1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet

Duhet të gjenden mundësitë për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të gjenden mundësitë për një bashkëpunim ndërkufitar dhe Serbia në Kosovë të mos ketë struktura paralele.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaci

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaci

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi në aeroportin e Prishtinës në Kosovë se Gjermania dëshiron komunikim të hapur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që qeveria e Kosovës në bashkëpunim me misionin EULEX të angazhohet për rend dhe ligj dhe Serbia të shuajë strukturat paralele ne Kosovë.

Gjatë një konference të shkurtër për media pas një takimi, që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Gjermania është një ndër shtetet e para, që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe sipas saj, Kosova si një shtet demokratik dhe multietnik do të jetë një kontribut për të ardhmen e paqes në rajonin e Ballkanit.

Në Kosovë duhet të sundojë rendi dhe ligji

Merkel dhe Thaci në aeroportin e Prishtinës

Merkel dhe Thaci në aeroportin e Prishtinës

“Unë sot e thashë, se sa është i rëndësishëm zhvillimi i Kosovës, në mënyrë që Kosova të bëhet shtet i fortë demokratik, ku sundon rendi dhe ligji dhe ku do të angazhohet për të luftuar fenomenet negative, si krimi i organizuar dhe korrupsioni. Bashkëpunimi me misionin EULEX është shumë i rëndësishëm dhe ky bashkëpunim nuk duhet të mbetet vetëm në letër”, tha kancelarja Merkel.

Kancelarja gjermane foli edhe për situatën në veri të Kosovës, ku ushtarët gjermanë të KFOR-it në përpjekje për të larguar barrikadat e serbëve në rrugë u lënduan disa herë, madje së fundi dy ushtarë u plagosën me armë zjarri nga protestuesit.

Serbia nuk duhet të ketë struktura paralele në Kosovë

“Në bisedat tona me Serbinë e kemi bërë të qartë se çfarë dëshirojmë në raport me Kosovën në kuadër të përmirësimit të marrëdhënieve. Duhet të gjenden mundësitë për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të gjenden mundësitë për një bashkëpunim ndërkufitar dhe jemi të angazhuar, që Serbia në Kosovë të mos ketë struktura paralele. Këtë e kam thënë në Serbi dhe sot e thashë ketu se çfarë presim nga Kosova, e cila duhet të angazhohet që të ketë komunikim të hapur me Serbinë”, tha kancelarja Merkel.

Ajo tha se ka akoma punë për t'u bërë në ndërtimin e një shteti ligjor në Kosovë, sikundër mbetet punë për t'u bërë për marrëdhënie më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas kancelarës Merkel Gjermania dëshiron ta japë kontributin e saj dhe në këtë mes ajo falënderoi ushtarët gjermanë, që janë duke dhënë kontributin e tyre në Kosovë.

“Lidhur me situatën në veri kam biseduar edhe me presidentin serb Boris Tadic dhe i kam kërkuar që të gjenden forma të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Në këtë linjë edhe palën kosovare e kam lutur që të japë angazhimin e saj në këtë drejtim, në mënyrë që mbetemi në kontakt të vazhdueshëm me Serbinë dhe presidentin Tadic. Ne dëshirojmë që me ushtarët tanë në kuadër të KFOR-it si dhe me përfaqësuesit tonë në misione civile të angazhohemi në mënyrë që Kosova të jetë më e sigurt. Angazhimi i ushtarëve gjerman në Kosovë nuk është i lehtë”, tha kancelarja Angela Merkel.

Kancelarja Angela Merkel bisedon me ushtarët gjermanë në Kosovë

Kancelarja Angela Merkel bisedon me ushtarët gjermanë në Kosovo

Kryeministri Thaci, nga ana e tij, siguroi kancelaren Merkel, se Kosova do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj, duke qenë e vendosur që të mbyllë historinë e konflikteve dhe të hapë kapitullin e zhvillimit. Sipas tij Kosova do të jetë e përkushtuar në dialog me fqinjët në këtë mes edhe me Serbinë dhe sipas tij, dialogu është zgjidhja e vetme për përmirësimin e raporteve me Serbinë, por që ky dialog të marrë vlerën e vërtetë, duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Thaçi ”Unë përulëm para ushtarëve gjermanë, që i shërbejnë paqes në Kosovë”.

“Unë sot përulem para ushtarëve gjermanë, që i shërbejnë paqes në Kosovë dhe u uroj atyre, që u lënduan në veri shërim dhe shëndet”, tha kryeministri Thaçi.

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbërriti në aeroportin e Prishtinës afër orës 11. Ajo u prit nga kryeministri Hashim Thaçi me një ceremoni të lartë shtetërore me praninë e gardës ceremoniale.

Kancelarja Merkel, e cila viziton Kosovën për herë të parë, zhvillon biseda edhe me shefin e misionit EULEX, Xavier Bout de Marhack dhe përfaqësuesin special BE-së në Kosovë Fernando Gentilini. Një takim të veçantë e ka rezervuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman Erhard Drews.Të gjitha këto takime janë të mbyllura për media. Gjatë rrugës nga aeroporti deri në kryeqytet perreth rrugës qëndronin nxënës të shkollave fillore, duke valëvitur famuj gjermanë dhe të Kosovës, në shenjë mikpritjeje dhe falënderimi për ndihmën e Gjermanisë ndaj Kosovës. Po ashtu rrugët e Prishtinës janë mbushur me fotografi të kancelares dhe me flamuj gjermanë, duke krijuar kështu një atmosferë vërtetë mikpritëse për kancelaren gjermane Angela Merkel.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM