1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova 2013 - Shpresa por dhe sfida të vështira

Bekim Shehu2 Janar 2013

Shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj i tha DW-së se qeveria e Kosovës do të kërkojë që personi që do ta përfaqësojë Kosovën në Beograd të ketë imunitet diplomatik.

https://p.dw.com/p/17CLk
Hashim Thaci - Kosovo Premierminister, EU-Außenbeauftragte Catherine Ashton und Ivica Dacic, Premierminister, Serbien Foto: Marina Maksimovic (Korrespondentin) zugeliefert durch: Ivan Djerkovic
Hashim Thaci Premierminister KosovoFotografi: DW

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës shpresojnë që në këtë fillim vit Kosova të arrijë numrin e 100-të të njohjeve të shtetësisë së saj. Kështu shprehet ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke shpalosur po kështu synimet e diplomacisë kosovare për anëtarësim në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare, por fokusi kryesor, sipas tij, është anëtarësimi në OKB. Kosova deri tani është njohur nga 98 vende të botës. Shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj thotë se nisma e Kosovës për anëtarësim në OKB do të jetë një veprim i koordinuar mirë për partnerët strategjik të Kosovës. "Kohën se kur Kosova do të aplikojë për anëtarësim në OKB, që është synimi ynë kryesor, tash nuk mund ta them, sepse është një prej vendimeve më strategjike dhe për vendime të tilla neve na duhet një analizë e mirëfilltë e plotë: kur dhe si duhet të ndodhë kjo dhe se cilat janë synimet tona", ministri i Jashtëm Hoxhaj.

Enver HOXHAJ ist Aussenminister des Kosovo; aufgenommen während seines Deutschlandbesuchs, hier bei der Deutschen Gesellschaft für auswärtige Politik (DGAP); das bzw. der Kosovo wird bisher von 86 Staaten anerkannt; der Nachbarstaat Republik Serbien verweigert die Anerkennung, ebenso 5 EU-Staaten
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver HoxhajFotografi: picture alliance /

Prioritet tjetër i institucioneve të Kosovës gjatë pranverës së vitit 2013 është edhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Qeveria e Kosovës u shpreh shumë e zhgënjyer pas vendimit të 10 dhjetorit 2012 të këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së, kur u tha se Kosova akoma nuk i ka plotësuar reformat e nevojshme për të filluar negociatat. Megjithatë, pranvera e vitit 2013, sipas përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, mund të jetë koha kur Kosova do ta marrë datën e nisjes së negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. "Ekzistojnë prioritete, në të cilat po punon qeveria dhe unë jam shumë i bindur se ato do të realizohen shpejt. Pritjet janë që në pranverën e vitit 2013 Komisioni Evropian do ta marrë mandatin për fillimin e bisedimeve. Ky është një hap i rëndësishëm dhe është marrëveshja e vërtetë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe një vendi kandidati për t'u bërë anëtar i tij. Bashkimi Evropian (BE)nënshkruan marrëveshje Stabilizim-Asociimi vetëm me vendet, e ardhmja e të cilave shihet brenda BE-së", tha Samuel Zhbogar në përmbyllje të vitit 2012.

Veriu në axhendën e takimit ndërmjet Thaçit dhe Daçiçit më 17 janar

Sfidë tjetër e institucioneve të Kosovës gjatë vitit 2013, me të cilën do të përballen menjëherë gjatë muajit janar, do të jetë vazhdimi i dialogut me Serbinë. Tashmë më 17 janar pritet të ndodhë takimi i parë për këtë vit ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiç me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Baronesha Ashton, në një komunikatë të lëshuar për media nga zyra e saj, tha se në këtë takim do të bisedohet edhe për veriun e Kosovës. Me këtë duket se janë pajtuar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, mirëpo, ata garantojnë se autonomi për veriun e Kosovës nuk do të ketë. Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq në një platformë të prezantuar për Kosovën, kërkon autonomi për veriun e Kosovës. Mirëpo, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se serbët e Kosovës kanë autonomi në komunat e tyre përmes planit të Marti Ahtisarit dhe kjo praktikë e njëjtë duhet të ndodhë edhe në veriun e Kosovës. "Serbët si shtetas të Republikës së Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë individuale, kolektive dhe kombëtare sikurse edhe shqiptarët dhe popujt e tjerë që jetojnë në Kosovë. Këto të drejta nuk janë të determinuara as për nga numri, as për nga pjesët ku jetojnë dhe Republika e Kosovës përmes planit të decentralizimit ka autonomi në nivelin komunal me të drejta të veçanta në fusha të caktuara", thotë presidentja Jahjaga, e cila së shpejti mund të ketë një takim me presidentin e Serbisë Tomisllav Nikoliq. Data e takimit nuk është caktuar ende, mirëpo, zyrtarë brenda presidencës i thanë DW-së se për këtë takim është duke ndërmjetësuar vet baronesha Catherine Ashton.

Kosova do të përfaqësohet në Beograd me zyrë ndërlidhëse

Ndërkohë në takimin e 17 janarit, që tashmë është konfirmuar ndërmjet kryeministrave, Thaçi e Daçiç, do të diskutohet edhe për një pikë shumë të rëndësishme: Hapjen e zyrave të përfaqësimit në Beograd e Prishtinë. Për hapjen e këtyre zyrave duket se të dy kryeministrat janë pajtuar në takimin e fundit të dhjetorit të vitit të shkuar, por nuk është sqaruar akoma cili do të jetë formati i përfaqësimit. Shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj i tha DW-së se qeveria e Kosovës do të kërkojë që personi që do ta përfaqësojë Kosovën në Beograd të ketë imunitet diplomatik. "Ne jemi duke punuar intesivisht që Republika e Kosovës ta ketë ambasadorin e saj në Republikën e Serbisë dhe përfaqësia e Kosovës në Beograd do të jetë zyre ndërlidhëse e Republikës së Kosovës. Ky do të jetë titulli zyrtar, ndërsa ne presim që edhe Serbia ta dërgojë përfaqësuesin e saj në Kosovë", thotë ministri Hoxhaj.

epa03503814 A Serb police officer (L) seen at the crossing point between Kosovo and Serbia in Merdare, Kosovo, 10 December 2012. Two jointly managed crossing points between Serbia and Kosovo began operating 10 December, in line with an agreement the two sides reached in talks brokered by the European Union. According to the agreement, customs and police officers from Serbia and its mostly Albanian breakaway province Kosovo will control the crossings under the supervision of EU officials. EPA/KUSHTRIM TERNAVA
Kalimi kufitar MerdareFotografi: picture-alliance/dpa

Sidoqoftë, mediat në Prishtinë shkruajë se relaksimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tashmë ka filluar me nisjen e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, marrëveshje kjo e njohur si IBM. Në natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor 2012, marrëveshja e IBM-së nisi të zbatohet edhe në dy pikat e tjera kufitare me Serbinë, në Bërnjak dhe Dheu i Bardhë. Çdo gjë filloi të funksionojë normalisht, thanë zyrtarë të policisë dhe të doganave të Kosovës. Në dy pikat tjera kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Merdare kjo marrëveshje nisi së zbatuari më 10 dhjetor 2012 dhe sipas policisë ajo po funksionon plotësisht pa ndonjë telashe.