1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje të rëndësishme

Bahri Cani25 Gusht 2015

Në Bruksel u nënshkruan katër marrëveshje të rëndësishme për normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi. Përfaqësuesit e Kosovës thonë se marrëveshjet respektojnë në tërësi statusin e shtetit., por Beogradi mendon ndryshe.

https://p.dw.com/p/1GLU7
Federica Mogherini
E ngarkuara e BE Politikën e Jashtme, Federica MogheriniFotografi: AFP/Getty Images/B. Smialowski

E ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, konfirmoi se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë nënshkruar pas një dite të gjatë (25.08)katër marrëveshjet e diskutuara shumë muajt e fundit: Marrëveshjen për Telekomunikacionin, Marrëveshjen për Energjinë, për lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë si dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

"Ruhet sovraniteti"

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pohon se "Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive" dhe se "Marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës."

“Sot kemi arritur marrëveshje të rëndësishme. Ne e konsiderojmë një sukses shumë të madh të arritur me këto marrëveshje, sukses në shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun". Mustafa tha se pala kosovare "konsideron se të gjitha marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës". Asociacioni "do të mundësojë që të ndihmohen komunat me shumicë serbe, por nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Kështu që funksionimi i shtetit të Kosovës do të jetë normal dhe i suksesshëm", theksoi kryeministri Mustafa.

Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi pohon se marrëveshjet "janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës".

"Serbia nënshkruan pas presioneve"

“Serbia ka nënshkruar pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Kemi qenë peng i refuzimit të tyre, sepse pala kosovare ka qëndruar prapa asaj që është zotuar: të arrijë marrëveshje sipas dokumenteve të Kosovës”, theksoi Thaçi duke shtuar se "Asocioacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive". Pala kosovare dhe bashkësia ndërkombëtare ka insistuar që të katër marrëveshjet të nënshkruhen së bashku, pasi pala serbe ka qenë më së shumti e interesuar për marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ndërsa ajo kosovare për tri marrëveshjet e tjera.

Isa Mustafa
Kryeministri i Kosovës; isa MustafaFotografi: AFP/Getty Images/A. Nimani

Ura mbi Ibër hapet më 15 tetor

Ministrja e Kosovës për Dialog Edita Tahiri tha se "nënshkrimit të marrëveshjeve u kanë paraprirë zhvillimet pozitive në këtë raund të bisedimeve". "Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Asociacioni nuk do të ketë kurfarë kompetencash ekzekutive. Ndërsa barrikada mbi urën Ibër do të hiqet më 15 tetor", theksoi Tahiri. Palët shpresojnë se me largimin e “Parkut të paqes”, ura mbi lumin Ibër do të hapet për qarkullim pas plot 16 vitesh. Edita Tahiri pohon se Kosova do të ketë kodin ndërkombëtar telefonik +383. Ndërsa për çështjet e energjisë "Serbia ka pranuar t'i heqë pengesat që i ka krijuar deri më tash dhe zbatimi do të shkojë sipas planit".

"Bisedimet tepër të vështira"

Delegacioni serb ka bërë të ditur gjatë ditës se bisedimet në Bruksel kanë qenë "tepër të vështira". Në veçanti mosmarrëveshje dhe mospajtime ka pasur rreth formimit të Asociacionit. Pala serbe ka insistuar që të dihet çdo detaj i funksionimit të këtij Asociacioni. Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se "marrëveshjet e nënshkruara janë të mira për popullin serb në Kosovë." Në veçanti Marrëveshja për krijimin e Asociacionit, i cili "do të ketë kompetenca shumë të gjera". Ndërsa tani "nuk ekziston asnjë pengesë për hapjen e kapitujve të parë në negociatat mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian".

Kompetencat e Asociacionit

"Asociacioni do të ketë kryetarin e vet, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin. Asociacioni do të vendosë për katër çështjet e Marrëveshjes së Brukselit: shëndetësinë, shkollimin, planifikimin rural dhe urban si dhe zhvillimin ekonomik", bëri të ditur Vuçiq në një deklaratë për Televizionin e Serbisë, duke shtuar se Serbia do të ketë të drejtën ta financojë këtë Asociacion, pa paguar tatime apo taksa.

Vuçiq ka bërë të ditur se në shtator do të vizitojë Kosovën dhe dhjetë komunat me shumcië serbe, të cilat në të ardhmen do të jenë pjesë e Asociacionit. Në këtë Asociacion bëjnë pjesë katër komunat në veri: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, si dhe komunat e tjera në jug Graçanica, Shtrpce, Novo Brda, Ranillugu, Pasjane si dhe Parteshi dhe Kllokoti.

Serbischer Ministerpräsident Aleksandar Vucic
Kryeministri i Serbisë Alexandar VuçiiqFotografi: DW/B. Marx

Marrëveshja për energjinë e "paplotë"

Vuçiq pohon se është nënshkruar edhe marrëveshja për energjinë por pa u arritur marrëveshje për sistemin operativ, distribuimin dhe pasurinë. "Për herë të parë do të kemi edhe një furnizues dhe tregtues me energji, e ajo është një bijë e kompanisë EPS (Sistemi elektroenergjetik i Serbisë).

"Ata (delegacioni i Kosovës) kanë dashur të na mashtrojnë rreth pasurisë. Ata e kanë shkruar se kjo është pasuri e tyre. Ndërsa ne e kemi shkruar menjëherë se kjo është, sipas Kushtetutës, pasuri e Serbisë." Sa i përket kësaj marrëveshjeje, Vuçiq tha se "këtu priten probleme". Lidhur me telekomunikacionin tha se serbët edhe më tej kur thërrasin në Serbi nuk duhet të përdorin kodin e ri. Kodin për thirrje nuk duhet ta përdorin as serbët e Serbisë kur telefonojnë me ata në Kosovë. Ndërsa për urën mbi lumin Ibër ai tha se "serbët nuk duhet të shqetësohen". "Rruga Kralja Petra do të jetë zonë për këmbësorë, ku nuk do të futen kamionë", tha Vuçiq.