dukshme. Me kalimin e kohës dhe me avancimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, ndoshta marrëdhëniet do të përmirësohen.“

Dëshira për një të ardhme më të mirë i bashkon të dy studentët: „Rinia mund të kontribuojë shumë në përmirësimin e gjendjes, por ne nuk na jepet hapësirë në proceset e vendimmarrjes. Njerëzit e gjeneratës së vjetër duan t'i ruajnë me ngulm e me çdo kusht pozicionet e tyre. Nga shteti i ri i Kosovës prisnim të na ofronte një perspektivë më të mirë, sa i përket punësimit dhe kushteve të jetesës.“

Pamje nga rrugët e Mitrovicës

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë me moshë mesatare 25 vjeç

Kosova mund të reformohet lehtë përbetohen shpesh politikanët drejtues duke iu referuar moshës së re të popullsisë kosovare. 25 vjeç është mosha mesatare e popullsisë gati dymilionëshe në Kosovë. Por gati gjysma e kësaj popullsie është e papunë, çka e detyron shumicën në Kosovë që ta përballojnë ditën me më pak se dy euro.

Në veri apo në jug, kudo në Kosovë problemet janë të njëjta. Aleksandar preferon të largohet nga vendi pas studimeve. Rinor thotë, se e gjitha çfarë kemi tani është pavarësia, por ai do të jetë optimist dhe shpreson se duhet të bëhet më mirë, pasi kështu si deri më sot nuk mund të shkohet më tutje.