1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë- Serbi: Biseda vetëm për çështje teknike

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë të gatshëm të bisedojnë me Serbinë për çështje teknike, por jo edhe për statusin e Kosovës.

default

Zbardhja e fatit të personave të zhdukur, lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave, demarkacioni i kufirit dhe kthimi i dokumentacionit të Kosovës nga Serbia, janë temat për të cilat Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë, por për çështjen e statusit të Kosovës nuk mund të bisedohet. Kështu, thonë udhëheqësit politik kosovarë, pas deklaratave të bëra nga qarqe të ndryshme ndërkombëtare se Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë njëra më tjetrën. Bisedimet Kosovë-Serbi për çështje praktike, mund të fillojnë pas opinonit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, thotë kryeministri Hashim Thaçi. "Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, integriteti teritorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht, prandaj në të ardhmen pas prezantimit të opinonit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të ketë takime dhe biseda për çështje praktike, por sa i përket çështjes së statusit dhe integritetit territorial, këto çështje janë zgjidhur njëherë e përgjithmonë," thotë kryeministri Hashim Thaçi.

Qeveria e Serbisë nga ana e saj, vazhdimisht kërkon që çështja e statusit të Kosovës të hedhet në tavolinën e bisedave.

Gjatë gjithë javës në mediat kosovare dhe ato të rajonit u publikuan ide nga njohës të çështjeve të Ballkanit se për një paqe të qëndrueshmë në rajon, Kosova dhe Serbia duhet të shkëmbejnë teritore. Thuhej se veriu i Kosovës t'i jepet Serbisë, ndërsa, Lugina e Preshevës në jug të Serbisë t'i jepet Kosovës. Për kryetarin e parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, këto ide janë të rrezikshme për momentin dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë. "Kosova i ka fufijtë e vet. Ata kufijë janë më të vjetër sesa është Kosova shtet, njohjet ndërkombëtare që i janë bërë Kosovës janë bërë bazuar në kufijtë ekzistues. Ndoshta në të ardhmen pas një përmirësimi të marrëdhënieve me Serbinë edhe mund të bisedohet edhe për çështje të tilla mirëpo, në këtë kohë ndyshimi i kufijve është hapje e kutisë së Pandorës," thotë Jakup Krasniqi.

Prishtina

Prishtina

Përfaqësues të partive politike opozitare, nuk janë dakord që institucionet e Kosovës të fillojë biseda me Serbinë madje edhe për çështje teknike, nëse paraprakisht nuk do të ketë një konsultim dhe dakordim të gjithëmbarshëm në Kosovë. Kështu, thotë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka propozuar mbajtjen e një tryeze nacionale. "Kosova nuk ka nevojë të nxitojë dhe të kërkojë apo të marrë pjesë në biseda pëmes të cilave e dëmton veten. Udhëheqësit politik në Kosovë duhet të ulën së bashku, në këtë funksion e kemi propozuar një tryezë nacionale, të ulemi të diskutojmë se a kemi nevojë me bisedu me Serbinë, për çfarë temash dhe në rast se ka dakordim për temat që ne mendojmë se janë të nevojshme, atëherë edhe mund të bisedohet," thotë Ramush Haradinaj.

Kategorik edhe kundër bisedave teknike pa e njohur Serbia Kosovën si shtet, shprehet nënkryetari i partisë tjetër opozitare, Aleanca Për Kosovën e Re, Ibrahim Makolli. Ai thotë se paraprakisht ka disa kushte. "Në radhë të parë mund të bisedohet si dy palë të barabarta prandaj si kusht themelore është njohja e shtetit të Kosovës në kufijtë ekzistues nga Serbia. nuk mund të ketë bisedime teknike, sepse bisedimet teknike zakonisht ndodhin pas marrëveshjeve politike që arrihen në mes vendeve të ndryshme," thotë Ibrahim Makolli.

Analistët politikë nga ana e tyre, thonë se megjithë presionin ndërkombëtar që Kosova dhe Serbia të ulën dhe të bisedojnë njëra me tjetrën, rezultate nga këto biseda të mundshme nuk do të ketë. Ata rikujtojnë bisedimet në Rambuje, pastaj rikujtojnë bisedimet në Vjenë në të cilat ishte i pamundur kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, duket se komuniteti ndërkombëtar edhe njëherë do të shtyjë Kosovën dhe Serbinë që të ulën në një tavolinë dhe të bisedojnë për çështje praktike që kanë interes të ndërsjellë. Këtë kërkesë, në fillim të javës pritet ta thonë në Prishtinë dy udhëheqës të lartë evropianë, presidenti i Bashkimit Evropian, Herman van Rompuy dhe Pier Mirell, drejtor për ballkanin perendimor në Komisionin Evropian, të cilët do të vizitojnë Kosovën.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 03.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O9k8
  • Data 03.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O9k8