1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova e cilëson si hisotrike marrëveshjen e MSA me BE-në

QUINT: MSA-ja historike, partitë politike në Kosovë duhet ta shfrytëzojnë mundësinë e nënshkrimit të saj për t'iu kthyer dialogut politik. Kuvendi i Kosovës është në bllokadë qysh prej më shumë se një muaji.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerëson se përmes marrëveshjes së stabilizim asocimit (MSA), Kosova nisi rrugëtimin e saj të pakthyeshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas saj, ky përparim është rezultat i reformave të përmbushura dhe konsensusit të gjerë shoqëror dhe politik që gëzon agjenda evropiane në Kosovë.

"Kosova vendosi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, marrëdhënie kjo me të drejta dhe detyrime të ndërsjella. Kjo marrëveshje do të ndihmojë në zbatimin e reformave në shumë sektorë, si dhe do thellojë dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Përfitimet e Kosovës janë të shumta, sidomos në nxitjen e investimeve të jashtme dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillim të qendrueshëm ekonomik të vendit", u shpreh presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Nënshkrimi i MSA-së është vlerësuar si historik edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila thotë se kjo marrëveshje krijon kushte të një ekonomie funksionale të tregut. "OEK vlerëson se nënshkrimi i MSA-së paraqet njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe e konsideron si kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e kushteve për të bërit biznes dhe për përshpejtimin e proceseve integruese edhe në rrafshin ekonomik. Nënshkrimi i MSA-së është gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në forcimin e konkurueshmërisë së kompanive vendase dhe krijon kushte më të volitshme për pjesëmarrjen e tyre në tregun ndërkombëtar", shprehet Oda Ekonomike e Kosovës.

Dialogu dhe marrëveshjet e Kosovës me Serbinë i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës nënshkrimin e MSA-së që u realizua të martën (27.10). Autoritet serbe, janë shprehur se nuk janë të kënaqura me përmbajtjen e kapitullit të 35-të të këtyre negociatave që sipas tyre, paragjykon statusin e Kosovës. Sipas zyrtarëve serb, në kapitullin e 35-të nuk kërkohet drejtpërdrejt njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por kapitulli e nënkupton këtë gjë.

Mirëpo, analisti politik dhe njohësi i çështjeve evropiane, Naim Rashiti, i tha DW-së, se parimet e marrëveshjes BE-Kosovë e obligojnë edhe Kosovën që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë. Pra sipas tij, nuk ka kushte vetëm Serbia për anëtarësim në BE, por edhe Kosova. "Nuk egziston vetëm kapitulli 35 për Serbinë. Me gjuhë shumë të ngjashme është e formuluar edhe për Kosovën në MSA. Pra tani mund ta themi edhe më qartë, edhe Kosova është e kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në rrugën e saj për anëtarësim në BE. Tani, çdo kosovar mund të gjykojë (duke përfshirë edhe opozitën)me kushtet e BE-së, e cila u vendos kushte vendeve që duan të anëtarësohen në klubin e saj. Një prej kushteve të tyre janë edhe bisedat dhe marrëveshjet me Serbinë. Ka edhe shumë të tjera e jam i sigurtë se deri në anëtarësimin e Kosovës në BE do të ketë edhe më shumë kushte. Të gjitha në shërbim te evropianizimit të Kosovës dhe rajonit, proces që do të marrë disa dekada", thotë Naim Rashiti.

Nënshkrimi i MSA-së u realizua në një periudhë kur mazhoranca në pushtet po përballet me përplasje me partitë opozitare, të cilat tash e më shumë se një muaj kanë bllokuar punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Kundërshtimi më i madh ndodhi pas marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi.

Opozita i kërkon kryeministrit Isa Mustafa, që të tërheqë nënshkrimet nga këto dy marrëveshje, sepse i cilëson ato të dëmshme për Kosovën. Nga ana tjetër, mazhoranca i cilëson marrëveshje të mira. Duke parë këto qëndrime të ngurta të pozitës dhe opozitës, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar dhe ambasadat e vendeve më të industrializuara, në një deklaratë të përbashkët u bënë thirrje partive politike në Kosovë që të shfrytëzojnë mundësinë e nënshkrimit të MSA-së për t'iu kthyer dialogut.

"Përdorimi i dhunës nuk ka vend në aktivitetet politike. Ekzistojnë mënyra dhe mjete të shumta demokratike që opozita mund t'i përdorë për të ngritur zërin e saj, dhe përdorimi i gazit lotsjellës nuk është asnjëra prej tyre. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të shfrytëzojnë mundësinë e nënshkrimit të MSA-së për t'iu kthyer dialogut politik në nivel të institucioneve dhe të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për vlera evropiane me vepra, e jo me fjalë. Është në interes të të gjitha partive politike dhe në rend të parë të qytetarëve të Kosovës që të punojmë së bashku drejt zbatimit të shpejtë të MSA-së për të mirën e transformimit më të shpejtë të Kosovës në një vend ku njerëzit shohin me optimizëm të ardhmen e tyre evropiane. Në këtë kuptim, një kuvend që funksionon, efikas dhe efektiv, do të ishte qenësor", thuhet në deklaratën e zyrës së BE-së dhe vendeve të QUINT-it.

Opozita në Kosovë, megjithë kritikat që po i bëhen për bllokimin e punës së kuvendit, e përshëndetën arritjen e MSA-së, e cila u nënshkrua nga kryeministri Isa Mustafa. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, thekson se megjithëse MSA-ja e nënshkruar nuk është plotë, siç ka qenë për vende e tjera, ajo është rezultat i një përpjekjeje të disa brezave qeverisës të Kosovës, prandaj si e tillë është një hap i rëndësishëm. "Sipas AAK-së, nënshkrimi i MSA-së jo domosdoshmërisht është garanci për rrugë të shpejt për anëtarësim në BE, sepse anëtarësimi në BE është drejtpërdrejt i ndërlidhur me nivelin e qeverisjes së brendshme dhe demokratizimin në tërësi. Kroacia dhe Maqedonia e kanë nënshkruar MSA-në në vitin 2001.

Madje, Kroacia e ka nënshkruar 6 muaj dhe 20 ditë pas Maqedonisë, por Kroacia ka një kohë që është anëtare e BE-së, ndërsa Maqedonia është shumë larg në rrugëtimin e saj! Fatkeqësisht, Kosova është e fundit që e nënshkruan këtë marrëveshje dhe institucionet e Kosovës do të kenë sfida të mëdha para vetes në plotësimin e kritereve që kërkon kjo marrëveshje", thuhet në deklaratën për media të AAK-së.