1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova dhe Serbia duhet të njihen mes vete

Kosova është e gatshme për pjesëmarrje në të gjitha takimet, ku prezantohet si shtet i pavarur, ndërsa Beogradi me bojkotime e dëmton vetveten, pohon kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në intervistë për Detusche Wellen

default

Kryeminitri i Kosovës Hashim Thaçi, flet për DW.

DW: Në takimin në Bërdo afër Kranjit nuk erdhi presidenti i Serbisë Boris Tadiq, për shkak se Kosova u ftua si shtet dhe jo sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Si mund të tejkalohen problemet rreth pjesëmarrjes së Kosovës dhe Serbisë në takimet e këtilla, pasi bashkëpunimi rajonal është një prej kushteve kryesore në rrugën e integrimeve evropiane?

Thaçi: Probleme nuk ka sa i përket Kosovës. Probleme ka Serbia, e cila krejt padrejtësisht dhe jomençurisht po bojkoton këto takime, që tek e fundit po i kthehet si bumerang. Vizioni ynë është bashkëpunimi, ndërtimi i fqnijësisë së mirë, respekti i ndërsjellë dhe perspektiva euroatlantike.

DW: Ju deklaruat para gazetarëve se zgjidhja më e mirë për Prishtinën dhe Beogradin do të ishte njohja bilaterale e Kosovës dhe Serbisë si shtete. Mendoni se kjo është reale?

Thaçi: Mendoj se definitivisht duhet të mirret ky vendim edhe nga Prishtina edhe nga Beogradi, në mënyrë që të ndodhë hapi i rëndësishëm i perspektivës së bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe perspektivës sonë të përbashkët për t'u anëtarësuar në familjen evropiane.

DW: Serbia disa herë ka kërkuar vazhdimin e dialogut me Prishtinën për statusin e Kosovës, ndërkohë që ju jeni për dialog, por vetëm për çështjet konkrete. A është i mundur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në kushte të këtilla?

Thaçi: Këtë çështje Serbia gati e ka harruar e nëse jo, do ta harrojë. Çështja e statusit është e përfunduar në bazë të dokumentit të presidentit Ahtisari, me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm, një proces i cili tash e tutje ka për synim forcimin e shtetit, demokratizimin, multietnicitetin dhe integrimin në NATO dhe BE.

DW: Jeni ju të gatshëm për pjesëmarrje në takimet e ngjashme, të cilat eventualisht do të organizoheshin edhe në Beograd?

Thaçi: Ne do të marrim pjesë në të gjitha takimet, ku Kosova përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran, siç do ta ftonim edhe Beogradin që të marrë pjesë në takimet, që do të mbaheshin në Kosovë. Ne duhet t'ia lehtësojmë punën njëri-tjetrit për t'u intergruar e jo ta pengojmë njëri - tjetrin. Është pra një veprim i njëanshëm, jo i qëlluar dhe jo i drejtë i Beogradit, për mosparticipim. Por heret a vonë Beogradi do të bindet për pjesëmarrje.

DW: Qeveria juaj ka hartuar një strategji për veriun e Kosovës. Çfarë ju bën optimist se mund ta realizoni këtë strategji?

Thaçi: Unë jam optimist dhe gjërat kanë filluar të lëvizin. Kemi formuar grupet punuese për sundimin e ligjit, për formimin e komunës së re, por edhe për organizimin e zgjedhjeve të lira në tri komuna në veri të Mitrovicës si dhe për angazhimet socio-ekonomike. Kemi prezencën atje edhe të NATO-s dhe EULEX-it.

DW: A keni njoftime për gatishmërinë më të madhe të serbëve të veriut për pjesëmarrje në proceset, që organizohen nga qeveria e Kosovës, pasi deri tani ato janë bojkotuar prej tyre?

Thaçi: Për mua ishin impresionuese deklarimet e kryeministres së Kroacisë, Jadranka Kosor, e cila tha se ata i inkurajojnë dhe u sugjerojnë kroatëve në Bosnje-Hercegovinë që kryeqyteti i tyre është Sarajeva, se shteti i tyre është Bosnje-Hercegovina dhe se perspektiva e tyre është në këtë shtet. Mendoj se edhe zoti Tadiq duhet të marrë guximin qytetar dhe shtetëror që të dërgojë mesazhe të këtilla edhe për serbët në veri, se kryeqyteti i tyre është Prishtina, shtet i tyre është Kosova dhe perspektiva e tyre është në Kosovë.

DW: Kryeministri i Republikës Serpska, Millorad Dodik këto ditë mbështeti idetë për ndarjen e Kosovës, me qëllim që të ndahen edhe serbët e Bosnje-Hercegovinës....

Thaçi: As nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as nuk do të ketë dialog për statusin dhe as nuk do të ketë Dejton. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe i njohur ndërkombëtarisht.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 22.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MZ0Y
  • Data 22.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MZ0Y