1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: shqiptarëve dhe serbëve u mësojnë histori diametralisht të kundërta

Nxënësit serbë dhe shqiptarët dhe të gjithë të tjerët, që mësojnë me planprogramet kosovare, 14 vjet pas luftës s'kanë gati asnjë kontakt me njëri-tjetrin. Historia, që mësohet në shkolla, është diametralisht e kundërt.

Jelena Petroviq, profesoreshë e historisë në gjimnazin "Miladin Mitiq" në Lapje Selo afër Prishtinës, thotë se bazuar në planprogramin e Republikës së Serbisë, me të cilin punon ajo, shpërbërja e Jugosllavisë trajtohet në kuadër të  ngjarjeve evropiane, shpërbërjes së Bllokut Lindor, Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakisë dhe bashkimit të Gjermanisë.

"Interesi i fuqive të mëdha ishte që të shpërbëhej Jugosllavia, para së gjithash kjo ka qenë në interes të Gjermanisë. Kurdo që bashkohet Gjermania, ajo ndjek një politikë ekspansioniste, që do të thotë zgjerim. Për fat të keq, rruga e saj për në Lindje ende kalon përmes territorit tonë. Situata aktuale ka qenë, që Serbia të pranojë bazat ushtarake dhe kontrollin e botës, që ka Perëndimi ... Serbia nuk deshi t'i pranojë ato, shqiptarët pranuan dhe menjëherë fituan mbështetjen ndërkombëtare".

Nga ana tjetër, nxënësit që ndjekin mësimin me planprogramin e Kosovës, këtë periudhë e mësojnë si kapitull mbi popullin shqiptar.

Demonstratat e vitit 1981 kontribuan në shpërbërjen e Jugosllavisë

Mësimi i historisë sipas programit kosovar

Mësimi i historisë sipas programit kosovar

"Rënia e Jugosllavisë lidhet edhe me demonstratat e vitit 1981. Ato përshpejtuan shpërbërjen e një shteti diktatorial dhe të një sistemi totalitar. Politika serbe ishte organizatore e këtij totalitarizmi, luftës, masakrës dhe ndoshta asaj që theksohet pak më shumë sepse është ende e freskët në kujtesën e tyre - vuajtjeve të kësaj lufte. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) përmendet vetëm në një kapitull. Mësuesit megjithatë janë shumë të kujdesshëm duke vënë theksin te paqja dhe marrëdhëniet e mira ndëretnike", thotë Beqir Letaj, profesor i historisë dhe zëvendësdrejtor i shkollës së mesme "Gjon Buzuku "në Prizren.

Ndërsa Petroviq kujton, dhe kështu shkruan edhe në librin e historisë, se çështja e Kosovës por edhe e Shqipërisë së Madhe, nisi në vitin 1878, kur u mbajt Lidhja e Prizrenit. Ajo çfarë ka ndodhur në vitin 1990 ishte vetëm "kulmi i këtyre ngjarjeve." Në mësimin e historisë, lufta e Kosovës përcillet "vetëm në aspektin informativ" dhe UÇK paraqitet si një "organizatë terroriste".

"Shqiptarët i përmendim në kuadër të Konferencës së Bujanit, Lidhjes së parë dhe të dytë të Prizrenit. Periudhën e pasluftës rreth shpërnguljes së populisë,  demonstratave ... Ata përmenden edhe kur mësohet për Kushtetutën e vitit 1974... Ne i përmendim ata edhe në kuadër të Luftës së Parë Ballkanike dhe se si ata krijuan shtetin e Shqipërisë. Domethënë, ata në përgjithësi nuk kanë marrë pjesë në luftë, por ky ka qene interesi i fuqive të mëdha. Në mënyrë që Serbia të mos kishte qasje në det, u krijua Shqipëria", thotë Petroviq.

Pak vëmendje për historinë e serbëve

Gjimnazi i Prizrenit

Gjimnazi i Prizrenit

Edhe profesori Letaj thotë se historisë së serbëve i kushtohet pak vëmendje. Nemanjiqët, për shembull nuk janë studiuar në mënyrë specifike si para luftës në Kosovë.

"Kur i referohemi historisë mesjetare të shtetit të Arbërisë dhe Perandorisë Bizantine, sipas këtij kapitulli, në bazë të dokumenteve bizantine, Kosova përmendet si Shqipëria veriore. Thuhet se në vitin 1190 shteti i Rashkës shfrytëzoi  vdekjen e një sundimtari në Konstandinopojë dhe për herë të parë pushtoi Prishtinën, Prizrenin duke shkuar deri në Lezhë të Shqipërisë. Thuhet po ashtu se të gjitha vendet e banuara me popullsi shqiptare, Greqia dhe Bullgaria ishin nën sundimin e Car Dushanit në vitin1331. Gjithashtu theksohet se nga viti 1345 deri në vitin 1348 Prizreni ka qenë qendra kryesore e shtetit të Car Dushanit dhe pas disa kohe kryeqyteti është zhvendosur në Shkup".

Edhe studentët, varësisht nga përkatësia e tyre etnike janë të ndarë gjithashtu. Ndonëse në tekstet shkollore në mënyrë "informative" flitet në lidhje me shpërthimin e konfliktit në Kosovë në vitin 1999, secili për vete ka të vërtetën e vet. Ata gjithashtu kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket statusit të Kosovës. Për Angjela Lekiq, maturante në gjimnazin e Laplo Selës nuk ka dilemë:

Të ndarë edhe nxënësit

Becir Letaj, mësues historie ngq Prizreni

Beqir Letaj, mësues historie nga Prizreni

"Kosova është pjesë e Serbisë dhe do të jetë gjithmonë. Përpjekjet e këtyre politikanëve të tanishëm gjoja për të bërë Kosovën të pavarur unë mendoj se nuk do të kenë kurrë sukses, sepse ne jetojmë këtu dhe nuk do të largohemi nga këtu."

Ndërsa nga pikëpamja shqiptare e Ron Kastratit, maturant në gjimnazin e Prizrenit nuk ka dilemë sa i përket kësaj çështje: "Kosova ka fituar statusin e saj. Dihet që ajo është shtet i pavarur dhe sovran. Nuk kanë pasur e as nuk do të kenë sukses përpjekjet e Serbisë për të anuluar atë, që është arritur këtu."

Autor: Refki Alija / Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica