1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova dhe menaxhimi i kufijve të saj

Një delegacion i Komisionit Evropian së shpejti do të inspektojë kufirin Serbi - Kosovë. Kosova nuk u përfshi në procesin e liberalizimit të vizave, por që tani ka hartuar strategjinë e menaxhimit të kufijve të saj.

Pamje nga kufiri Kosovë - Serbi.

Pjesa e kufirit me Serbinë mbetet problematike për kontrabandën në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka kohë që ka miratuar strategjinë për menaxhimin e integruar të kufijve të vendit. E gjithë kjo ka të bëjë me parakushtet për liberalizim të vizave, edhe pse Kosova nuk u përfshi në këtë proces, sikurse tri vendet fqinje të saj: Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Menaxhimi i kufijve të Kosovës në përputhje me praktikat dhe standartet evropiane

Strategjia e Kosovës për menaxhimin e kufijve, parasheh arritjen e objektivave të afërta me praktikat dhe standardet evropiane në menaxhimin e kufijve, siç janë ruajtja e paqes dhe stabilitetit të brendshëm dhe rajonal, lehtësimi i tregtisë dhe qarkullimit të njerëzve, por edhe mbyllja e kufirit për të gjithë ata që zhvillojnë aktivitete të paligjshme. Kjo strategji po realizohet në bashkëpunim më zyrën civile ndërkombëtare ICO, dhe misionin evropian EULEX.

Operacione të përbashkëta për parandalimin e kontrabandës

Behar Selimi, nga policia e Kosovës dhe kryetar bordi për menaxhimin e kufijve, shpjegon: “Vendimi i parë është që të funksionalizohet sa më parë qendra e përbashkët operative, e pajisur me kamera në doganat e Kosovës, e cila do të shfrytëzohet edhe nga Policia e Kosovës edhe nga përfaqësuesit e shërbimeve fito-sanitare dhe veterinare. Të krijohet një qendër e komunikimit të vazhdueshëm 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Më e rëndësishmja është që tash e tutje, do të ndërmarrim operacione të përbashkëta për parandalimin e kontrabandës përgjatë gjithë vijës kufitare të Kosovës."

Thaçi: Serbia të veprojë në përputhje me angazhimet me Brukselin

Kosova akoma ka probleme në menaxhimin si duhet të kufirit të saj verior me Serbinë. Autoritet policore të Kosovës thonë, se nuk kanë fare bashkëpunim me policinë kufitare të Serbisë, por besojnë se në të ardhmen kjo do të ndodhë. Në mesin e këtij muaji, një delegacion nga Komisioni Evropian, do të inspektojë kufirin e Serbisë me Kosovën, për të parë zhvillimet në terren. Serbia është përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave. Kjo vizitë e përfaqësuesve të Komisionit Evropian në kufirin e Serbisë me Kosovën, për Kryeministrin Hashim Thaçi, është një sinjal mjaft i mirë për Serbinë. “Ky është një sinjal i qartë nga Brukseli, që Serbia të veprojë në përputhje me angazhimet që kemi ne me Brukselin dhe njohjen dhe respektimin e plotë të tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës”, thotë Kryeministri Thaçi.

Kontrabanda problem më i theksuar në kufirin me Serbinë

Kufijtë e Kosovës aktualisht ruhen nga forcat paqerujatëse në bashkëpunim me policinë e Kosovës. Por ekziston një zonë ndërmjet kufijve të Kosovës dhe vendeve fqinje të saj, ku policia e Kosovës nuk ka qasje. Kjo zonë është nën autoritetin e forcave paqeruajtëse. Në shumë raste kjo zonë keqpërdoret për kontrabandë mallrash dhe njerëzish, veprimtari kjo më e theksuar në kufirin me Serbinë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 01.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Jvh4
  • Data 01.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Jvh4