1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova feston përvjetorin e pavarësisë, problemet mbeten

Krerët e Kosovës thonë se Kosova është faktor stabiliteti në rajon. Deri tani Kosovën e kanë njohur 65 vende, është anëtarësuar në FMN dhe Bankën Botërore, ka krijuar institucionet, por kanë mbetur edhe shumë probleme.

default

Githandej Kosovës po festohet me aktivitete të ndryshme dyvjetori i pavarësisë. Rrugët, sheshet dhe ambientet e hapura dhe të mbyllura janë veshur me flamuj të Kosovës, flamuj kombëtar dhe të vendeve që ndihmuan shpalljen e pavarësisë. Shumë personalitete nga këto vende po qëndrojnë në Prishtinë me ftesë të krerëve më të lartë të shtetit, për të festuar së bashku dyvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Seanca solemne

Ndër ngjarjet kryesore në këtë ditë ishte seanca solemne e parlamentit të Kosovës. Presidenti, kryeministri dhe kryetari i parlamentit, thanë se pavarësia e Kosovës ka kontribuar shumë në stabilitetin e rajonit dhe në këtë linjë ftuan Serbinë që të jetë konstruktive në integrimin e rajonit. Presidenti Fatmir Sejdiu, thotë se gjatë dy viteve të pavarësisë, Kosova ka ndërtuar institucionet që angazhohen për sigurinë. Ndërsa prioritet mbetet kthimi i rendit dhe ligjit edhe në veri të Kosovës ku përmend ekzistimin e strukturave

Fatmir Sejdiu

Fatmir Sejdiu

paralele serbe dhe kriminalitetin ekonomik. “Strategjia e institucioneve të Kosovës dhe zyrës civile ndërkombëtare për veriun dhe mbështetja që i jepet asaj nga bashkësia ndërkombëtare, na bën të besojmë se edhe kjo pjesë e vendit do t'i kthehet normalitetit në mënyrë që qytetarët që jetojnë atje pa dallin etnie të ndihen të lirë dhe të sigurt për vetën dhe për të ardhmen e familjeve të tyre”, thotë presidenti Sejdiu.

Thirrje Serbisë që të jetë konstruktive

Kosovo Unabhängigkeit Erklärung wird unterschrieben im Parlament von Pristina

Sejdiu, Krasniqi dhe Thaçi

Kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, i bëri thirrje Serbisë që të jetë konstruktive në zbatimin e strategjisë nga institucionet për integrimin e veriut të Kosovës.

"Ne e ftojmë Serbinë që të mbajë qëndrim konstruktiv ndaj kësaj strategjie qëllim mirë, t'i kontribuojë marrëdhënieve integruese evropiane, procesve paqësore dhe dialogut pragmatik për çështje të interesit të përbashkët. Komuniteti serb në Kosovë dhe komuniteti shqiptar në Serbi duhet të në shërbejnë si ura komunkimi dhe bashkëpunimi reciprok”, thotë kryetari i parlamenitt të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Problemet e vjetra

Në vitin e dytë të pavarësisë, Kosova vazhdon të përballet edhe me probleme tjera. Disa qytetarë shprehen të gëzuar që jëtojnë në një shtet të pavarur, por thonë se as për së afërmi nuk janë realizuar pritjet e tyre për një jetë më të mirë.

“Është realizuar një pjesë shumë e vogël nga ajo çfarë kam pritur dhe çfarë kam ëndërruar. Unë studiojë dhe nëse pas studimeve nuk mund të punësohesh, atëherë për çfarë ke shkuar në studime.”

“Kemi pritur shumë më shumë. E mira është që është shpallur pavarësia, por përparim nuk ka. Nuk e kemi pritur këtë çfarë po ndodhë, jam i zhgënjyer me klasën tonë politike e cila nuk po bënë asgjë për njerëzit, përveç se për xhepat e vet.”

“Ëndrrat e mia për këto dy vite kanë mbetur vetëm me ndjenjën e shpalljes së pavarësisë, ndërsa ekonomikisht jemi të lodhur. Unë kam pritur shumë më shumë, zhvillim ekonomik, të ardhura më të mira...asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. Unë kam tre djem, të gjithë janë të papunë”.

Papunësia ndër problemet më të rënda

Kosovo Unabhängigkeit Denkmal und Flagge in Pristina

Festimet e dikurshme

Papunësia në Kosovë vazhdon të jetë shumë e lartë edhe dy vjet pas shpalljes së pavarësisë. Llogaritet se rreth gjysma e popullatës janë të papunë, që është niveli më i lartë në Evropë. Edhe ajo pjesë e qytetarëve që punojnë dhe marrin paga nga buxheti i Kosovës, shprehen të pakënaqur me kushtet e punës dhe të ardhurat e tyre të ulëta. Pikërisht në kohën e dyvjetorit të festimit të pavarësisë, në shumë ndërmarrje shoqërore vazhdojnë grevat dhe protestat e punonjësve.

Njohja e pavarësisë

Kosova deri tash Kosova është njohur nga 65 vende të botës. Autoritetet shpresojnë se ky numër do të rritet. Ministria e jashtme u ka dërguar letra të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë me argumentime se Kosova meriton të jetë shtet dhe se kontribuon për stabilitetin e rajonit. Edhe një kompani izrealite tash e disa muaj është angazhuar nga qeveria e vendit që me reklama në mediumet më të fuqishme të botës ta bëjë promovimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 17.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M3y4
  • Data 17.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M3y4