1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova do të aplikojë ekspertizë gjermane në bujqësi

Në Kosovë qëndroi për një vizitë të shkurtër Ministri Federal Gjerman për Ushqim dhe Agrikulturë, Christian Schmidt.

Ministri Federal Gjerman për Ushqimin dhe Agrikulturë, Christian Schmidt, tha në Prishtinë (17.11) se marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) e nënshkruar një vit më parë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, i ka hapur rrugën Kosovës drejt tregut evropian. Ministri federal gjerman po viziton Kosovën me ftesë të homologut të tij kosovar, Memli Krasniqi, ku temë kryesore e bisedave ishte mundësia e trajnimit në Gjermani të të rinjve kosovar në fushën e bujqësisë. Christian Schmidt, takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se "Gjermania ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çështjet jetike në Kosovë në të gjitha fazat, duke qenë ndër përkrahësit dhe partnerët strategjik të shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës".

Ministri Federal Gjerman për Ushqim dhe Agrikulturë, Christian Schmidt, tha se: "Prioritet është zhvillimi i Kosovës si një shtet evropian, i cili dëshiron të integrohet jo vetëm në tregun evropian por edhe në bashkësinë e vlerave evropiane. Fakti që Kosova e ka nënshkruar marrëveshjen e stabilizim asocimit (MSA) është një hap shumë i rëndësishëm, por, mbetet ende shumë punë për të bërë dhe për këtë unë e kam pranuar me dëshirë ftesën e ministrit Krasniqi, të cilin kam pasur rastin ta përshëndes edhe në Berlin dhe me të cilin do të kemi mundësi që të takohemi sërish në janar, ku ne do të flasim për çështje tjera të bashkëpunimit bilateral", tha ministri gjerman, Christian Schmidt.

Praktikat e mira të shtetit gjerman në fushën e bujqësisë dhe për sigurinë e ushqimeve do ta ndihmojnë Kosovën në zhvillimin e këtij sektori, tha ministri kosovar i bujqësisë, Memli Krasniqi. "Në kuadër të programeve të BE-së, programeve që njihen si 'Twining' ne kemi përfituar mbështetje nga ekspertiza gjermane sa i përket sigurisë së ushqimit në projekte të ndryshme në agjencinë e ushqimit dhe veterinarisë. Tani vullneti i dyanshëm ekziston për ta zgjeruar këtë bashkëpunim, këtë mbështetje edhe në sektorë të tjerë të bujqësisë, por edhe turizmit rural, avancimin e mëtejmë në fushën e vreshtarisë dhe verarisë, pastaj konsolidimin e tokave bujqësore, si dhe organizimin e trajnimeve dhe praktikave të ndryshme në Gjermani, për fermerët dhe ekspertët e Kosovës, por edhe për studentët e agronomisë dhe fushave të përafërta për të marrë përvoja nga dora e parë në një vend siç është Gjermania, ku bujqësia është jashtëzakonisht e zhvilluar", tha ministri Memli Krasniqi.

Ministri Federal Gjerman për Ushqimin dhe Agrikulturë, Christian Schmidt, pas Kosovës do të vizitojë edhe Shqipërinë.