1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Shpërthim në KEK, me viktima

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur termocentralin Kosova A të KEK-ut të Kosovës. Si rrjedhojë janë plagosur 13 vetë.

KEK, Obiliq, Kosovë

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi sot paradite brenda objektit të termocentralit Kosova A, në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës. Zyrtarë nga qendra Klinike Universitare konfirmojnë për 13 persona të lënduar deri tash, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, mirëpo situata është akoma e paqartë, përderisa ekipet e shpëtimit akoma nuk kanë arritur të futen brenda vendit, ku ka ndodhur shpërthimi.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, konfirmon se dyshohet edhe për persona të vdekur nga shpërthimi, por nuk dihet akoma numri i saktë i viktimave.

Ndërkohë Edmond Nulleshi, drejtor i shërbimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës, ka njoftuar se shpërthimi ka ndodhur në repartin e elektrolizës në Termocentralin Kosova A nga disa bombola hidrogjeni. Rreziku sipas tij akoma nuk ka kaluar, sepse aty ka bombola të tjera hidrogjeni.

Në vend të ngjarjes tashmë gjendet edhe kryeministri i Kosovës në detyrë Hashim Thaci dhe disa ministra të tij.

“Ka ndodhur një fatkeqësi, ka dëme materiale, ka edhe të lënduar. Tani për tani nuk mund të jap informata tjera, vetëm mund të them se e gjitha ka ardhur nga shpërthimi i bocave të hidrogjenit. Po mundohemi të evitojme pasojat, të shpetojmë çdo jetë të punëtorit. Janë aktivizuar pjesëtarë të FSK-së, Policisë së Kosovës, zjarrëfikësit, ndihma e shpejtë”, tha kryeministri Thaçi.

Pothuaj të gjithë liderët e partive kryesore politike tashmë kanë ndërprerë fushatën e tyre për zgjedhjet e së dielës.