1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova kushte Serbisë në dialogun që zhvillohet në Bruksel

Qeveria e Kosovës: pa shpërbërjen e plotë të strukturave komunale paralele serbe dhe funksionimin e këtyre komunaveve sipas ligjeve të Kosovës, nuk do të ketë jetësim të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Moszbatimi i disa prej marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, ka mbledhur në Bruksel më 28 dhe 29.09, delegacionet e dy shteteve me praninë edhe të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Prishtina dhe Beogradi, diskutojnë rreth marrëveshjeve për lëvizjen e lirë, qarkullimin e veturave me tabelat "provë" dhe njohjen e diplomave e funksionimin e zyrave ndërlidhëse Kosovë-Serbi. Asnjëra nga këto marrëveshje nuk po zbatohet si duhet nga pala serbe, thotë për DW, kryesuesja e delegacionit kosovar njëherësh ministre e dialogut, Edita Tahiri. "Serbia ka kaq vite që nuk e ka hequr vendimin duke i detyruar qytetarët e Kosovës që me vetura kalojnë në Serbi t'i vendosin tabelat 'provë'. Ne do ta paralajmërojmë Bashkimin Evropian, ose ata do t'i heqin këto tabela ose ne do të marrin vendim që t'i vendosim edhe ne tablat 'provë' për automjetet që vijnë nga Serbia", thotë ministrja Tahiri.

Partitë politike opozitare në Kosovë ka kohë që kërkojnë nga qeveria që të vendosë masa reciprociteti me Serbinë, ndërsa kërkesa e tyre e fundit është tërheqja e nënshkrimit për Asociacionin e komunave me shumë serbe e nënshkruar më 26 gusht nga kryeministri Isa Mustafa.

Mirëpo, ministrja e dialogut Kosovë-Serbi Edita Tahiri, thotë se "Dialogu i Brukselit është detyrim ndërkombëtar në kuadër të angazhimit të shtetit të Kosovës për plotësimin e standardeve të Bashkimit Evropian në mënyrë që të integrohemi më lehtë në BE".

"Përveç kësaj, dialogu po shërben për heqjen e ndikimit të Serbisë në Kosovë në veçanti në veriun e Kosovës fakt ky që ka ndodhur që nga përfundimi i luftës. Këto marrëveshje kanë bërë që të shuhen strukturat paralele serbe dhe ato struktura që tashmë janë shpërbërë, ka përfunduar ndërhyrja e Serbisë."

Mirëpo, Serbia ende vazhdon të flasë në emër të Kosovës dhe asociacioni që do të jetë një strukturë pa kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë, është kushtetuta ajo që nuk lejon pushtet të tretë dhe marrëveshja për asociacionin është në përputhje me kushtetutën. Pra, kjo do të thotë se kjo i jep fund Serbisë që të manipulojë me serbët e Kosovës dhe kjo kushtëzohet me integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian si edhe i gjithë procesi i dialogut të Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura", thotë Edita Tahiri.

Ajo thotë se "tash e dy vjet Serbia nuk po mund të hap bisedimet me Bashkimin Evropian për shkak të moszbatimit si duhet të marrëveshjeve të Brukselit dhe ndërprerja e ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë është kusht që Serbia të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së".

Por analistët politikë vlerësojnë se Prishtina zyrtare nuk është treguar sa duhet këmbëngulëse që Serbia fillimisht të zbatojë marrëveshjet dhe më pastaj të nënshkruhen marrëveshje të tjera. Naim Rashiti, analist nga Grupi Ballkanik për Politika i tha DW, se Serbia vazhdon të mbështesë institucionet e saj paralele serbe në Kosovë.

"Më së shumti ku implementimi po ngec është funksionalizimi i komunave në veri. Komunat veriore ende po refuzojnë funksionalizimin e plotë të tyre, sipas ligjeve të Kosovës. Po ashtu asgjë nuk është bërë në heqjen e institucioneve serbe, komunave dhe kompanive publike. Një progres ka ndodhur me shuarjen e Mbrojtjes civile dhe një numër i madh i prokurorëve është integruar e pjesa e mbetur është në proces të përzgjedhjes", thotë Naim Rashiti.

Sipas tij, tema kyçe mbeten funksionimi i komunave në veri dhe shpërbërja e administratës serbe. "Nuk e di sa ka kuptim të formohet Asociacioni i Komunave Serbe pa funksionalizimin e komunave, funksioneve të saj dhe ushtrimin e plotë të kompetencave. Kjo me gjasë do ta rëndojë procesin e integrimit", thotë Naim Rashiti.

Por ministrja e dialogut, Edita Tahiri, thotë se në këtë pikë Kosova ka vënë kushte dhe ato i ka paraqitur edhe para instancave të Bashkimit Evropian.

"Kosova e ka një kusht që e kemi paraqitur në Bruksel dhe kur të përmbushet ai kusht atëherë mund të themelohet asociacioni. Kushti jonë është që të zhbëhen të gjitha strukturat paralele të mbetura në Kosovë, flas për strukturat paralele komunale dhe pasi të ndodhë ky proces, atëherë mund të themelohet asociacioni. Në tetor në Bruksel formohet grupi punues tri palësh për zhbërjen e strukturave paralele të mbetura dhe pasi në mënyrë të verifikueshme të zhbëhen të gjitha strukturat paralele, atëherë pas asaj mund të themelohet asociacioni" thotë ministrja Tahiri.

Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e ëdhënieve më 19 prill të vitit 2013 në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. E normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Bashkimi Evropian është vënë edhe si një nga parakushtet e rrugëtimit të dy vendeve në proceset e integrimit evropian.