1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovës do t'i kthehet regjistri civil dhe dokumentat e kadastrave

Në Bruksel përfundoi raundi i dytë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë takim janë trajtuar temat si telekomunikacioni, furnizimi me energji elektrike, njohja e diplomave prej Serbisë dhe çështje të tjera.

Edita Tahiri në Bruksel

Edita Tahiri në Bruksel

Beogradi dhe Prishtina kanë rënë dakord parimisht që Kosovës t'i kthehet dokumentacioni i regjistrit civil dhe dokumentat e kadastrave. Këtë e konfirmuan pas raundit të dytë të dialogut në Bruksel udhëheqësit e delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, Edita Tahiri dhe Borislav Stefanoviç. Tahiri tha se Kosova është nisur nga përvojat e vendeve tjera dhe ka bërë një kompromis.

„Nga përvoja e vendeve të tjera ish- jugosllave që ishin në suksesion, si Sllovenia, Kroacia apo Maqedonia, mësuam se edhe ato kanë bërë lëshime në procesin e kthimit dhe ndarjeve. Edhe ata i kishin marrë kopjet, kështu që edhe ne u pajtuam t'i marrim kopjet“, theksoi Tahiri.

Ka përparime për furnizimin me energji elektrike

Palët nuk bënë të ditur se kur do të kthehet dokumentacioni, duke shtuar se tani është arritur marrëveshje parimore për këtë çëshjte. Tahiri tha se përparime ka pasur edhe sa i përket furnizimit me energji elektrike.

„Janë afruar pikëpamjet, por kërkohet edhe një fazë tjetër e diskutimit për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme“, tha Tahiri, duke shtuar se pala kosovare do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe se Kosova nuk ka nevojë t'i dëshmojë Serbisë dhe askujt tjetër se është e aftë për negociata të mirëfillta.

„Ne kemi dëshmuar forcën tonë në Rambuje ku fituam betejën diplomatike. Serbia u bombardua nga NATO. E kemi dëshmuar edhe në Vjenë, ku ne ishim konstruktivë dhe fituam pavarësinë. Ne përsëri do të jemi konostruktivë dhe do të ecim përpara drejt objektivave që kemi, përmirësimit të jetës së qytetarëve, bashkëpunimit rajonal dhe afrimit sa më shpejtë me Bashkimin Evropian“, u shpreh Tahiri.

Borko Stefanovic në Bruksel

Borko Stefanovic në Bruksel

Tema e veriut të Kosovës nuk diskutohet

Pala serbe shpreson që në takimin e ardhshëm, i cili pritet të mbahet nga mesi i prillit, të arrihet marrëveshje edhe përsa i përket furznizimit me energji elektrike. Stefanoviçi megjithatë nuk ishte i kënaqur me disa gjëra.

„Kemi pritur më shumë sa i përket vulave të doganave dhe çështjes së telekomunikacionit. Por të gjithë këto çështje kanë edhe specifikat e veta, që shpesh kanë një natyrë politike“, tha Stefanoviç duke shtuar se çështja e dokumentave dhe targave kosovare janë përmendur, por do të hapen në takimet tjera.

Një prej temave më të nxehta, që pritet të hapen në të ardhmen është ajo e veriut të Kosovës, pasi këto ditë në Bruksel edhe presidenti serb Boris Tadiç tha se Kosova duhet të njohë realitetin e ri, e ai ëshrë që serbët e atjeshëm nuk e njohin shtetin kosovar.

„Mendoj se çështja e veriut është shumë e rëndësishme, me specifika të shumta dhe shumë e ndieshme. Në një farë mënyre paraqet edhe çelësin e zgjidhjes së problemit të Kosovës. Ne nuk e kemi përmendur çështjen e statusit, sepse për ne ai është shumë i qartë: ne mendojmë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe nuk do të pranojmë pavarësinë e Kosovës. Por kjo nuk do të thotë që shqiptarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të kenë një mendim tjetër, të cilin ne e dimë“, theksoi Stefanoviç.

Raundin e dytë e ka vizituar edhe shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ndërsa bisedimet e zhvilluan në zyrën e përfaqësuesit të saj, Robert Cooper.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi




  • Data 29.03.2011
  • Fjalët kyç kadastra
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10jUv
  • Data 29.03.2011
  • Fjalët kyç kadastra
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10jUv