1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Serbët të përçarë në zgjedhje

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të garojnë 26 subjekte politike - 5 koalicione, 19 parti dhe 2 iniciativa qytetare. Por më 11 qershor garojnë edhe 6 subjekte politike serbe.

Aleksandar Jablanovic (DW/B.Cani)

Aleksandar Jablanoviq

Serbët nuk do ta kenë aspak të lehtë të vendosin më 11 qershor se kush do t'i prezantojë ata në Parlamentin e Kosovës. Në mesin e 26 subjekteve politike që garojnë për 120 mandate në Parlament, janë edhe gjashtë të komunitetit serb: katër parti politike dhe një koalicion dhe një iniciativë qytetare. Ajo që bie në sy më së shumti është përçarja e listës "Serpska", për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë nisur gjatë legjislaturës së kaluar - se kush e përfaqëson atë dhe kush është kryetari i saj.

Lista e subjekteve serbe

Ndër ata të cilët pretendojnë se janë përfaqësues "autokton" të listës "Serbe", janë Sllavko Simiq dhe Aleksandar Jabllanoviq. Ata të dy pretendojnë se janë vazhduesit e kësaj liste dhe e ideve të paraqitura në legjislaturën e deritanishme. Për zgjedhje konkurojnë: "Lista Serbe", e udhëhequr nga Sllavko Simiq; Partia Progresive demokratike; Partia Liberale - SLS e Sllobodan Petroviqit; Forca Përparimtare e Kosovës; Koalicioni Partia e Serbëve të Kosovës, i Aleksandër Jabllanoviqit dhe Iniciativa qytetare - Lidhja Patriotike Serbe.

Gjatë ditës së dielë (21.05) disa nga liderët e listës Serbe kanë qenë për konsultime edhe në Beograd. Pas takimit u tha se vetëm kjo listë mund të realizojë interesat e serbëve në Kosovë dhe të parandalojë formimin e ushtrisë së Kosovës.

Premtimet parazgjedhore

"Deputetët e Listës Serbe mund ta parandalojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës. Kur ju dëgjoni kandidat për kryeministër si Haradinaj, i cili dëshiron të vijë deri në Nish, atëherë serbët nuk duhet të lejojnë krijimin e ushtrisë", theksoi Aleksandar Vulin, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Vulin tha se Qeveria e Serbisë do ta përkrahë këtë subjekt në zgjedhjet e 11 qershorit. Por edhe partitë dhe koalicionet tjera pretendojnë se "më së miri" do të mbrojnë interesat e serbëve në Kosovë, ndonëse disa prej tyre nuk e kanë mbështetjen e Beogradit zyrtar.