1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Të shtunën votohet qeveria - PAN diskuton për emrat e ministrave

I mandatuari për kryeministër të Kosovës Ramush Haradinaj, pritet të udhëheqë një qeveri me 21 ministri. Partnerët e koalicionit po diskutojnë emrat. Qeveria Haradinaj, votohet të shtunën (09.09).

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë e ka mandatuar zyrtarisht Ramush Haradinajn për formimin e qeverisë së Kosovës, e cila pritet që të votohet (09.09)në parlamentin e Kosovës. Ramush Haradinaj, edhe gjatë së premtes (08.09)po diskuton me partnerët e koalicionit për emrat e ministrave që do te ketë në kabinetin qeveritar. Lista që ai do ta publikojë të shtunën pritet të ketë një numër të madh ministrishë, për një vend të vogël siç është Kosova me 1.8 milion banorë. Haradinaj, tha se "para kuvendit do ta prezantojë në vija të trasha edhe programin qeveritar dhe synimet qeverisëse".

Ende nuk është zyrtare lista e kabinetit qeveritar Haradinaj, por, mediet shkruajnë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) si partia më e madhe në koalicionin qeverisës, do të ketë gjashtë ministri dhe një zëvendëskryeministër. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të ketë dy ministri. Nisma për Kosovën do të ketë tri ministri dhe një zëvendëskryeministër. Aleanca për Kosovën e Re nën Behxhet Pacollin (AKR) do të ketë zëvendëskryeministrin e parë dhe katër ministri. Lista 'Srpska' do të ketë tri ministri dhe një zëvendëskryeministër. Komunitetet jo-serbe do t'i kenë dy ministri. Ndërsa Lista Rugova do t'i ketë dy poste, një zëvendëskryeministër dhe një ministri. Qeveria e Kosovës gjithsej do të ketë 21 dikastere qeveritare, dy më shumë sesa qeveria e kaluar.

Ky koalicion i gjerë, por me vetëm 62 vota në kuvend, nga 120 deputet sa i ka parlamenti i Kosovës, është kritikuar ashpër nga lëvizja Vetëvendosje, parti kjo që ka 32 deputet në kuvendin e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që ka 26 deputet. Deputeti i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, në një shkrim të tij, thotë se "Serbia me partinë e saj në Kosovë 'Lista Srpska' tashmë po bëhet aksionere vendimtare për kreun e Kuvendit e të Qeverisë."

"Që prej konstituimit të Kuvendit tash kapja e shtetit po ndahet në ujdi me Serbinë. Kosova nuk është vetëm shtet i kapur. Shteti i Kosovës po merret peng. Pra, jo vetëm nga Kadri Veseli, por dyfish nga Serbia. Me strukturat paralele si mbetje e okupimit në çerekun e territorit të vendit tonë. Me partinë e saj si aksionere vendimtare për kreun e Kuvendit e të Qeverisë. Nuk është hera e parë që shqiptarëve u duhet të përballen me krajl e me mbret", ka shkruar Albin Kurti.

Edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa, koalicionin PAN-AKR dhe pakicat e kanë quajtur si koalicion të "tregtarëve e pazarxhinjve", që sipas tij, nuk do të jetë në të mirën e vendit.

"Në qoftë se qeverisin me logjikën si i kanë konstruktuar koalicionet, frikësohem se më shumë nga koalicionistët e PAN-it do të kenë zyrat në qelitë e burgjeve të Kosovës, sesa në parlament dhe në qeveri. Disa nuk e kanë marrë vesh se kohët kanë ndryshuar", shkruan në profilin e tij Isa Mustafa.

Përfaqësuesit e listës 'Srpska', pasi votuan pro kryetarit të kuvendit, Kadri Veseli, thanë se ata do të konsultohen në Beograd me Presidentin serb, Aleksandër Vuqiç, lidhur me mbështetjen e tyre për tashmë të nominuarin për kryeministër të qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj. Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj thanë, se "nuk bëhet fjalë për kushte e kushtëzime", sepse edhe Lista Serbe sipas tyre është pjesë e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës".

Koalicioni i ri që do ta formojë qeverinë e Kosovës përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Nisma për Kosovën dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) si dhe pakicat përfshirë edhe serbët.