1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova në krizë institucionale

16 Tetor 2010

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur të dalë nga koalicioni qeverisës, duke i dhënë fund koalicionit me PDK, koalicion i kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi.

https://p.dw.com/p/Pfac
Zgjedhje në Kosovë
Zgjedhje 2009 në KosovëFotografi: AP

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ishte pjesë e qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi, vendosi që të dalë nga koalicioni qeverisës. Kjo u bë e ditur në një komunikatë për media, pas një takimi që kryesia e LDK-së kishte thirrur për ditën e shtunë, ku siç bëhet e ditur është marrë ky vendim. Vendimi i Kryesisë së LDK-së hyn në fuqi ditën e hënë më datën 18 tetor, kur zëvëndëskryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në qeverinë aktuale pritet të dorëzojnë postet.

Vendimi i sotëm i LDK-së, për daljen nga koalicioni vjen vetëm një ditë pasi ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi shpalli datën 13 shkurt të vitit të ardhshëm datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Pas rrethanave të reja të krijuara në Kosovë dhe vendimit të LDK-së, që të dalë nga koalicioni qeverisës me PDK-së, në bazë të kushtetutës Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreson që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse do të jetë një sfidë e madhe për këtë institucion. Valdete Daka, kryetare e KQZ-së deklaroi se “Pavarësisht se kushtetuta parasheh që në raste të tilla zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, janë afatet ligjore për pargatitjet e këtyre zgjedhjeve që do ta vënë në vështirësi KQZ“, thotë Valdete Daka.

Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton dhe kryeministri Hashim Thaçi
Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton dhe kryeministri Hashim ThaçiFotografi: AP

Kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, pas vendimit të kryesisë së partisë që ai e udhëheq për të dalë nga koalicioni qeverisës tha para mediave: „LDK, mbetet e përkushtuar që të jetë kontribuese e fuqishme në të gjitha proceset e rëndësishme demokratike dhe shtetërore në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve të tij. Ne do të jemi gjithmonë të angazhuar për procese të mbara në Kosovë dhe gjithmonë me konceptin e ndërtimit të shtetit në Kosovë si shtet demokratik. Gjithmonë duhet të respektohen afat ligjore dhe kushtetutese, pra për ne është esenciale që të respektohet kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Në këtë linjë për ne është i rëndësishëm edhe vendimi që mori ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi, që zgjedhjet e parakohshme në Kosovë të mbahen me 13 shkurt të vitit të ardhshëm. Mirëpo në fund të fundit ne jemi të gatshëm për zgjedhje të cilat i bëjnë mirë Kosovës në çdo kohë në kuptimin më të mirë të organizimit të tyre“, tha Fatmir Sejdiu, kryetar i LDK-së.

Nga ana tjetër, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, duke komentuar vendimin e LDK-së që të dalë nga koalicioni qeverisës me PDK, u tha mediave lokale se LDK shkaktoi krizë institucionale në Kosovë. "Duket qartë se LDK-ja e ka futur vendin në krizë institucionale dhe tani çdo zgjidhje duhet të jetë zgjidhje emergjente dhe e jashtëzakonshme. Momentalisht, vendi është vënë në krizë institucionale. Nuk ka nevojë që të shkojë më tutje. Tani duhet të dalë nga kjo krizë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të jenë dalje nga kriza sa më shpejt që të jetë e mundur," thotë Hajredin Kuç. Ai e bëri këtë deklaratë para se PDK të hyjë në një mbledhje të jashtëzakonshme.

Në një konferencë të shkurtër për media anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, tha për media se "për vendimin e LDK-së, që të dalë nga koalicioni qeverisës, PDK është njoftuar nga mediat. Ky është një lajm i keq për Kosovën dhe miqtë e saj ndërkombëtarë. PDK-ja vlerëson se vendimi i LDK-së që të dalë nga koalicioni është i motivuar nga Fatmir Sejdiu për interesa të partisë së tij“, thotë Enver Hoxhaj.

Fatmir Sejdiu
Fatmir SejdiuFotografi: DW

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u imponuan pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit të Kosovës, sepse gjykata kushtetuese e gjeti atë fajtor, për shkelje të Kushtetutës duke mbajtur njëkohësisht dy poste edhe atë të kryetarit të LDK-së.

Pas rrethanave të reja të krijuara në Kosovë dhe vendimit të LDK-së, në bazë të kushtetutës vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Koalicioni PDK-LDK u krijuar në janar te vitit 2008, pas zgjedhjeve të nentorit të vitit 2007. Ndonëse nga shumë analostë ishte vleresuar si koalicion i panatyrshëm, udheheqësit e tij thanë se kjo ishte bërë për hirë të stabilietit të vendit në një periudhë kur Kosova ishte në porocese të rëndësishme, në prag të shpalljes së pavarësisë.

Shtyhen bisedimet me Serbinë

Sidoqoftë, mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, të parakohshme apo të jashtazakonshme, ka bërë që të shtyhen edhe bisedimet e paralajmëruar me Serbinë. Udhëheqësit kryesorë politik të shtetit, nuk janë të gatshëm të futen në bisedime me Serbinë para përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Ata kanë lënë të hapur mundësinë që bisedimet mund të fillojnë për çështje humanitare siç janë personat e zhdukur por, jo për çështje të tjera ku kërkohet përfaqësim më i lartë shtetëror.

Analisti i pavarur Driton Lajqi, thotë për DW-së, se: “Partitë politike në pushtet, në këtë rast partia me e fuqishme PDK, nuk dëshiron që të bartë e vetme barrën e bisedimeve me Serbinë, sepse kjo mund të reflektojë negativisht në zgjedhjet e parakohshme. Dihet që bisedimet me Serbinë nuk janë parë me sy të mirë nga opinoni kosovar dhe mendoj se ky është shkaku kryesor, pse partitë në pushtet nuk dëshirojnë që të rrezikojnë dhe të humbin votat.

Për më shumë, shton ai, se edhe vetë faktori ndërkombëtar akoma nuk ka një axhendë të qartë të bisedimeve me Serbinë dhe kjo u vërtetua nga deklarata në Prishtinë e Sekretares amerikane të shtetit Hillari Klinton, e cila tha se SHBA-së së bashku me Bashkimin Evropian duhet të strukturojnë dialogun me Serbinë dhe më pas kur palët të jenë gati atëherë mund të fillohet me bisedat.

Vizita e Kllintonit në Bruksel tregoi megjithatë se ka arritur një pikë pajtimi për kornizën e bisedimeve dhe për rolin e SHBA-së në këto bisedime”, thotë Driton Lajqi. Sidoqoftë, dorëheqja e Fatmir Sejdiur nga posti i presidenit të Kosovës, që imponoi zgjedhjet e parakohshme pati zbehur në masë të madhe koalicionin qeveritar dhe kulmoi me vendimin e ditës së shtunë të LDK-së, për dalje nga koalicioni qeverisës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama