1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova kremton katër vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Kosova është njohur shtet i pavarur nga 87 vende të ndryshme të botës dhe është antarësuar në disa institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Pavarësia e Kosovës vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.

Kosova kremton shpalljen e pavarësisë

Kosova kremton shpalljen e pavarësisë

Në Kosovë, sot me manifestime të ndryshme shënohet katër vjetori i shpalljes së pavarësisë. Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri tash është njohur nga 87 vende të botës. Në një ceremoni të organizuar në mbrëmjen e shkuar, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se në këtë përvjetor të katërt të pavarësisë, kujtohet jo vetëm dita e lindjes së shtetit të ri por, njëkohësisht nderohen të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë. “Kosova ka zgjedhur rrugën e bashkëpunimit dhe të dialogut, rrugën e zgjedhjeve paqësore dhe të marrëveshjeve pa hequr asnjëherë dorë nga subjektiviteti, sovraniteti dhe integriteti. Republika e Kosovës është realitet ndërkombëtar i pakthyeshëm”, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Për shënimin e katër vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, parlamenti mbajti një seancë soleme. Udhëheqësit kryesorë të vendit, thanë se në këto katër vjet, Kosova ka shënuar suksese dhe ajo është faktor paqeje në rajon e cila zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore.

Në shënimin e katër vjetorit të pavarësisë së Kosovës, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Peter Faith, i cili vazhdon ta mbikqyrë zbatimit e planit të Marti Ahtisarit, mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës, tha se Kosova duhet të jetë shtëpi e vërtetë për të gjithë qytetarët e saj.

“Derisa i festojmë arritjet dhe progresin e konsiderueshëm të Kosovës si shtet i pavarur, ne gjithashtu e rikujtojmë sfidën e vazhdueshme për Kosovën dhe udhëheqësit e saj për ta bërë këtë vend një shtëpi të vërtetë për të gjithë qytetarët, si dhe për të dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj të ardhmes brenda këtij vendi të qytetarëve në veri. Ne, si bashkëpunëtorët dhe miqtë tuaj ndërkombëtarë, presim që ta shohim Kosovën të bëjë progres në të gjitha fushat”, thotë në urimin e tij, shefi i ICO-së Peter Faith.

Mbikqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Koosvës pritet të përfundojë këtë vit.

Katër vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës po shënohet në kohën kur Prishtina dhe Beogradi, po bëjnë përpjekje të vazhdojnë dialogun për çështje teknike për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Megjithatë, pavarësia e Kosovës vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi, ndërsa në veri të Kosovës të banuar më shumicë serbe Prishtina zyrtare akoma nuk po mund ta shtrijë autoritetin e saj instucional. Dy ditë më parë serbët e kësaj pjese votuan në një referendum të cilët sipas mediave lokale serbe, 99 për qind të tyre janë deklaruar kundër njohjes së institucioneve të Republikës së Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama