1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova në prag të shpalljes së pavarësisë

Bekim Shehu / Prishtinë12 Shkurt 2008

Autoritetet në Prishtinë: njohja e pavarësisë së Kosovës nga shtete të ndryshme do të pasojë menjëherë deklaratën e shpalljes së pavarësisë.

https://p.dw.com/p/D6O3
Fotomontazh, presidenti Sejdiu dhe kryeministri ThaçiFotografi: AP/DW

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, bësojnë fuqishëm se vetëm disa orë pasi kuvendi ta shpallë pavarësinë gjatë muajit shkurt, do të pasojnë një nga një njohjet ndërkombëtare nga vende të ndryshme. Mirëpo, siç thuhet fuqizimi i pavarësisë së Kosovës, përkatësisht vendosja e marrëdhënieve diplomatike do të kërkojë edhe një farë kohe, ndoshta deri nga mesi i marsit. Gjatë kësaj periudhe institucionet e Kosovës duhet të përmbushin kornizën legjislative të paketës së statusit të ndërmjetësuesit, Marti Ahtisari. Kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili tashmë disa herë përsëriti se Kosova do ta shpallë pavarësinë gjatë muajit shkurt, thotë se kuvendi i Kosovës nuk do të vonohet për asnjë moment në përgatitjen e legjislacionit të nevojshëm.

Edhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë të njëjtin mendim. Ibrahim Gashi, është profesor në Universitetin e Prishtinës dhe deputet në kuvendin e Kosovës: "Institucionet e Kosovës duhet të japin prova se po zbatojnë me përpikëri dokumentin e Ahtisaarit dhe se tërë legjislacionin po e harmonizojnë me këtë dokument. Kjo do të jetë, mendoj unë, si parakusht që të ndodhë fuqizimi në afatin që është përmendur, më 10 mars dhe sapo kjo të raportohet te qendrat e vendosjes, unë mendoj, do të ndodhë edhe fuqizimi",


Deklarata e pavarësisë së Kosovës teksti i së cilës akoma nuk është i njohur zyrtarisht për publikun, mësohet se do të përmbajë parimet e përcaktuara edhe me preambulën e kushtetutës, ku do të thuhet se Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran. Në të poashtu do të theksohet edhe obligimi i Kosovës për ruajtjen dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, në mënyrë të vecantë të komunitetit serb pikë kjo e theksuar disa herë edhe në planin e statusit të ndërmjetësit, Marti Ahtisari.