1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovës nuk i duhen barrikada të reja - Masat reciproke me Serbinë

Lëvizja Vetëvendosja, i ka dhënë afat qeverisë së Kosovës deri më datën 1. Janar që të fillojë të zbatojë masat e reciprocitetit me Serbinë. Në të kundërtën kjo lëvizje do të bllokojë mallrat e Serbisë.

Parlamenti i Kosovës

Parlamenti i Kosovës

Partia opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosja, e cila njihet si kundërshtare e rreptë e çdo marrëveshjeje që arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka bërë të ditur se i ka dhënë afat qeverisë së Kosovës deri më datën 1. Janar të vitit të ardhshëm që të fillojë zbatojë masat e reciprocitetit me Serbinë. Në të kundërtën kjo, lëvizje do të bllokojë mallrat e Serbisë që hyjnë në Kosovë në dy pikat më kryesore kufitare me Serbinë, Merdare dhe Dheu i Bardhë. Këtë hap, lëvizja Vetëvendosja e mbështet në një mocion të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më datën 7 dhjetor me të cilin i kërkohet qeverisë së Kosovës që të marrë masa të plota reciprociteti, politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila

Vetëvendosja do të bllokojë mallrat serbe në kufijtë e Kosovës

Smajl Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosja i drejton apel qeverisë së Kosovës, se nëse ajo nuk e zbaton këtë vendim deri më 1. Janar të vitit 2012, Lëvizja Vetëvendosja do të ndërmarrë veprime konkrete për ta zbatuar këtë vendim të Kuvendit në çdo pikë të tij. Sipas tij, aktivistët e kësaj lëvizje nga data 14 Janar e vitit të ardhshëm do të bllokojnë mallrat e Serbisë në pikat kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë”.

Mocioni i Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë obligon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të nxisë dhe udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendorë dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia dhe që Qeveria t'i forcojë të gjithë mekanizmat shtetërorë për të siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Qeveria kosovare: Masat reciproke tregtare në raport me Serbinë janë realitet

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, thotë se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisës po zhvillohen normalisht dhe ajo thotë se kjo në vete do të thotë masë reciprociteti. “Serbia i ka njohur vulat e Doganave të Kosovës. Kosova ka hequr masat e reciprocitetit. Prandaj Kosova realisht, është në një raport reciprok me Serbinë sa u përket vulave doganore. Por, nëse kërkohet bllokadë apo mbyllje e kufirit, ai është tjetër mocion dhe do të kuptonte diçka tjetër. Por, nëse thuhet masa reciproke me Serbinë në aspektin tregtar, atëherë ne jemi duke i zbatuar këto masa”, thotë ministrja Mimoza Kusari Lila.

Peter Faith, Zyra Civile Ndërkombëtare

Peter Faith, Zyra Civile Ndërkombëtare

Ndërkombëtarët: Qeveria nuk është e obliguar ta zbatojë mocionin e kuvendit

Zyra Civile Ndërkombëtare e cila udhëhiqet nga Peter Faith, nuk e mbështet mocionin e Kuvendit të Kosovës për masa të plota reciprociteti me Serbisë. Shefi i kësaj zyreje Peter Faith, thotë se qeveria e Kosovës nuk është e obliguar ta zbatojë mocionin e kuvendit. Mocionin e Kuvendit nuk e mbështet as ambasada gjermane në Kosovë. Në një deklaratë për media, ambasadori Ernst Reichel, thotë se "Kjo rezolutë, menjëherë para vendimit të Këshillit Evropian për statusin e kandidatit të BE-së për Serbinë, në asnjë mënyrë nuk ishte e dobishme”.

Në deklaratën për media, ambasadori gjerman thekson se mbetet e pasqaruar, se çfarë kërkohet konkretisht me emërtimin "reciprocitet". "Falë një marrëveshjeje nga dialogu i udhëhequr nga BE, kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të hapur për mallra në të dy drejtimet, kështu që reciprociteti tanimë ekziston. Tani ka kërcënime edhe me bllokada në vendkalimet kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, nëse ky reciprocitet i pa definuar, dhe në të vërtetë ekzistues, nuk realizohet. Gjëja e fundit që i nevojitet Kosovës janë barrikada të tjera dhe më shumë dhunë në kufijtë me Serbinë. Kushdo që e ndjek këtë rrugë, nuk i kryen shërbim vendit të tij”, thotë ambasadori gjerman në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, më 20 korrik të këtij viti, vendosi masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, por, ky vendim u shfuqizua më 16 shtator, sepse Kosova dhe Serbia u dakorduan në Bruksel për shkëmbim të lirë tregtar dhe njohje reciproke të vulave doganore. Që kjo marrëveshje po zbatohet, këtë e ka konfirmuar edhe drejtoria e doganave të Kosovës.


Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi