1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova dhe Serbia nuk janë dakord për Asociacionin

Në Bruksel u mbajt raudi i parë i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, prej fillimit të bllokimit në parlament. Palët thonë se bisedimet u zhvilluan në atmosferë të mirë. Por cilat ishin rezultatet konkrete?

Takimi Mustafa-Mogherini-Vuciq

Takimi Mustafa-Mogherini-Vuciq

Ndërmjetësuesja në negociatat për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, Frederica Mogherini pohon se bisedimet u zhvilluan në një "atmosferë shumë të mirë”. Kryeministrat e Kosovës Isa Mustafa dhe Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani, siç janë, Marrëveshja për njohjen e diplomave të universiteteve, Marrëveshja për lëvizje të lirë, Marrëveshja e parë, e nënshkruar në prilli të vitit 2013, si dhe ajo e gushtit 2015. Në komunikatën e Përfaqësueses së lartë të BE, theksohet se "janë bërë përparime në zbatimin e disa marrëveshjeve", siç është ajo për lëvizjen e lirë dhe njohjen e targave të automjeteve.

Palët kanë shprehur interesim dhe gatishmëri për njohjen edhe të diplomave dhe çertifikatave shkollore. "Palët janë fokusuar edhe tek angazhimi për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, bazuar në marrëveshjet e nënshkruara më parë". Në kumtesë thuhet se palët kanë rënë dakord edhe për fillimin e bisedimeve për lidhjet direkte ajrore dhe hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë.

Mustafa: Asociacioni vetëm në përputhje me Kushtetutën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi në orët e vona të mbrëmjes se me homologun e tij serb Vuçiq kanë biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme. Ndërsa për Marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tha se ajo mund të implementohet "vetëm në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës". Pala serbe ka kërkuar që në territorin e Kosovës të zhvillohen zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Mustafa tha se "do të respektohet e drejta e serbëve për të votuar, por vetëm në përputhje me ligjet e Kosovës".

Isa Mustafa ne interviste me DW

Mustafa shkeli fjalët e veta

“Asgjë në lidhje me Marrëveshjen për Asociacionin, nuk do të procedohet, nëse nuk është në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Mustafa, para gazetarëve të mbledhur në Bruksel, pas takimit trepalësh të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE, Mogherini. Edhe ai nënvizoi se "takimi është zhvilluar në një atmosferë konstruktive" dhe se palët kanë biseduar për çështjen e njohjes së diplomave dhe për lirinë e lëvizjes.

Mustafa udhëton edhe pa liberalizimin e vizave

Para një muaji, kryeministri Isa Mustafa kishte kërcënuar se nuk do të udhëtojë jashtë vendit, pa liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi që Komisioni i BE kishte konstatuar se Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet për këtë hap. Në shenjë proteste, ai ka deklaruar në një intervistë për DW, se "nuk është etike që ai të udhëtojë, ndërsa qytetarët e Kosovës jo". Mustafa përsëriti në Bruksel se situata me vizat mbetet "e papranueshme, por Prishtina duhet të kontribuojë në dialog".

“Ne duam të tregojmë se jemi konstruktiv në angazhimet për normalizimin e marrëdhënieve. Mendoj se ne i kemi përmbushur kriteret politike për heqjen e vizave”, theksoi Mustafa. Në prag të këtij takimi homologu i tij serb Vuçiq tha se "ka qeshur" me palën kosovare, ku ka dëgjuar deklaratat se nuk do të udhëtojnë jashtë vendit pa liberalizimin e vizave. "Do të udhëtojnë si tulipanë të bardhë", kishte thënë ai para gazetarëve në Beograd, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta përçmuese në mediat sociale.

Aleksandar Vuciq

Vuçiq tha se "ka qeshur" me kërcënimet e kosovarëve

Serbia nuk e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Kryeministri i Serbisë Vuçiq gjatë procesit të bisedimeve tha se ai shpreson arritjen e "çfarëdo marrëveshjeje" e cila do të "zhbllokonte procesin e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe". "Ky proces do të vazhdojë gjatë, nuk është i thjeshtë, por me rëndësi është që të futemi në këtë proces, sepse ky është obligimi i të gjithëve", tha ai për Radio Televizionin e Serbisë. Ndërkohë që para gazetarëve doli edhe Marko Gjuriq, i cili tha se "ekzistojnë shanse që të zhbllokohet çështja e përpunimit të statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

"Ky do të ishte një hap shumë i madh për Asociacionin, i cili është shumë i rëndësishëm për palën serbe". Gjuriq theksoi se "Serbia nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë vendimin e të ashtuquajturës Gjykata Kushtetuese në Prishtinë" dhe se "baza e vetme mbetet Marrëveshja e 25 gushtit, e arritur në Bruksel". "Këtë vendim (të Gjykatës Kushtetuese) e konsiderojmë një akt intern, i cili nuk ka lidhje me dialogun dhe nuk ka kurrfarë pasojash juridike për palën serbe", theksoi Gjuriq.