1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kosovës i duhet shumë angazhim nga qeveria e re, ide dhe perspektiva të reja

Silke Krebs, ministre e Shtetit në landin Baden-Württemberg flet në intervistë për DW mbi përshtypjet e fituara nga vizita në Kosovë, gjendjen atje dhe situatën e refugjatëve nga Kosova në Gjermani.

DW: Zonja Krebs, duke marrë shkas nga fluksi masiv i refugjatëve, ju bëtë një vizitë në Kosovë së bashku me ministrin e landit Baden Württemberg për Evropën, Peter Friedrich. Cili ishte qëllimi i vizitës?

Silke Krebs: Shtimi i madh i refugjatëve nga shtetet e Ballkanit, sidomos nga Kosova, i çoi kapacitetet tona të pritjes së refugjatëve në limitet e asaj, që quhet e mundshme. Prandaj ne deshëm të krijojmë vetë një përshtypje për gjendjen në vend dhe të kuptonim, se përse kaq shumë njerëz ikin nga Kosova.

Si iu duk gjendja në Kosovë, çfarë mbresash keni marrë nga atmosfera në vend, nga njerëzit, jeta atje? Përse njerëzit duan të ikin, edhe pse dihet se kërkesat për azil nuk pranohen?

Në mënyrë mjaft mbresëlënëse shumë kosovare dhe kosovarë na përshkruan, se si ndjehen të veçuar dhe të mbyllur, sepse ndryshe nga njerëzit e tjerë në Ballkan nuk mund të shkojnë pa vizë në BE. Ka një dëshpërim të madh për shkak të mungesës së ecurisë në ndërtimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës publike. Ikja në masë ishte ndoshta edhe një protestë kundër mungesës së perspektivës në vend. Ky sinjal duhet marrë seriozisht në BE dhe në Gjermani. Kosovës i duhet shumë angazhim nga qeveria e re, ide dhe perspektiva të reja, por edhe hapa përpara në luftën kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit, përndryshe zhvillime të tilla mund të përsëriten.

Pas kulmimit të fillimvitit fluksi masiv ka rënë. Sa refugjatë nga Kosova kanë kërkuar azil këtë vit në Baden- Württemberg?

Në vitin 2014 në Baden-Württemberg kanë ardhur 2 788 azilkërkues nga Kosova. Ndërsa vetëm në janar 2015 u parashtruan kërkesa për azil 1.306 nga kosovare dhe kosovarë. Kjo është një e treta e numrit të përgjithshëm të aplikimeve fillestare për azil të të bëra në Baden-Württemberg në janar. Por që nga mesi i shkurtit duket se fluksi i azilkërkuesve nga Kosova ka rënë ndjeshëm në të gjithë Gjermaninë.

Si e përballojnë landi Baden-Württemberg dhe komunat e tij akomodimin e refugjatëve?

Landi dhe komunat muajt e fundit i kanë intensifikuar shumë përpjekjet për të krijuar më shumë vende pritjeje për refugjatë. Megjithatë ne arrijmë në limitet e mundësive tona, si përsa i përket pritjes fillestare, ashtu edhe akomodimit të mëtejshëm. Refugjatët, që vijnë në Baden Württembeg, vendosen fillimisht në qendrat e pranimit të landit. Këtu i kemi zgjeruar shumë kapacitetet në muajt e fundit, nga 2700 vende, që kanë qenë në verën e vitit 2014, në 9000 vende.

Çfarë ndodh me refugjatët e sapoardhur, cila është ecuria e shqyrtimit të kërkesave për azil?

Shtjellimi i procedurave të azilit është kompetencë e feredatës, e thënë më saktë e Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë. Në rastin ideal procedura e azilit duhet të shtjellohet brenda pak javësh. Gjermania po punon në një projekt model për shqyrtimin e kërkesave të njerëzve nga Kosova. Ai mundëson edhe për azilkërkuesit një sqarim më të shpejtë.

A ekziston mundësia për të qendruar dhe për të punuar? Shumë shqiptarë nga Kosova flasin gjermanisht, disa kanë jetuar këtu, a ka mundësi për t'i integtruar ata në tregun gjerman të punës, të cilit i nevojitet fuqi punëtore?

Është interesante, se në bisedat e shumta gjatë udhëtimit në Kosovë nuk pata përshtypjen, se shumë njerëz duan të largohen nga Kosova përgjithmonë. Në fakt është edhe e kuptueshme, fundja kosovaret dhe kosovarët kanë luftuar gjatë për shtetin e tyre. Kryesisht ishte më shumë dëshira, për të kryer praktika, apo një pjesë të përgatitjes profesionale në Gjermani, apo për të pasur mundësi për të punuar një farë kohe në Gjermani. Shumë prej tyre kanë jetuar në vitet 90-të gjatë luftës në Gjermani dhe flasin shumë mirë gjermanisht.

Çfarë masash të tjera mund të marrë landi Baden Württemberg për të ndaluar flukse të tilla refugjatesh?

Së pari mungesa e perspektivës për njohjen e azilit duhet bërë e ditur. Azil politik për njerëzit nga Kosova nuk ka pasur në fakt kurrë në vitet e fundit dhe si rrjedhojë as mundësi për të jetuar dhe punuar këtu përmes kësaj rruge. Ne përpiqemi që procedurat për azil t'i sjkurtojmë sa më shumë të jetë e mundur, me qëllim që njerëzve, që vijnë te ne, t'u japim sa më shpejt qartësi për situatën e tyre dhe të mos u zgjojmë shpresa të kota. Ne duhet gjithashtu të kujdesemi që të pengojmë, që njerëzit të lëshojnë bazën e ekzistencës së tyre në Kosovë duke u bazuar në shpresa të rreme dhe pastaj, pasi t'u jetë refuzuar kërkesa për azil, të kthehen mbrapsht më të varfër se më parë.

Kohët e fundit diskutohet shumë që Kosova të klasifikohet si „shtet i sigurtë origjine“. Kryeministri i landit Baden-Württemberg Kretschmann është kritik ndaj këtij opcioni. Sa funksionon instrumenti i „shteteve të sigurta“, apo duhen gjetur zgjidhje të tjera?

Instrumenti i „shteteve të sigurta të origjinës“ është një instrument, për të përmbyllur më shpejt procedurën e azilit për njerëz, që vijnë tek ne nga vende me kuota të papërfillshme të njohjes së azilit. Ndryshimi i fundit, për shembull me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë, nuk i ka pakësuar numrat e ardhjeve nga këto shtete, pra nuk ka sjellë ndonjë përmirësim.

Në ç'mënyrë mund ta ndihmojë landi Baden-Württemberg shtetin e ri të Kosovës për të luftuar shkaqet e emigrimit? Ju ishit në Kosovë, në cilat fusha shihni mundësi për mbështetje dhe bashkëpunim?

Patjetër që ne shohim mundësi, që Baden-Württemberg-u të ndihmojë Kosovën. Këtu është fjala më pak për ndihma financiare, se sa për bashkëpunim në profesionet e kujdesit shëndetësor dhe sanitar. Sepse në Kosovë ka njerëz të përgatitur mirë në këto fusha. Por edhe bashkëpunime në përgatitjen profesionale në përgjithësi janë një fushë e mundshme, ku Baden Württemberg-u mund të mbështesë rindërtimin ekonomik të Kosovës. Ne japim me kënaqësi mbështejtje për të bërë bujqësinë më efektive. Dhe ne duam të ndihmojmë sidomos me know-how në administrim dhe qeverisje të mirë. Në përgjithësi jam befasuar pozitivisht nga njerëzit e shumtë, tejet të motivuar, me të cilët munda të flas, edhe të rinj. Atë që mund të bëjmë për të ndërtuar perspektiva më të mira në Kosovë, e bëjmë me gjithë qejf.